FORCA E MORALITETIT PËRBALLË FORCËS SË PARASË

Nga Brikena Bogdo

Nga Brikena BogdoGjatë ditëve të zgjedhjeve dëgjuam rëndom pyetjen: Çfarë mendon për Veliajn, çfarë mendon për Kosovën, për Dakon, Dumën e kështu me radhë? Përgjigjet ishin të ndryshme. Por, kjo pyetje rezultoi përsëri e pasaktë, sepse është shtruar gabimisht. Një pyetje do të ishte se çfarë është populli shqiptar, i majtë apo i djathtë? Sa saktë orientohen ndaj ofertave politike të ndryshme, që ofrohen ditët e zgjedhjeve, gati bombarduese. Kultura e paktë politike shkakton një mbivlerësim të politikës dhe pushtetit, ose më saktë një abuzim të saj, duke fituar terrene, edhe aty, ku duhet të ishte domen i qytetarëve. Zgjedhjet për pushtetin lokal janë shndërruar “për qytetarin, pa qytetarin”. Zgjedhjet lokale janë tipike për qytetarin. Në fakt, ato sot janë betejë politike dhe përfitim politik, test politik për zgjedhjet e pëgjithshme.

Në këto zgjedhje, më shumë se kurrë, u zhvesh forca e moralitetit, kundrejt forcës së parasë. PD-ja zgjodhi si imazh politik moralitetin përballë një kundërshtari tejet të përfolur për korrupsion. Shqiptarëve iu vu përballë, si një sprovë, një njeri i konsideruar i ndershëm. Ndërkohë, iu vunë përballë njerëzit e botës së krimit dhe një zë i fuqishëm kundër kësaj kaste nga faktori ndërkombëtar. Tashmë një fakt është i sigurt, shqiptarët nuk zgjodhën ndershmërinë.

Mbase duhet të kërkojmë të kuptojmë nëse ka patur diçka të gabuar, në mënyrën se, si për kaq vjet, mbase kemi mbivlerësuar çështjet morale. Thirrja për ndershmëri, e përsëritur, me sa duket nuk mjaftuaka, për të zgjedhur në vetvete, të këqijat e politikës. Edhe nëse cilësitë e drejtimit lokal dhe kombëtar, janë në mënyrë të qartë skadente, ndershmëria personale nuk është dhe nuk do të jetë e mjaftueshme për të zgjidhur një problem të rëndë politik, dhe këtë po e tregon realiteti shqiptar. Pas 25 vitesh luftë, për ndryshime procesesh politike, dhe pas denoncimesh korruptive, të ngritura dhe nga institucionet ndërkombëtare me autoritet, jemi në të njëjtën pikë. Një mungesë reflektimi dhe dorëzim ndaj krimit, krimit të parasë, apo parasë së krimit. Gjithnjë e më pak besim, në pyetjen: “A ka mundësi të zvogëlohet lidhja midis politikës dhe botës së krimit?” Në fakt, i gjithë ambienti shqiptar ka krijuar një përplasje antropologjike, e majtë e djathtë, dhe ka harruar çështjen “krim”, që po i kthehet bumerang jo vetëm ambientit politik, por të gjithë shoqërisë shqiptare. Çdo krim mbetet i pandëshkuar, çdo individ me rekorde kriminale mbetet i padenoncuar, edhe kur i gjithë faktori ndërkombëtar, kërkon të krijojnë një ndjeshmëri në politikën shqiptare. Çdo kërkesë apo denoncim konsiderohet i pathemeltë. Ende nuk po reflektohet seriozisht, mbi arsyet se përse shihen pa reflektim, në fakt nga disa struktura me mirëkuptim, sjellje të paligjshme.

Benedeto Croce, ne një shkrim të tij, shprehet: “Kërkesa idiote për ndershmëri në jetën politike është, ideali që gjallëron shpirtrat e të gjithë budallenjve”. Jo më kot përmenda Crocen, pasi më duhet të heq disa paralele me ambientin politik juridik të Italisë që domosdoshmërisht ka një impakt të drejtpërdrejt në Shqipëri. Në Itali sapo është zhvilluar cështja gjyqësore “mafia kapitale”, pas së cilës qytetarët pyesin “përsëri?”. Ata kanë gjithnjë e më pak besim në mundësinë për të zvogëluar ndërthurjet apo marrëveshjet mes politikës dhe keqbërësve. Ndershmëria po tingëllon një relike apo më keq e thënë nga Napoleoni “ndershmëria certifikata e budallait”. Aq më keq në Shqipëri përveç të ndershmëve, edhe të djathtët po konsiderohen budallenj, nga kryeministri. Me humbjen e Kosovës imazhi i të ndershmit mori një goditje shumë të rëndë.

Duhen strategji – thotë Croce. Dhe në fakt Croce nuk del kundër ndershmërisë, por tingëllon tejet infantile të kërkosh apo të paraqesësh përpara publikut “ndershmërinë”, qoftë edhe projekte të detajuara, (si ndershmëria ashtu dhe projektet janë të dyja në fakt të domosdoshme në një demokraci normale), kur shteti është i kapur, nga mafia në Itali, apo nga krimi në Shqipëri. Croce nuk dëshiron që ti bëjë apologji pandershmërisë, por të bëjë një thirrje se ndershmëria në vetvete nuk është e mjaftueshme të zgjidhë të këqijat e politikës, që gjithmonë ka nevojë pikërisht për masa politike. Ku është paralelizmi me Italinë? Njerëzit e përfolur për rekorde kriminale, ishin pjesë e bandave mafioze, paçka se nuk janë dënuar, duke e mbartur atë model në Shqipëri. Të gjithë për një muaj diskutuam figurën shumë interesante të Kosovës, diskutuam se si të dy palët, në Tiranë, as Kosova, as Veliaj, nuk paraqitën projekte të detajaura si një minus serioz të të dy kampeve. Por, gjatë fushatës u anashkalua nga ambienti qytetar dhe politik një fakt krucial, gjithçka zerohet kur shteti është i kapur nga krimi.

“Modeli mafioz italian”, i kapjes së shtetit nga krimi tashmë është fitues, është ulur në karrigen e “kryetarit”, duke shkërmoqur të gjithë kauzën “ndershmëri” të Kosovës, apo dëshirën për ndershmëri të qytetarëve. Pyetja është “mjafton ndershmëria personale?” Por kjo pyetje duhet modifikuar. Përpara saj ka një pyetje tjetër. A ka mundësi që të zvogëlohen lidhjet mes politikës dhe botës së krimit, pastaj të kalohet në çështjet morale. Dhe në fund vjen pyetja e imponuar nga ambienti politik “Do të bëjmë zgjedhje, apo do të luajmë teatrin qengji dhe ujku?”

Paralelizmi tjetër që vihet re mes Italisë dhe Shqipërisë është mbivlerësimi e djathtë apo e majtë përpara çështjes mafia në Itali, apo krimit në Shqipëri. Në Itali po përhapet ideja që nuk ka nevojë për politikë, por për një prokurori që të forcojë dënimet. E gjithë kjo frymë negativiste ndaj politikës vjen nga cilësitë e dobëta skadente të politikës Italiane. Në Shqipëri kjo frymë negativiste ndaj politikës u pasqyrua në pjesëmarrjen e ulët në votime.

Ndryshe nga zgjedhje të kaluara që flitej rëndom për shitje dhe blerje vote, këtë herë u përfol edhe mekanizmi i saj. Na u servir si normalitet mbajtja nga rroga e punonjësve të administratës, në shumën e 5000 lekëve të reja. Këtë trend, shqiptarët po e përhapin edhe më gjerë në Evropë. Në Itali është penalizuar kryetari i bashkisë së Iskias, pikërisht për shitje dhe blerje të votës së shqiptarëve, në Maqedoni ka ndodhur pikërisht i njëjti fenomen me votën e shqiptarëve. Forca e muskujve të qeverisë (një fushatë zgjedhore me përmasa të ekzagjeruara parash, kërkon të tregojë forcën e saj), nesër do të jetë një bumerang për të. Publiku shqiptar u përball me prepotencën e spoteve, për nga shpeshtësia e saj në televizione (por meqenëse e denoncon një parti kjo shpërfillet nga publiku). Kur varfëria ti vijë shqiptarëve në kockë do detyrohen ta bëjnë pyetjen:- “Nga vijnë të gjithë këto lekë?” Ndërkohë sipas ligjit një parti nuk financohet nga shteti më shumë se 200 mijë euro.

U përballëm shpesh me imazhe të rreme. Kryeministri, pas zgjedhjeve deklaron se, nuk arrin të gëzojë fitoren për shkak të varfërisë së thellë që ka kapluar këtë vend. A ishte retorikë u ngrit pyetja? Po, përderisa kjo fushatë ishte dramatikisht e kushtueshme, 10 mijë euro vetëm një video-projektor, një spot televiziv 5 milionë lekë të vjetra, e denoncuar nga PD (me këto të dhëna shqiptarët mund ta llogarisin faturën e kostos së mazhorancës). Basha tenton një imazh të ri me “personazhin tejet apolitik Kosova”, ndërkohë i kundërvë një kundërimazh, të gjithë partinë demokratike tejet politike, apo duke e quajtur pasuesin e tij.

Goditjen e parë kundër mentaliteteve stampë zgjedhore allashqiptarçe e dha vetë Basha ne fushatën e tij, përpara katër vitesh, me një mentalitet krejt te ndryshëm për ambientin politik shqiptar. Efektet ishin të padiskutueshme në publik, e cila u përkthye në votë fituese. Më pas, ai rikthen retorikën e zakonshme të mentalitetit shqiptar. Në të kundërt nga Basha, Rama në zgjedhjet e vitit 2011 operoi me retorikën agresive të zakonshme të mentalitetit shqiptar, që u përkthye në votë humbëse. Pas zgjedhjeve të 2013-ës Rama ndoqi dy standarde, njëra për thithjen e votës (retorikë agresive) dhe tjetrën, për miratimin e publikut të realizimeve të programit të qeverisë së tij (retorikë e qetë pozitiviste). Pra ai e shndërron imazhin e tij drastikisht, në një hark kohor shumë të shkurtër. Kë qëndrim të besojë publiku? Kush është fytyra e vërtetë e këtyre politikanëve? Ka një dualizëm të retorikave të tyre që aktualisht po i bën politikanët shqiptarë, të pabesueshëm. Por ndodhi për çudi një fakt. Rama vetëm për Halim Kosovën ndryshoi sjelljen politike. Politikanëve iu imponuaka ndryshimi I sjelljeve. Veprime kundër veprime, imazhe kundërimazhe që gjenerojnë mosbesime në elektorat. Sot penalizohet Basha, nesër do të penalizohet Rama, pasi t’i zerohen efektet e “muskujve të qeverisë”.

Në këto zgjedhje risi ishte dalja e kandidatëve të pavarur, kryesisht në Tiranë. I vetmi shans i të pavarurve që të fitojnë është ose me një diskurs politik ndryshe, ose me forcë individi. Bojaxhi apo Guri treguan relativisht forcën e individit. Asnjë i pavarur nuk mundi të revolucionarizonte diskursin politik, si p.sh. Grillo në Itali, i cili u shndërrua në fitues me 24% të italianëve pro tij.

  1. P.S. Të gjitha analizat bien poshtë nëse fitohet në tavolinë, ashtu si u fituan këto zgjedhje, nëpërmjet reformës territoriale. Me reformën territoriale, këto zgjedhje më pas rezultuan farsë. Të shpresojmë që të mos jetë kjo e ardhmja e demokracisë moderne ku fitoret arrihen në tavolinë, pa u volitur vota e qytetarisë.
Share it :