Gëzim Saliu
Rama: Reforma territoriale është kryeskema për bujqësinë dhe zhvillimin rural
Degët e bujqësisë që subvencionohen. Prioritetet e fondeve, blegtoria e imët, mbjellja e vreshtit; financim i karburantit për serrat me ngrohje
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave shpalli dje skemat e mbështetjes financiare për fermerët. Në konferencën kombëtare “Pagesat në bujqësi si mjet zhvillimi”, ku merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, përfaqësues të agrobiznesit, blegtorisë, serave, bletarisë, peshkimit etj. u shpalos vizioni i qeverisë për bujqësinë shqiptare, duke e konsideruar një sektor privat. “Ne jemi zotuar që ta bëjmë fermerin përfitues të drejtpërdrejtë të skemave të mbështetëse, duke vendosur një distancë të qartë nga praktikat diskriminuese dhe korruptive që kanë karakterizuar marrëdhëniet me shtetin dhe sektorin bujqësor gjatë gjithë këtyre viteve. Skema e vitit 2014 kap shifrën 1 miliard e 655 milionë lekëve”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë theksoi se reforma territoriale është kryeskema për bujqësinë dhe për zhvillimin rural. “Duhet një reformë territoriale. Reforma territoriale nuk është thjesht shkurtimi i domosdoshëm i shumë shpenzimeve të kota, të shumë bishtave të korrupsioneve, por është mundësia për kushte të reja të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, për sisteme të reja të administrimit të burimeve natyrore… Nëse flasim për skema të reja reforma territoriale, është kryeskema e mbështetjes së bujqësi dhe e nxitjes së zhvillimit rural në tërësi”, – tha Rama.
Skemat
Sipas ministrit të Bujqësisë, këtë vit, ndryshe nga çdo vit tjetër, buxheti për mbështetjen financiare për fermerët u rrit me 70%, gjë që tregon, sipas tij, vëmendjen e qeverisë për këtë sektor prioritar për ekonominë. Sipas Panaritit, me skemat e reja të mbështetjes financiare, jo vetëm inkurajohet fermeri për të rritur prodhimin më kosto të ulët, por synohet edhe përdorimi me efikasitet dhe efiçencë i këtyre fondeve. Ndërkohë, drejtorja e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Suela Popa, bëri të ditur skemat e reja të mbështetjes financiare për vitin 2014, në thelb të të cilave është synimi i cilësisë së prodhimit, mbështetja e inovacionit dhe modernizimit në bujqësi, rritja e punësimit si dhe shtimi i të ardhurave në xhepin e çdo fermeri dhe agropërpunuesi. Konkretisht, në skemat e reja prioritet për mbështetje financiare është blegtoria e imët; ngritja e pikave të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtisë me shumicë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale; mbështetja e shoqërive të bashkëpunimit bujqësor; mbjellja e vreshtit; serrat me ngrohje dimërore përmes financimit të karburantit. Për herë të parë mbështeten projekte për hapjen e puseve, rezervuarëve dhe lerave. Risi në skemat e reja është dhe mbështetja për akuakulturën. Ndërsa drejtori i Politikave Rurale në Ministrinë e Bujqësisë, Grigor Gjeci, prezantoi skemat IPARD like (fondet para anëtarësimit për zhvillimin rural), që përfaqësojnë mbështetjen financiare për bujqësinë nga BE në masën 75% dhe nga qeveria shqiptare në masën 25% me një fond prej 8.270.000 euro, nga të cilat 6.200.000 euro është kontributi i Komunitetit dhe 2.070.000 euro është kontributi kombëtar. IPARD mbështet kryesisht këta sektorë: sektori i mishit, qumështit, frutave dhe perimeve.
Strategjia
Fondet më të mëdha shkojnë për grupet e fermerëve që bashkëpunojnë me projekte
Sektori i Bujqësisë do të përfitojë 1 miliard e 115 milionë lekë më shumë se 2013-ta. Me skemat e reja të përfitimit financiar për fermerët, përcaktohet se përveç subvencionimit për degët e agrobiznesit, blegtorisë dhe bletarisë, fondet më të mëdha të shkojnë për ato grupe fermerësh, të cilët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe kanë projekte, të cilat japin më shumë prodhim. Kështu fondet për pikat e grumbullimit dhe magazinimit rriten nga 5 në 7 milionë lekë, ndërkohë që rritet edhe baza e kreditimit për këtë sektor. Po ashtu kontributi rritet edhe për pjesën e blegtorisë, bletarisë dhe vreshtarisë. Kështu të gjithë ata që duan të përfitojnë nga këto fonde duhet të aplikojnë formularin, që ndodhet në faqen e ministrisë së Bujqësisë, i cili është i ndarë në formularë aplikimi masa 1 dhe formularë aplikim masa 2. Kështu në formularin e parë kërkohen fillimisht gjeneralitetet e aplikuesit, të dhënat e bankës, të dhënat mbi specializimet dhe përvojën e punës, informacion mbi grantet e mëparshme të marra nga skemat e financimit kombëtare ose nga ato të donatorëve, informacion i përgjithshëm mbi investimin si edhe objektivat e investimit.
Ambasadori i BE-së
Sequi: Fonde për bujqësinë, fermeri i varfër sjell një vend në varfëri
I pranishëm në tryezën e organizuar dje nga Ministria e Bujqësisë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, theksoi se mungesa e mbështetjes financiare i vret fermerët e një vendi njëlloj si një rrufe apo një pakujdesi nga një traktor. Sipas diplomatit të Bashkimit Evropian, asgjë nuk mund të arrihet pa investuar në sektorin bujqësor. “Mungesa e mbështetjes financiare për një fermer është një vrasje njëlloj si nga një rrufe apo nga një traktor. Bujqësia ka mjaft potenciale në Shqipëri dhe ne po mbështesim ministrinë me një strategji sektoriale. Modernizimi i bujqësisë do të ulte varfërinë në një vend por nuk mund të arrihet asgjë pa investuar. Nëse një fermer është i varfër atëherë edhe vendi është i varfër”, – tha ai, duke shtuar se BE ka dhënë dhe vazhdon të japë një ndihmë të jashtëzakonshme për bujqësinë përmes projekteve IPARD (fondet para anëtarësimit për zhvillimin rural).
Tërheqja
Subvencioni i naftës në bujqësi, qeveria rimbursim vetëm në masën 50%
Qeveria tërhiqet nga plani për të subvencionuar naftën në bujqësi, duke u ndalur vetëm te rimbursimi në masën 50% të vlerës së karburantit për serat me ngrohje. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, kjo është zgjidhja më e përshtatshme për këtë vit, për sa kohë propozimet e sjella nga grupet e interesit nuk kanë ofruar sigurinë për funksionin e suksesshëm të kësaj skeme.




