Fondet e bujqësisë nga BE/ Gerta Loku: Duhet të gjesh një sekser që ta sigurosh në këmbim të 30% të vlerës së subvencionit

Gerta Loku shpenzoi një shumë të konsiderueshme të hollash dhe shumë orë punë për të plotësuar dokumentacionin për të përfituar nga skema e subvencioneve IPARD të Bashkimit Europian.

Gerta ka përvojë shumëvjeçare në mbarështimin e dhive dhe një plan të qartë biznesi për të zgjeruar numrin e krerëve, që më pas të ofrojë shërbime të agroturizmit me shijen autentike të bulmetit organik nga racat më të rralla të dhive në Europë.

“Ditën që do të dorëzoja dosjen, nuk më hapën telefonin. Skema funksionon e tillë: Duhet të gjesh një sekser që të sigurojë fondin në këmbim të 30% të vlerës së subvencionit.

Duke qenë person i njohur në publik dhe aktiviste nuk më ofrohet as sekseri” tha zonja Loku, e cila nuk ka përfituar nga skema IPARD edhe pse i plotëson kushtet.

Vitet e fundit, fondet nga skema IPARD në bujqësi janë rritur. Këtë vit, nga ky program janë në dispozicion 42 milionë euro, gati 30% më shumë se vitin e kaluar. Por shpërndarja nuk është e tillë që të mbështesë zhvillimin e klasterit, qoftë në bujqësi apo blegtori, me qëllim zhvillimin e të gjithë zinxhirit të një produkti në një zonë ku fizibiliteti është i lartë.

Vitin e kaluar, financimet nga skema kombëtare ishin 1,5 miliardë lekë nga rreth 1 miliard lekë në vitin 2021. Rreth 6,211 blegtorë përfituan nga Skema e Mbështetjes, në vitin 2022, kundrejt 4 316 blegtorëve që përfituan në vitin 2021.

Skema Kombëtare që aplikohet nga AZHBR mbështet fermat mbi 100 krerë dele dhe/ose dhi, shkon në vlerën 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt. Ndërsa për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë, mbështetja është në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt.

Roberti nga Semani thotë se, mbështetja nuk është e mjaftueshme, pasi kostot e ushqimit janë rritur, teksa një litër qumësht ende kushton sa një shishe ujë i paketuar.

Luan Çela, i cili mbarështon një fermë me 10 lopë në Qarkun e Fierit, tha se u bënë vite që punon me sezone në Itali dhe Greqi që të mbulojë shpenzimet për ushqimin e kafshëve. Pas shumë viteve në emigracion, ai u kthye në Shqipëri për të pleqëruar prindërit.

“Punoj çdo vit disa muaj jashtë vendit, ndryshe nuk përballohen shpenzimet e fermës”, tha ai. Luani, edhe pse ka aplikuar shumë herë për subvencion, nuk ka fituar asnjëherë, pasi shpesh në fshatin e tij, fondet ndahen me përkatësi politike.

Me gjithë këto financime të reja shihet se sektori i bujqësisë është tkurrur vitin e kaluar. Në 9-mujorin e parë 2022, ekonomia e vendit u rrit mbi 4%, sektori i bujqësisë ishte me rënie. Brenda bujqësisë, dega e blegtorisë kishte rënien më të madhe, pohuan ekspertët e bujqësisë.

Një raporti i FAO-s (dega e ushqimit në OKB) tregon se fermerët shqiptarë marrin vetëm 3 euro mbështetje direkte për hektar nga shteti, ndërsa 42 euro shkojnë për institucionet dhe subjektet që monitorojnë sektorin e bujqësisë.

Kjo është e kundërta e situatës në vendet e tjera, ku pjesa më e madhe e fondeve shkojnë drejtpërdrejt te fermeri. Në Kosovë, 69 euro për hektar shkojnë për fermerin dhe 54 euro për administratën, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë, 66 euro për hektar i shkojnë fermerit dhe 60, administratës.

Mesatarisht, vendet e Ballkanit Perëndimor u dhanë fermerëve të tyre rreth 53 euro për hektar, ndërsa në Shqipëri, kjo shifër ishte 18 herë më pak, me vetëm 3 euro. Raporti i FAO-s thekson se qeveria ofron shumë pak në mënyrën e financimit publik për fermerët dhe paratë e përcaktuara për këtë sektor nuk shkojnë aty ku duhet.

Me këtë nivel financimi, në raport thuhej se shteti nuk ofron asistencë të mjaftueshme për fermerët, për të përballuar konkurrencën në treg, për të parandaluar shpopullimin rural, apo për të rritur produktivitetin. Si i tillë, vendi duhet të rrisë urgjentisht financimin e drejtpërdrejtë dhe të përmirësojë funksionimin e institucioneve, në mënyrë që fondet të absorbohen siç duhet.

Për të përmbushur kriteret e BE-së, Shqipëria duhet të ndajë ekuivalentin me një të tretën e asaj që pret në financimin e BE-së.

Prandaj, Shqipëria duhet të pesëfishojë alokimin e saj për bujqësinë. Puna në bujqësi është e vështirë, por në Shqipëri është edhe stresuese. Fermerët shqiptarë janë të ekspozuar nga ndryshimi i klimës, mungesa e ekspertizës, laboratorëve, certifikimeve etj.

Punojnë pa kontrata, pa mbështetje financiare dhe për të gjitha këto arsye, “biznesi” i tyre shpesh është në fije të perit. /Monitor

 

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.