Fjalimi/ Berisha në Strasburg: Shqipëria përballë një kërcënimi ekzistencial, nevojitet një qëndrim ndërkombëtar ndaj narkoshtetit

Fjalimi/ Berisha në Strasburg: Shqipëria përballë një kërcënimi ekzistencial, nevojitet një qëndrim ndërkombëtar ndaj narkoshtetit

Kryetari i PD, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në Këshillin e Evropës ngriti alarmin për përmasat e emigracionit dhe pasojat që, sipas tij, po sjell shpopullimi për të ardhmen e vendit.

Berisha e lidhi largimin e shqiptarëve me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si një ‘narko-shtet’ dhe duke kërkuar një qëndrim ndërkombëtar ndaj qeverisjes shqiptare.

Duke iu referuar shifrave të Eurostat-it dhe një studimi mbi emigracionin, Berisha tha se përmasat e largimit të shqiptarëve nga vendi përbëjnë një ‘kërcënim real ekzistencial’ për kombin, ndërsa kërkoi ndërhyrje dhe vëmendje më të madhe ndërkombëtare ndaj situatës në Shqipëri.

Berisha: Asnjë komb nuk mund dhe nuk duhet të jetë më krenar për diasporën e tij sesa kombi shqiptar. Diasporës i detyrohemi pothuajse mbijetesën tonë, liritë tona, si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën tonë.

Por sot, për fat të keq, më duhet t’ju paraqes një tablo të tmerrshme, një efekt shkatërrues të emigracionit në vendin tim.

Justin Gast, në një studim të kryer në 149 vende, ka arritur në përfundimin se emigracioni mund të shkaktojë një “rrjedhje demografike” dhe të ketë pasoja shumë të rënda.

Në Shqipëri, kjo e ka vendosur kombin përballë një kërcënimi real ekzistencial. Aktualisht, në hapësirën e Bashkimit Evropian, sipas Eurostat-it, nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e BE-së. Imagjinoni se në çfarë gjendjeje ndodhemi.

Kjo është tërësisht pasojë e narkoshtetit shqiptar, i cili është narkoshteti i vetëm në botë, por fatkeqësisht ende i panjohur dhe i pavlerësuar si i tillë nga Evropa.

Shqipëria është eksportuesja e parë e kanabisit, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës në Evropë.

Për ta përmbyllur, është jetike një qëndrim ndërkombëtar ndaj këtij narkoshteti, për të shpëtuar kombin.

Faleminderit shumë!

Share it :