Violeta Murati
Psikoza mbi festivalin e fundvitit, që tradicionalisht organizohet nga TVSH, nuk e ka ndryshuar asnjë qime floku kallpin socrealist që trashëguam. E konsideruar festa e këngës tradicionale shqiptare, muzika po bëhet atipike në një terren tallava të tregut. Dëshmia se një festival i organizuar nga një institucion publik, është një shenjë orientimi drejt trendeve të reja muzikore po bën të kundërtën. Për tre netë në TVSH bënë pasarelë ca këngëtarë të mbushur me iluzione mbi të kënduarin. Mos të përfshih dhe të marrësh nëpër gojë numrin e vogël, mjaft të rrudhur në krahasim me vite të tjera, tetë këngë gjithsej mbrëmjen e tretë! Organizatorët propaganduan në heshtje të kësaj një skemë të re të festivalit, e konvertuar kjo tani pas përfundimit me një dështim total të një prej aktiviteteve më të mëdha muzikore që gllabëron prej vitesh taksën publike, që shpesh akuzuar dhe për shpërdorime. Referuar vetëm natës së tretë, si nata “e yjeve”, mbrëmja që do tërhiqte më shumë vëmendjen për nga përzgjedhja finale e këngëve, parashikimi me realitetin mbeten si gjithnjë zhgënjyese si për fituesit dhe radhën e pritshmërisë. Jo për të qenë fitues, se sa ankthi i vizitës shqiptare në festivalin evropian të këngës, dhe ky rënë mjaft nga fama e dikurshme. Shndërruar në një makth konkurrimi, deri dje, duket qartë se në këto vite po bëhet dhe një trend tregu për klanet, miqësitë, partitë, politikën. Ky edicion i festivalit të RTSH-së e dha dukshëm këtë kthesë politike, dhe arbitraritetin e çmimit të parë. U pa qartë transfera e “artistëve” nga një kanal privat televiziv, i një krahu dukshëm të majtë, në televizion publik tashi me pushtet tjetër. Me të drejtë teksti naiv, aspak poezi, e këngës fituese “Zemërimi i një natë” e kishte sipas festes kuptimin: “le të dalë ku të dalë”! Morën si referencë këtë tekst meqë do të na përfaqësojë në Eurosong, totalisht i mbytur me arkaikën e teksteve socrealiste, mos më keq. Nëse do kishte ironi për të, duhet një ligj për t’i ndaluar vargje të tilla si toksikim estetik të muzikës. Por dhe kjo e fundit, ndonëse e prodhuar nga Genti Lako, vëllai i një prej anatarëve të jurisë, pra i Bojken Lakos, mbetet në nivele foshnjore të kompozimit. Ia vlen të injorohen të gjitha këngët, po ashtu dhe tekstet. Më mirë të pushojë për ca vite Festivali i RTSH-së. Se sa t’i jepet publikut tetë këngë, minorene, për nga prurjet, tregu, gjithë tallavaja jonë muzikore! Personalitetet e muzikës që e ndjekin festivalit prej vitesh, pra stafi organizator kanë arsye të marrin një kazëm e t’i vënë vetë kufinjtë e muzikës që ngjisin në skenë. Nëse bataku fsheh justifikimin e mungesës së parave për këtë organizim, atëhere “dëshpërimi” i të rinjve por dhe atyre që kërkojnë të mbijetojnë me emrin e tyre në gjithë këto vite do i ngjante një uragani shkatërrues. Ka plot histori që dëshmojnë revolucionet kulturore, dhe nuk do ishte keq t’i referoheshin më të keqes atij kinez, si ky festival. Për ta pëcjellë fjalën e fundit, kalimi më i shpejtë do t’i takonte jurisë, si guri që vendos veton. Edhe nga këta personalitete, asnjë nuk bie poshtë. Por, diferenca, lëvizjet në pikë, kontrasti dhe paradokset e vlerësimit i tejkalojnë çdo ironi tjetër të vetë festivalit. Është krejt e pamundur t’i quash më profesionistë, kur vëllai vlerëson vëllain, kur miku vlerëson mikun, dhe kalon në shembjen e këtij sistemi kur një profesionist hedh poshtë skemën, duke vlerësuar si në rastin e Eriona Rushitit, me 12 pikë (maksimalen) këngën e grupit “Na”- objektiv vlerësimi nisur nga premisat profesionale të trendit muzikor! E kundërta ishte kënga e Genti Lakos, “Zemërimi i një nate”, me tekstin socrealist të Jorgo Papingjit…se kush e ka kënduar s’ka më rëndësi. E reja, Hersi Matmuja do të jetë në Eurovizion, zyrtarisht si përfaqësuese e Shqipërisë, në një nga festivalet më të turpshme në historinë e muzikës.




