Fasonet: Po na mashtrojnë, TVSH ende nuk rimbursohet…

Ervin Kaduku

fason –  Probleme ka me rimbursimin e TVSH-së “së re”, pra të krijuar në vitin 2014, për të cilat më shumë se 70% e subjekteve të pyetura pretendojnë se nuk respektohen afatet ligjore, nuk respektohet klauzola “rimbursim i menjëhershëm sapo plotësohet shuma 400 mijë lekë” dhe pas dorëzimit të kërkesës ka presion që vjen nga administratorët tatimorë dhe që lidhet me vlerësimin tatimor

–  Vetëm 12% e bizneseve fason deklarojnë se kanë pasur përfitim nga skemat e reja

–  Vetëm 5% e fasoneve kanë pasur mundësi të vizitojnë sportelin e hapur për ta

 Ndryshe nga sa pretendohet nga autoritetet qeveritare, bizneset ankohen për problem të vazhdueshme me rimbursimin e premtuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, edhe pse shteti u zhyt në borxhe të mëdha pikërisht me justifikimin se paratë duheshin për të shlyer detyrime të vjetra. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve njoftoi se ka realizuar një pyetësor për subjektet anëtare mbi realizimin e paketës së politikave mbështetëse të sektorit të rregjimit të përpunimit aktiv dhe atë të eksportit të veshjeve dhe këpucëve. Nga anketimi ka rezultuar se:

a) Ecuria e eksporteve për periudhën janar-qershor është e konsiderueshme. Rreth 90% e subjekteve të pyetura pohojnë se kanë rritur eksportet, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kanë shënuar rënie të eksporteve vetëm disa kompani që punojnë me nënkontraktorë si në Berat etj.

b) Lidhur me punësimin, të gjitha kompanitë e pyetura kanë raportuar rritje të punësimit nga 10-50% më shumë se sa numri i të punësuarve në vitin 2013. Rritjen më të lartë të të punësuarve të rinj e kanë shënuar kompanitë që punojnë në sektorin e eksporteve, sidomos atë të veshjeve të poshtme (këpucë). Kompanitë “Albaco Shoes”, “Endi shpk”, “Berat Konfex”, Eri@O etj. kanë numrin më të madh të të punësuarve, krahasuar me fundvitin e kaluar.

c) Por, megjithëse në kushte të tilla, lidhur me problemin e rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) vijojnë ende problemet me TVSH e viteve të shkuara, ku një numër i madh i kompanive vlerësojnë se nuk janë rimbursuar. Probleme ka me rimbursimin e TVSH “së re”, pra të krijuar në vitin 2014, për të cilat më shumë se 70% e subjekteve të pyetura pretendojnë se nuk respektohen afatet ligjore, nuk respektohet klauzola “rimbursim i menjëhershëm sapo plotësohet shuma 400 mijë lekë” dhe pas dorëzimit të kërkesës ka presion që vjen nga administratorët tatimore dhe që lidhet me vlerësimin tatimor. Rreth 14% e kompanive të pyetura pranojnë se nuk kanë aplikuar për të rimbursuar shumat ligjore të vitit 2014. 16% e kompanive janë të kënaqura me rimbursimin ligjor të TVSH, qoftë të prapambetur, po ashtu edhe të TVSH së krijuar rishtas.

d) Lidhur me shifrat e importit të makinerive e pajisjeve, më shumë se 50% e kompanive të pyetura kanë deklaruar se kanë rritur investimet e tyre në këto importe, por vetëm 9% kanë mundur të mos paguajnë TVSH e rimbursueshme në doganë. 91% e të pyeturve deklarojnë se kanë paguar 20% TVSH për të gjitha makineritë e pajisjet e importuara, edhe pse aktet ligjore për kategorinë e fasonistëve parashohin Zero TVSH për makineritë e listës.

e) Pyetjes: “Jeni në dijeni të lehtësive që parashikon paketa e politikave mbështetëse për sektorin e fasonit” i përgjigjen pozitivisht 76% e të pyeturve. Lidhur me nënpyetjen “a ka pasur ndonjë ndikim kjo paketë?”, 44% e të pyeturve i përgjigjen “Po”.

f) Lidhur me aplikimin e subjekteve të veshjeve dhe këpucëve në skemat e nxitjes së punësimit për të përfituar nga lehtësitë që ofron qeveria, 75% e të pyeturve thonë se kanë dëgjuar për këto skema, 50% deklarojnë se kanë aplikuar për të përfituar nga skemat, por vetëm 12% deklarojnë se kanë përfituar sipas aplikimit. Tregues më të lartë raportohen për skemat e trajnimit.

g) Pyetjes nëse keni kërkesa nga kontraktorë të huaj për të rritur investimet dhe lidhur kontrata të reja, i përgjigjet pozitivisht numri më i madhe i të pyeturve, rreth 95%. Nuk ka përgjigje lidhur me numrin e kontratave të lidhura dhe shifrën e afarizmit për vitin në vijim.

h) Subjektet e DHKPV janë pyetur edhe se si e vlerësojnë gjendjen e likuiditetit në kompani dhe a kryhen në kohë pagesat nga kontraktorët e huaj. Mbi 90% e kompanive deklarojnë se pagesat e vonuara përbëjnë ¾ e rasteve dhe vonesat në kohë luhaten nga 60-120 ditë nga përfundimi i porosisë dhe rieksporti. Më e theksuar është kjo në fushën e veshjeve konfeksione, më pak e theksuar në fushën e prodhimit dhe eksportit të këpucëve. Janë të favorizuara kompanitë shqiptare me pronarë të huaj rezidentë në Shqipëri. 43% e subjekteve raportojnë se nga mungesa e likuiditetit të kontraktuar, kanë pasur vështirësi në pagesat korrente.

i) Pyetjes: “Keni nevojë për kredi? Si e siguroni atë? Ç’mendim keni për bankat tregtare?”, 25% i përgjigjen se nuk kanë nevojë për kredi, 30% se janë të shqetësuar nga një sërë procedurash dhe dokumentesh që kërkojnë bankat. Vetëm 10% e sigurojnë kredinë nëpërmjet kolateraleve, por 56% janë të shqetësuar nga normat e larta të interesit të kredive.

j) DHKPV ka pyetur edhe lidhur me “Sportelin e fasoneve” që është hapur si një “One stop Shop” për t’iu ardhur në ndihmë këtyre subjekteve. Vetem 30% kanë informacion. Vetëm 5% kanë pasur mundësinë ta vizitojnë.

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve deklaroi se do të vazhdojë monitorimin e paketës së politikave mbështetëse të fasoneve dhe eksportuesve, ndërkohë që i ka bërë thirrje autoriteteve të mos vonojnë miratimin e plotë të kësaj pakete, e cila për periudhën është realizuar vetëm në 1/3 e saj. Mbetet konstante kërkesa për më shumë transparencë, sidomos nga ministritë që janë pjesë e Komisionit të Posaçëm, theksojnë ata.

 

 Shtohet kërkesa për borxh të brendshëm

Nuk ka të ndalur uria e qeverisë për të marrë borxh këtë verë. Pas ankandit të para dy ditëve, ku Banka e Shqipërisë arriti të shiste për llogari të Ministrisë së Financave vetëm gjysmën e shumës së kërkuar (2.25 miliardë lekë, nga 5.5 miliardë që synohej), banka qendrore ka njoftuar për një tjetër ankand që do të zhvillohet në 23 korrik.

Duke i mbetur strategjisë së saj për rritjen e maturitetit të borxhit, financat këtë herë do nxjerrin në shitje obligacione me afat maturimi 10-vjeçar, një produkt relativisht i ri ky, pasi është vetë ankandi i katërt që po zhvillohet me këtë maturitet afatgjatë. Në shitje do të dalin 2.5 miliardë lekë obligacion fikse, me kupon indikativ (interes vjetor fitimi) 9.34% dhe 2.5 miliardë lekë obligacione variabël.

Më parë, Financat kishin njoftuar se do të zhvillohet në 22 korrik edhe një ankand tjetër për letrat në vlerë të qeverisë, këtë herë në euro me afat 1 vjeçar, ku do të tentohet të grumbullohen 15 milionë euro.

 

 Eurozona, problem me krizën edhe dy vjet të tjerë

Gjatë dy viteve të ardhshme ka shumë pak mundësi që Eurozonë të arrijë rritje të kënaqshme ekonomike, pasi inflacioni i ulët dhe papunësia e lartë po e pengojnë stabilizimin e ekonomisë së bllokut. Perspektiva e deflacionit në Eurozonë ka qenë një ndër rreziqet kryesore të rimëkëmbjes së ekonomisë globale. Këto janë rezultatet e një sondazhi të realizuar nga “Reuters”. Me masat e shtrëngimit fiskal, papunësinë e lartë, pritshmëritë për prodhim industrial të dobët dhe kërkesën konsumatore në rënie, projeksionet për rritjen ekonomike po rishikohen në rënie, ndërsa në anën tjetër pritet inflacion i ulët.

Një euro e fortë, që pritet të ruajë nivelet aktuale edhe për pjesën e mbetur të vitit, i bën eksportet e bllokut relativisht të shtrenjta. Gjatë vitit të kaluar, eurozona ra me 0.4%, ndërsa gjatë 2014, 2015 dhe 2016 parashikohet një rritje mesatare prej 1%. Kjo është rreth 1/3 e normës së rritjes në Britaninë e Madhe dhe SHBA, që parashikohet të jetë në 1.7%. Deri në fund të këtij viti, eurozona parashikohet në rritet me 0.4% në çdo tremujor.

Për sa u përket politikave monetare të bankave qendrore, Rezerva Federale dhe Banka e Anglisë parashikohet të rrisin normën bazë të interesit në gjysmën e parë të vitit 2015 për shkak se ekonomia dhe inflacioni po rriten. Në kontrast, Banka Qendrore Evropiane, njoftoi disa masa ekstreme muajin e kaluar për të ndihmuar në rritjen e inflacionit. Këto masa përfshijnë uljen e normës bazë të interesit në një nivel të ri rekord dhe uljen e interesit të depozitave në territor negativ për të stimuluar kreditimin.

Share it :