Në një mbrëmje mjaft emocionuese portugezi arriti që të fitonte në garën për Topin e Artë kundrejt dy rivalëve Mesi dhe Riberi
Galaktiku, gjatë marrjes së çmimit, nuk arriti që të përmbante lotët, teksa u ndie tej mase i vlerësuar, duke marrë për të dytën herë Topin e Artë në shtëpi
Jurges Veizaj
Një mbrëmje emocionuese, që në fund u finalizua me një mbret. E tillë mund të quhej mbrëmja e djeshme e mbajtur në Zyrih për Topin e Artë. Një mbrëmje që kishte brenda dramë dhe emocione. Ndryshe nga çdo vit tjetër, kishte më shumë rivalitet. Kjo, pasi përballë gjendeshin tre lojtarët më të mirë të momentit. Mesi, Ronaldo dhe Riberi garonin përballë njëri-tjetrit për trofeun individual, atë të lojtarit më të mirë. Një trofe që këtë radhë u parapri nga një luftë e ftohtë në mjedise sportive. Kjo, pasi të tre lojtarët kishin bërë mjaft për ta merituar. Francezi Frank Riberi bëri një sezon të mrekullueshëm me Bajernin, duke arritur që të rrëmbente tre tituj me klubin dhe duke u shpallur edhe lojtari më i mirë evropian. Ndërsa Mesi me Barcelonën arriti që të fitonte dy trofe, duke i shtuar edhe plusin që “Pleshti” ka katër vite rresht që është kampion absolut i trofeut, duke krijuar një hegjemoni. Ndërsa në krahun tjetër, qëndronte Kristiano Ronaldo, i cili edhe pse nuk fitoi asnjë trofe me Realin në vitin 2013, arriti që të bënte një udhëtim spektakolar, duke mrekulluar të gjithë me forcën dhe golat e shënuar. Kështu, mbrëmja e Zyriut nuk ishte e lehtë për t’u parashikuar. Mirëpo përpara marrjes së çmimit që kurorëzonte mbrëmjen kishte edhe disa vlerësime shumë të rëndësishme, që vijnë përsëri si një vlerësim i bërë prej një viti të luajtur. Në fillim u dhanë çmimet për formacionin e vitit. FIFA dhe FIFPro kanë shpallur formacionin më të mirë të lojtarëve më të mirë në botë për vitin 2013. Si edhe në vitet e kaluara në këtë formacion dominon Barcelona me katër lojtarë, edhe pse u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Befasia më e madhe është mungesa e lojtarëve të Dortmundit, si Levandovski apo Gundogan, që i dhanë ekipit gjerman forcën për të shkuar drejt një triumfi historik. Në formacion u vu re edhe mungesa e Robenit që shpeshherë, krahas Riberisë, ka qenë i rëndësishëm në triumfin e bavarezëve. Nojeri zgjidhet portieri më i mirë, teksa Lam po ashtu e përfaqëson Bajernin në krahun e mbrojtjes. Reali i Madridit përfaqësohet nga dy lojtarë, Kristiano Ronaldo dhe Serxho Ramos, ndërsa nga Barcelona ishin Daniel Alvesh, Ksavi, Iniesta dhe Mesi. Nga PSG-ja do të ishte Zllatan Ibrahimoviç dhe Silva që do të plotësonin 11-shen e vitit.
Formacioni i vitit nga FIFA (4-3-3): Nojer, Alvesh, Silva, Ramos, Lam; RibErI, KSavi, Iniesta; Mesi, IbrahimoviÇ, Kristiano Ronaldo.
Hejnkesi shpallet trajneri më i mirë
Titull tjetër individual ishte edhe ai për trajnerin e vitit. Sigurisht që këtu lufta ishte më e vogël midis kundërshtarëve, pasi dihej se Hejnkesi bëri një vit të madh me Bajernin dhe praktikisht fitoi gjithçka, duke ua bërë të vështirë kandidatëve të tjerë. Ish-trajneri i Bajernit kështu u shpall më i miri i vitit. Strategu gjerman u tregua jashtëzakonisht i suksesshëm në drejtimin e bavarezëve, duke fituar gjithçka që mund të fitohej: Bundesligën, DFB Pokal dhe Ligën e Kampioneve. Ai kishte konkurrent trajnerin e Borusias së Dortmundit, Jurgen Klëp, i cili e kualifikoi BVB-në në finale të Ligës së Kampioneve dhe ishte rival i Bajernit në të gjitha garat. Menaxheri legjendar i Mançester Junajtidit, Sër Aleks Ferguson, ishte i nominuari i tretë për drejtimin e “djajve të kuq” drejt triumfit në Premier Ligë, para se të dilte në pension. Ndërkohë, për ekipet e femrave, çmimin për trajneren më të mirë e fitoi gjermania Silvia Neid.
Lot dhe falënderime gjatë marrjes së trofeut
Këmbë e fortë, por zemër e dobët. Këtë tregoi Kristiano Ronaldo kur u kurorëzua si futbollisti më i mirë i 2013-ës, pas votimit të gazetarëve, të trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve kombëtare. Ai u shpreh: “Nuk kam fjalë për të përshkruar këtë moment. Dua të falënderoj të gjithë shokët e mi tek Reali i Madridit, tek përfaqësuesja, familjen time këtu të pranishme. Është një nder i pakrahasueshëm. Falënderoj presidentin, shumë prej personave që më kanë ndihmuar që të mbërrij këtu, të fejuarën time, djalin tim dhe Eusebion që nuk jeton më, por që më ka frymëzuar që në hapat e mi të parë si futbollist. Është një moment shumë emocionues për mua, nuk mund të flas më shumë”, – e përfundoi portugezi deklaratën e tij.
Ibra vlerësohet me çmimin “Pushkash”
Në ceremoni u dha dhe çmimi “Pushkash”. Ky trofe i jepet lojtarit që ka shënuar golin më të bukur gjatë sezonit. Tri nominimet ishin Zllatan Ibrahimoviç (PSG) për golin me përfaqësuesen e Suedisë ndaj Anglisë; Nejmar për golin kundër Japonisë në Kupën e Konfederatave; Nemanja Matiç për golin kundër Portos. Sigurisht që këtë çmim e meritonte Zllatani, pasi ai ka qenë magjiku që na ka mahnitur me golat e shënuar këtë sezon. Gola këta që na kanë mahnitur me atë se çfarë mund të bëjë sulmuesi, duke pasur parasysh edhe gjatësinë që ka. Lojtari, pas marrjes së çmimit, deklaroi: “Jam shumë krenar që gjendem sonte këtu dhe i uroj të gjithë të nominuarit dhe fituesit e tjerë. Për trofeun e madh më vonë (Topin e Artë), le të fitojë më i miri”.
Pele nderohet me Topin e Artë Honorifik
Këtë vit, ndryshe nga të tjerët, u dha edhe një Top i Artë që nderonte një lojtar legjendë për arritjet e tij. Duket se ky trofe nisi me atë që quhet legjenda më e madhe e futbollit. Pele ishte ai që e mori këtë titull, që duket se i dha një vlerësim brazilianit për arritjet e shënuara në kohën e tij. Sulmuesi mit i Seleçaos u shpreh pas marrjes së trofeut duke thënë: “FIFA ka vendosur të më nderojë me një Top të Artë Nderi. Duke qenë se jam i vetmi futbollist që ka fituar 3 Kupa Bote, mendoj se duhet të më japin edhe 3 të tjerë që të më kompensojnë siç duhet”. Legjenda braziliane u përlot gjatë fjalimit, duke shprehur emocionin e madh për marrjen e titullit.
Topi i Artë, një sfilatë mode
Pavarësisht se është një mbrëmje futbolli, tashmë kjo mbrëmje gala është kthyer në një mbrëmje mode. Duke filluar që nga Kristiano Ronaldo, i cili njihet me elegancën e tij, duke vazhduar me madrilenin tjetër, Ramos, që kishin zgjedhur kostume slim. Për të vazhduar më pas me katërshen e Barcelonës: Ksavi, Alvesh, Mesi dhe Nejmar, që surprizuan me modele të ndryshme kostumesh, sa të veçanta aq edhe shik. Ndërkohë, nuk kaloi pa rënë në sy edhe Irina Shajak, e fejuara e Ronaldos, dhe gruaja e Mesit, Antonela, që gjithashtu u prezantuan elegante në tapetin e kuq.




