Të rrethuar nga forca të shumta sigurie ekipi serb është shoqëruar drejt hotelit ku do të akomodohen para sfidës në Elbasan
Tekniku Italian është shprehur se është një sfidë si të gjithë të tjerat, dhe duhet luajtur me shumë zgjuarsi në mënyrë që të dalim të fituar
Jurges Veizaj
Momenti historik po afron, Shqipëri-Serbi vjen si ndeshja e ndeshjeve mbi të gjitha sepse është shansi i madh i Kombëtares shqiptare për tu kualifikuar apo hedhur një hap vendimtar drejt kualifikimit në Euro 2016. Dje ka ardhur dhe skuadra mike që u akomodua në hotel pa asnjë incident. Kombëtarja serbe mbërriti në orën 18:00 të kësaj të mërkure nën masa të rrepta sigurie në aeroportin e Rinasit. Me qindra forca policore kishin rrethuar aeroportin shqiptar për ardhjen e përfaqësuses së Serbisë, e cila ashtu si Portugalia doli nga Porta VIP, me delegacionin kundërshtar që u akomodua menjëherë në dy autobusët që ishin vënë ne dispozicion të tyre që në pistën e Rinasit. Në njërin prej autobusëve qëndronte kombëtarja serbe, ndërsa në tjetrin qëndronte grupi i gazetarëve dhe studentëve që i shoqëronte për ndeshjen e ditës së Enjte kundër Shqipërisë, e cila do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. Kombëtarja e Serbisë u shoqërua nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, nga Grupi Shqiponjat dhe nga Policia Rrugore. Ndërkohë e gjithë rruga që përshkroi kombëtarja serbe deri në Hotel “Sheraton” ishte e rrethuar me forca të shumta policie. Kombëtarja serbe nuk do të zhvillojë asnjë seancë stërvitore në Shqipëri, ndërkohë që stërvitjen e fundit ata e zhvilluan në Beograd përpara nisjes për në Tiranë.
De Biasi: Fitojmë me zgjuarsi
Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi kërkon të shmangë tensionin e tepërt para sfidës vendimtare me Serbinë, që mund ta kualifikojë Shqipërinë në Europianin e Francë 2016. 58-vjecari duke iu referuar edhe ngjarjeve të Beogradit, kujton se bëhet fjalë thjesht për një ndeshje futbolli, ku duhet respektuar kundërshtari. “Kjo për mua është vetëm një ndeshje futbolli, një ndeshje që mund të na çojë drejt një objektivi shumë të rëndësishëm. Ne luajmë gjithmonë për t’i fituar ndeshjet, duke respektuar kundërshtarët. Kjo nuk do të thotë se jemi mendjemëdhenj, por që e respektojmë kundërshtarin dhe e dimë qëllimin tonë.” De Biasi e pranon se një sfidë e tillë është shumë e thjeshtë për t’u përgatitur në aspektin e motivimit, por nga ana tjetër kërkon edhe shumë zgjuarsi. “Kjo është ndeshja më e thjeshtë për t’u përgatitur pasi motivimin e ka brenda. E rëndësishme për mua është që ato energji që janë akumuluar të shkojnë në drejtimin e duhur. Nuk duhet të jemi të tendosur, sepse është thjesht një ndeshje futbolli, do të luajmë si zakonisht, me pasime të shkurta, me zgjuarsi dhe të shfrytëzojmë ato raste që na paraqiten.” Për De Biasin, arma më e fortë e kuqezinjve është forca e grupit, pasi edhe ata që janë në stolin e rezervave, po japin kontribut të madh për arritjen e objektivit. “Lojtarët që kemi grumbulluar janë ata që besojmë se mund të japin një kontribut të rëndësishëm për ekipin. Forca e grupit tonë janë dhe ata lojtarë që nuk luajnë.” Në fund gjithë ngarkesat emocionale do t’ja lënë vendin pikërisht atij, verdiktit më të rëndësishëm për futbollin shqiptar dhe në këtë aspekt janë të paevitueshme llogaritë e pikëve. Shqipëria momentalisht ndodhet në vendin e tretë të grupit I, me 11 pikë, 1 më pak se rivalët e drejtëpërdrejtë për vendin e dytë, Danimarka dhe 4 më pak se Portugalia kryesuese. Në këtë aspekt vendimtare për shanset e kuqezinjve për tu kualifikuar do të jetë edhe ndeshja e 8 tetorit në Braga mes Portugalisë dhe Danimarkës. Nëse skuadra e Olsen nuk fiton në ndeshjen e saj të fundit të kualifikuese dhe kjo kombinohet me suksesin e shumdëshiruar të Shqipërisë në Elbasan Arena, atëherë mbrëmja e 8 tetorit do të jetë ajo e festës së madhe pasi Shqipëria siguron automatikisht vendin e dytë në grup. E rëndësishme do të jetë që Danimarka të mos fitojë, pasi kjo do ti lejonte Shqipërisë që të shpresojë kualifikimin nga dera e madhe në Europian edhe në ndeshjen e fundit, të dielën e ardhshme në Yerevan me Armeninë ku në këtë rast do ti duhej me cdo kusht fitorja për të siguruar vendin e dytë. Shqipëria ruan këtë opsion për në Yerevan edhe nëse arrin në 8 tetor të njëjtin rezultat me danezët. Skenari më i keq, më mirë të mos thuhet qoftë edhe për supersticion, kombinimet matematikore janë disa por e sigurt është dicka, Shqipëria ndryshe nga Danimarka është vetë zonjë e fatit të saj, dhe ka në dorë për të hedhur cdo skenar negativ. në rast të dy fitoreve rradhazi kuqezi në dy ndeshjet e fundit të Kombëtares, atëherë nuk ka opsion që shpëton rivalët.




