Florenc Drizari
Mesazhi i Ettore Sequi-t: Votoni, nëse doni që zëri juaj të dëgjohet
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, lëshoi mesazhe të forta drejtuar klasës politike shqiptare për respektimin e standardeve në zgjedhje. Kur mbeten edhe dy ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ambasadori Sequi u bëri thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e këtij procesi duke rritur pjesëmarrjen në zgjedhje. Ettore Sequi nënvizoi se këto zgjedhje përbëjnë një test kyç për institucionet demokratike të Shqipërisë dhe për progresin e Shqipërisë drejt BE-së. Në një intervistë për “Deutsche Welle”, ambasadori Sequi tha se BE pret që gjithë aktorët politikë dhe mbështetësit e tyre të sigurojnë zhvillimin paqësor të zgjedhjeve.
“Besojmë se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri përbëjnë një test kyç për institucionet demokratike të Shqipërisë dhe natyrisht për progresin e Shqipërisë drejt BE-së. Ne po vazhdojmë të monitorojmë nga shumë afër përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të së dielës ashtu si do të monitorojmë situatën post- zgjedhore. Presim që zgjedhjet të kryhen sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Dëshirojmë që t’u drejtojmë një mesazh votuesve të Shqipërisë: Votoni, nëse doni që zëri juaj të dëgjohet. Në fund të fundit, demokracia është pjesëmarrje. Zgjedhjet janë një mënyrë e drejtpërdrejtë për të siguruar pikërisht këtë: demokracinë. Këto janë mesazhet e BE-së së bashku me partnerët e tij ndërkombëtarë”, – tha Sequi.
PËR KQZ-NË
Ambasadori i BE-së komentoi edhe situatën në të cilën ndodhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke vënë theksin tek plotësimi i kuorumit me tri anëtarët e larguar të opozitës. Sipas tij, klasa politike shqiptare është ende në kohë për të plotësuar vendet e mbetura bosh në KQZ dhe kjo është një pikë e rëndësishme për procesin zgjedhor, pasi sipas tij, aktualisht komisioni ndodhet në pamundësi për të marrë vendime me shumicë të cilësuar.
“Nuk është kurrë vonë që KQZ të funksionojë i kompletuar, me gjithë anëtarët e tij dhe besoj se kjo çështje duhet zgjidhur pikërisht për të siguruar më tepër besim tek procesi. Ndërkohë duhet të pranojmë që situata aktuale përmban në vetvete disa sfida lidhur me vendimet që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Plotësimi i KQZ-së me të gjithë anëtarët e saj është në mënyrë shumë të qartë thelbësor përkundrejt besimit dhe mirëbesimit të votuesve ndaj institucioneve zgjedhore. Gjithsesi, përsëris: nuk është kurrë vonë të zgjidhet ky problem”, – deklaroi Sequi.
Gjatë intervistës së tij, ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, përmendi disa nga pikat kyçe të cilat duhen të përmbushen në këtë proces elektoral, si teste të rëndësishme që Shqipëria të ecë përpara në integrimin në Bashkimin Evropian.
“Ashtu si deklaroi para disa ditësh zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, – deklaratë me të cilën jam plotësisht dakord- se “mënyra si partitë politike po zhvillojnë fushatën elektorale, si KQZ menaxhon dhe administron procesin, si do të regjistrohen votat, si do të të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe ankesat, si do te bëhet numërimi, si partitë politike dhe publiku do të presin rezultatin final – të gjitha këto do të dërgojnë një mesazh shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë, unë do të thoja për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Jam shumë i sigurt se të gjithë e dinë, e kuptojnë këtë”, – tha ai. Ettore Sequi tha se përfaqësues të BE-së në Shqipër po monitorojnë nga afër procesin zgjedhor, përgatitjet për ditën e votimit.
PPE: Mbështesim Berishën në zgjedhje, shqiptarët do rinovojnë besimin te PD-ja
Partitë Popullore Evropiane dhe presidenti Wilfried Martens gjatë një deklarate kënaqur që Shqipëria ka pasur një qeveri të qëndrueshme dhe të kujdesshme, e cila ka marrë vendimet e duhura në këtë situatë të vështirë ekonomike dhe financiare në të cilën ndodhet Evropa.
Në deklaratën e PPE-së thuhet se vlerësohet puna e bërë nga qeveria shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendit ndërsa një mbështetje vjen edhe për Kryeministrin Berisha në zgjedhjet e 23 qershorit.
“S’është nevoja të thuhet, PPE mbështet plotësisht Kryeministrin Sali Berisha dhe ne jemi të sigurt se shqiptarët do të rinovojë besimin e tyre tek PD-ja në zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi të bindur se zgjedhjet e 23 qershorit do të shënojë një hap vendimtar përpara për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE”, – thuhet në deklaratën e PPE-së.
Sipas PPE-së, nën udhëheqjen e Sali Berishës, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe ka bërë përparime të rëndësishme drejt integrimit evropian dhe është bërë një partner i besueshëm.
“Qeveria shqiptare dhe Partia Demokratike e Shqipërisë ka treguar vullnet të fortë politik dhe ka pasur sukses në kryerjen e reformave impresionuese, ndërsa në të njëjtën kohë ka ruajtur rritjen pozitive ekonomike dhe forcimin e ekonomisë së vendit. Në fakt, nën qeverisjen e tanishme, Shqipëria është bërë një shembull në rajon për trajtimin e krizës ekonomike”, – thekson PPE-ja.
Gjithashtu, PPE uron Kryeministrin Berisha për punën e tij të shkëlqyer dhe vendosmërinë e tij që Shqipëria të ecë përpara në procesin e integrimit në BE. “Për shembull, ne kemi qenë veçanërisht të kënaqur kur të tre ligjet e rëndësishme që kërkohen nga Komisioni Evropian më në fund u miratuan nga Parlamenti Shqiptar, pas një vonese të gjatë prej më shumë se 230 ditë për shkak të bllokimit të Partisë Socialiste e cila kërkon ta mbaj vendin të mbërthyer tek e kaluara”, – thuhet në deklaratën e PPE-së.
Zgjedhjet e 23 qershorit, kongresmeni amerikan: Sfidë dhe mundësi e re për Shqipërinë
Kongresmeni amerikan Gary Peterss, i cili është edhe bashkëkryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, deklaroi se zgjedhje të lira dhe të ndershme do të jenë një mundësi për Shqipërinë për të treguar maturinë dhe gatishmërinë për tu integruar në Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Sipas tij, shqiptarët duhet me qetësi dhe maturi të dalin në votime dhe të kalojnë një sprovë të rëndësishme për të ardhmen.
“Unë kam shpresë të madhe se këta udhëheqës do të vijojnë me angazhimin e tyre në dobi të të gjithë shqiptarëve si dhe të marrëdhënieve Amerikë – Shqipëri. Shqiptarët me të vërtetë e kuptojnë rëndësinë e përfshirjes në zgjedhje demokratike”, theksoi kongresmeni Peters në një intervistë për agjencinë “Ina” në Maqedoni.
“Zgjedhjet e së dielës përfaqësojnë një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Është, shumë – shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të bëhen pa kundërshtime ose parregullsi, pasi Shqipëria kërkon të vazhdojë rrugën e integrimit drejt Evropës. Kur u takova me deputetët e Parlamentit, gjatë vizitës time në Tiranë, unë dëgjova me veshët e mi angazhimin e tyre ndaj praktikave demokratike transparente. Unë kam shpresë të madhe se këta udhëheqës do të vijojnë me angazhimin e tyre në dobi të të gjithë shqiptarëve si dhe të marrëdhënieve Amerikë – Shqipëri. Shqiptarët me të vërtetë e kuptojnë rëndësinë e përfshirjes në zgjedhje demokratike”, – deklaron kongresmeni amerikan. Më tej, ai vëren se është i shqetësuar për kundërshtitë që janë krijuar në lidhje me situatën në KQZ, por ende shpreson se situata do të zgjidhet me sukses.




