Escobar takohet me Bujar Osmanin: Ju mbështesim në rrugën tuaj evropiane!

 Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se SHBA-të janë duke punuar me BE-në që RMV të integrohet sa më shpejtë. Ai ka thënë se administrata e tyre jep mbështetje të fortë, ndërsa ka theksuar se praktikisht RMV është pjesë e BE-së.

“Administrata jonë jep mbështetje të fortë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, dhe jemi duke punuar me Bashkimin Evropian që kjo të bëhet sa më shpejtë”, u shpreh Escobar.

Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ky i fundit ka falënderuar ShBA-të për mbështetjen e dhënë ndaj Maqedonisë së Veriut duke potencuar se tani është momenti që Bashkimi Evropian të fillojë negociatat me vendin tonë.

“Jemi falënderues për mbështetjen e qartë dhe të zëshme të SHBA-ve dhe jemi të gëzuar që ky mesazh është pranuar nga shtetet e BE-së… Tani është momenti që BE të fillojë negociatat me ne që ne të mbetemi të përkushtuar për realizimin e reformave”, tha Osmani mes tjerash.

Share it :