Florenc Drizari
Ermir Gjinishi: S’kam refuzuar kurrë shtetin laik
Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi dje tri kandidaturat për ambasadorë të Republikës së Shqipërisë në Arabinë Saudite, Serbi dhe në Slloveni. Tri kandidaturat e propozuara nga Ministria e Jashtme prezantuan platformat e tyre në Komision, ndërkohë pritet votimi në seancë plenare. Tre kandidatët për ambasador janë: Pëllumb Qazimi në Republikën e Sllovenisë, Ermir Gjinishi në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe Ilir Boçka në Republikën e Serbisë.
Prezantimi i platformave të tyre në Komision hasi debate mes deputetëve. Anëtari i Komisionit të Jashtëm, deputeti socialist, Ben Blushi, kundërshtoi kandidaturën e Ermir Gjinishit për disa qëndrime publike të mbajtura nga ky i fundit lidhur me laicitetin.
Deputeti Blushi fillimisht përgëzoi Ministrinë e Jashtme për zgjedhjen e dy kandidatëve Qazimi dhe Boçka, ndërsa për kandidatin Gjinishi tha se nuk ka mundësi ta vlerësojë në performancën e tij në shërbimin diplomatik, pasi ai nuk e ka bërë ndonjëherë këtë punë.
Ben Blushi
“Çështja është që në disa raste, unë e kam ndjekur aktivitetin e tij publik. Ai ka mbajtur disa qëndrime që për hir të vërtetës kanë rënë ndesh me parimin e laicitetit të shtetit shqiptar. Shqipëria është shtet laik dhe kjo është e sanksionuar në Kushtetutë. Dhe pyetja ime është, sigurisht që mund të kemi mendime të ndryshme për laicitetin e Shqipërisë. Unë mendoj që Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë shtet laik, zoti Gjinishi ka pretenduar të kundërtën. Pyetja ime është që: A mendon Ministria e Jashtme që njerëz që vijnë me këto pikëpamje në shërbimin diplomatik, si nëpunës të shtetit e cenojnë misionin që ka marrë përsipër apo jo?! Pavarësisht se në çfarë shteti ata do ta ushtrojnë funksionin e tyre. Pra pyetja do të ishte: A mund të ishte zoti Gjinishi ambasador në Zvicër, Londër, në Kinë? Dhe refuzoj të them se çfarë mendoj vetë e kam vetëm si pyetje dhe shpresoj se zoti Gjinishi i ka korrektuar pikëpamjet e veta për shtetin shqiptar”, – deklaroi Blushi. Pas këtij qëndrimi të deputetit socialist, erdhi edhe përgjigjja e Gjinishit, i cili mohoi të ketë refuzuar shtetin laik.
Ermir Gjinishi
“Përveç angazhimeve të mia, gjithmonë kam qenë i predispozuar të ushtroj të gjitha të liritë dhe të drejtat e individit të garantuara në Kushtetutën e vendit tim dhe në konventat ndërkombëtare. Nuk e di se cilit rast i referoheni, unë nuk mbaj mënd ndonjëherë të kem refuzuar shtetin laik. Të gjitha debatet e mia kanë qenë për një periudhë, deri para 2009, kanë qenë të orientuara në hapësirat që krijon shteti laik, në ushtrimin dhe në të drejtat e njeriut. Në qoftë se mund dhe të ma kujtoni…? S’kam refuzuar kurrë shtetin laik”, – theksoi Gjinishi.
Nga ana e tij, ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, kërkoi nga qeveria të paraqesë platformën e saj për shërbimin diplomatik si dhe të mbështesë diplomatët, të cilët janë lënë në listë pritjeje.
Sipas Kushtetutës, ministri i Jashtëm i propozon Kryeministrit kandidatët për ambasadorë, të cilët më pas i paraqiten Presidentit për emërim. Kandidaturat, përpara se të propozohen te Presidenti, kalojnë në seancë dëgjimore në Komisionin e Jashtëm. Relacioni i Kuvendit i bashkëngjitet dosjes së secilit kandidat, që i dorëzohet Presidentit. Tre ambasadorët u shtohen dekretimeve të mëparshme të bëra më parë, që kur mazhoranca e re ka ardhur në pushtet. Fillimisht ishin dy ish-deputetët, demokrati Leonard Demi dhe socialisti Ilir Gjoni, që morën bekimin e Kryeministrit, ministrit të Jashtëm, Parlamentit dhe Presidentit për të përfaqësuar vendin tonë përkatësisht në përfaqësinë tonë në NATO në vend të Artur Kukos dhe në Zvicër në vend të Mehmet Elezit.
Berisha: Rama viziton HEC-in e Banjës, por nuk i kërkoi të falur kompanisë
Ish-kryeministri Sali Berisha kritikoi qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama të mbajtura ndaj kompanisë “Shtatkraft” për ndërtimin e një HEC-i në zonën e Banjës në Elbasan, në kaskadën e Devollit, duke thënë se ai nuk i kërkoi të falur kompanisë. Berisha tha se Rama nuk kërkoi të falur së paku kompanisë për faktin se vetë ai dhe partia e tij sulmuan me egërsi fillimet e punimeve nga kompania “Shtatkraft” në maj të 2013-ës.
“Piktori deshtak vizitoi punimet ne HEC-in e Banjes dhe iu tha shqiptareve se ketu punohet dhe krijohen qindra vende pune. Pra Rama foli per here te pare, qe kur erdhi ne pushtet, per vende te reja pune. E verteta eshte se Rama dje (pardje) vizitoi dhe u mburr me nje kantier te kompanise Shtatkraft, njeshi ne bote per ndertimin e hidrocentraleve qe nisi punimet me date 13 maj 2013, me HEC-in e Banjes per kaskaden e Devollit me nje investim prej 800 milione Euro. Piktori deshtak u kapardis por nuk kerkoi te falur se paku kompanise per faktin se vete ai dhe partia e tij sulmuan me egersi ate dite, inagurimin, “si fillimin e fillimit te fillimit” si “mashtrimin e rradhes”. Madje dje mendoi qe ta ri-inauguronte por vendoret e tij i thane se Berisha do qe te perserisesh historine e zyres rajonale te punes ne Tirane ndaj dhe hoqi dore. Ai u xhindos kur, para se te largohej, nje nga fanatiket e tij i tha “Edi te keqen, nuk na duhet, nuk na ndihmon trashigimia e Berishes neper kembe. Ne populli i majte duam veprat, veprat tuaja” dhe shperthyen duartrokitjet. Por Stillua, qe ishte i vetem aty pertej te majtes dhe te djathtes, psheretiu dhe me vete mermeriti “prit veshgjate te mbije bare”!!sb”, – ka shkruar Berisha në profilin e tij në internet, në “Facebook”.
Ndërkaq, Kryeministri Rama gjatë vizitës që pati dy ditë më parë në kaskadën e Devollit, siguroi mbështetje për çdo investim që krijon vende të reja pune.




