Emërimet në administratë/ Zbardhet kërkesa e ndryshuar e PD-së, Paloka: Ne i bëmë korrigjimet, mazhoranca refuzon hetimin

Gëzim Saliu

 paloka ke kryesia“Nuk kemi ndryshuar kohën e hetimit, mazhoranca s’mund të detyrojë objektin e hetimit dhe afatin e kërkesës së PD-së”

Në kohën kur sot do të merret vendimi në seancën parlamentare për kërkesën e PD-së për ngritjen e komisionit hetimor për emërimet në administratë, palët ende nuk kanë arritur konsensusin mes tyre për këtë çështje. Edhe pse u la një javë kohë nga kreu i Kuvendit, që mazhoranca dhe opozita të gjenin mundësinë e konsensusit për objektin e hetimit si edhe afatin e tij, opozita bën të ditur se nga ana e së majtës nuk ka pasur asnjë përpjekje të tillë. Por përpos këtij fakti, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, dorëzoi dje në Kuvend kërkesën e re me disa korrigjime në objektin e komisionit të kërkuar një javë më parë nga socialistët që kishin të bënin kryesisht me cenimin e prezumimit të pafajësisë për ata që akuzohen. “Praktikisht nuk kemi ndryshuar vetëm kohën e hetimit, pra atë që kërkonte mazhoranca ta ndryshonte, duke e shtyrë afatin e periudhës që do të hetohej që nga 2009-a. Këtu me siguri që nuk kemi toleruar pasi nuk ka asgjë antikushtetuese në afatin e kësaj periudhe. Që ne të pranojmë që mazhoranca të përcaktojë objektin e hetimit tone është absurde, është jashtë çdo logjike. Pastaj ngelet vetëm që mazhoranca të emërojë edhe opozitën, të përcaktojë edhe se kush duhet të jetë në opozitë”, – tha ai. Ndërkohë, heshtjen e mazhorancës me mungesën e negociatave të paralajmëruara në Kuvend një javë me parë PD e sheh si mungesë të vullnetit të qeverisë për të respektuar Kushtetutën dhe të drejtat e opozitës në Parlament. “Me sa duket, qëllimi i tyre nuk është aspak një përpjekje për të arritur një marrëveshje midis dy palëve. Qëllimi i tyre është që ta shtyjnë sa të mundin votimin për këtë komision hetimor, derisa sipas tyre, të merret statusi apo të kalojë afati kur të merret vendimi për marrjen e statusit, dhe pastaj të veprojnë me këtë komision siç kanë vepruar me të gjithë komisionet, pothuajse me të gjithë komisionet që ne kemi kërkuar. Po ta hedhin poshtë do ishte antikushtetuese dhe pa asnjë logjikë”, – theksoi Paloka.

 

Kërkesa e ndryshuar

Në kërkesën e dërguara dje në Kuvend nga kreu i grupit parlamentar të PD-së për hetimin janë bërë disa ndryshime në qëllimin dhe objektin e hetimit. “Ngritjen e komisionit hetimor me kërkesë të një grupi deputetësh për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë, pas datës 15 shtator 2013, në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore. Objekti i veprimtarisë së komisionit hetimor është verifikimi i të dhënave për fenomenin e emërimeve të kundërligjshme dhe politike në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore, pas datës 15 shtator 2013 deri në përfundimin e afatit të veprimtarisë së komisionit”, – thuhet në kërkesën e re. Në përbërje të komisionit përcaktohen 4 anëtarë nga opozita, ku njëri do mbajë postin e kryetarit e ndërsa mazhoranca do të ketë 5 anëtarë. Sa i përket afatit të përfundimit të hetimit në kërkesë bëhet e ditur se ai do ti mbyllë punimet 4 muaj nga konstituimi, ku pjesë e dytë pas mbylljes së sesionit të parë të punimeve të Kuvendit në fund të muajit korrik do të rifillojë në sesionin e dytë në të hënën e parë të muajit shtator.

 

Kërkesa e PD-së/ Ja 4 arsyet që hedhin poshtë pretendimet e mazhorancës për hetimin për administratën

1. Objekti i hetimit përcaktohet nga kërkuesi dhe nuk mund të imponohet nga mazhoranca parlamentare. Gjykata Kushtetuese lidhur me të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor, ka arritur në konkluzionin se kjo e drejtë është një kompetencë kushtetuese e detyrueshme për t’u respektuar dhe që nuk mund të cenohet nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare, me përjashtim të rasteve të mosrespektimit të parimeve kushtetuese.

2. Hetimi parlamentar është e drejtë e pakicave parlamentare, të cilat e ushtrojnë për të kontrolluar qeverinë. Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane, është shprehur: “Në një regjim parlamentar nuk është shumica ajo që vëzhgon qeverisjen, por kjo konsiderohet tashmë si detyrë e opozitës. Prandaj kjo e drejtë e pakicës për të ngritur komisione hetimore, e garantuar me Kushtetutë, duhet të mbetet gjithmonë e paprekur. Me parashikimin e të drejtës për të ngritur komision hetimor nuk është garantuar tërësisht e drejta e kontrollit të pakicës.

3. Ligjshmëria e emërimeve gjatë periudhës shtator 2009 – shtator 2013 mund të hetohej me kërkesë të opozitës së djeshme dhe mazhorancës së sotme, gjatë viteve 2009-2013. Një e drejtë e tillë për kontroll parlamentar nuk është ushtruar, duke faktuar në këtë mënyrë mungesën e fakteve për shkelje të ligjit gjatë asaj periudhe.

4. Kërkesa për shtrirjen e periudhës së hetimit që nga shtatori 2009, pa evidentuar asnjë fakt apo indicie për paligjshmëri, bie ndesh edhe me një nga kriteret kushtetuese për ngritjen e Komisioneve Hetimor të përcaktuara në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme që dëshmojnë për ekzistencën e një çështje, për të cilën është i nevojshëm hetimi.

 

PD nis të premten zgjedhjet në degët e mëdha, koordinatorët e Tiranës, takim me Bashën

Pas zgjedhjes së krerëve të seksioneve dhe grupseksioneve, të premten nis zyrtarisht procesi zgjedhor në degët e mëdha të Partisë Demokratike. Sipas një kalendari të përcaktuar, dega e parë që do të zgjedhë kryetarin e ri do të jetë Mati, e më pas, të shtunën, dega e Sarandës dhe të dielën dega e Lushnjës e më pas dega e Lezhës. Në përfundim të këtij procesi në rrethe, do të mësohen edhe emrat e rinj të kryetarëve të degëve të PD-së në të gjitha qytetet e vendit. Ndërkaq, ditën e djeshme koordinatorët e degës së Tiranës kanë zhvilluar një takim në selinë e PD-së me kreun e demokratëve Basha ku kanë bërë të ditur ecurinë e deritanishme të procesit. Nga burime pranë selisë blu mësohet se koordinatorët kanë bërë të ditur se procesi i anëtarësimeve është drejt mbylljes dhe se së shpejti do të nisë ai i zgjedhjeve. Sa u përket anëtarësimeve të reja koordinatorët kanë bërë të ditur një rritje të ndjeshme, duke nënvizuar se shumica e tyre janë të rinj. Ndërkaq, pas fazës së anëtarësimeve të reja, në të gjitha degët e PD-së në rrethe, krahas Tiranës, është thuajse mbyllur zgjedhja e kryetarëve të rinj të seksioneve dhe grupseksioneve. Në përfundim të zgjedhjeve në të gjitha degët, përfshi Tiranën, pritet të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i cili do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë, nëse do të ketë ndryshime në statusin e selisë blu. Më pas do të jetë Këshilli Kombëtar, i cili do të zgjedhë kryesinë e re, nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.

 

 

 

 

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.