Editorial nga Florian Binaj/ Skaneri i dyshes Rama-Veliaj dhe ‘La omertà’ siçiliane
Këtë javë patëm mundësi të shohim një skaner të atyre që kanë qeverisur Shqipërinë për 14 vite, e Tiranën për 23 vite.
Një Kryetar Bashkie në paraburgim që akuzon Kryeministrin për kërcënime të stilit mafioz. Kryeministri thuhet se e akuzon Kryetarin e burgosur për puçist.
Si në çdo pakt mafioz, bie në sy heshtja: askush brenda partisë nuk flet, gjithkush ka frikë të mbajë qëndrim.
Kjo është “La omertà” siçiliane.
Nuk ka rëndësi sa përqind është e vërtetë, sa gënjen njëri e sa gënjen tjetri.
Ajo që ka rëndësi është se këta dy njerëz, për sa kohë ndanin pushtetin bashkë në kurriz të Shqipërisë e të Kryeqytetit dhe shqiptarëve, ishin “lokomotiva”, “timonieri”, “gjigandi”, “vëllai i madh”, “mentori”… Na e thanë dhe vetë para shumë vitesh, por ne nuk patëm vëmendje. Njëri thoshte “jam 99” dhe tjetri “s’keni parë asgjë akoma”.
Ndërsa sot, flasin për të njëjtin pushtet, por me fjalor me shenjë të kundërt. Tani, duan t’ia marrin njëri-tjetrit! Njëra palë, ajo 99-çja pasi gëzoi pushtet duke u lepirë e servilosur, sot flet për dinjitetin, për vlerat njerëzore duke dashur të mbjellin keqardhje që t’u bëjë hije mëkateve. Pala tjetër, ajo “s’keni parë asgjë akoma”, i kërkon që 99-çat të marrin përsipër protestat që në sytë e patronazhistëve, Europës dhe botës të ngjajë që qytetarët nuk kanë asnjë pakënaqësi me pushtetin, thjesht janë një grup puçistësh që duan t’i marrin karrigen.
Lufta e vërtetë, pa parime, pa asnjë pikë demokracie, është “kush do marrë asetet e Bashkisë për t’i përdorur në garën e ardhshme. Kush do përdorë strukturën me 12.000 punonjësit e Bashkisë dhe me superstrukturën me shumëfish më shumë votues që mund të përfitohet prej saj.
Dhe këtu kuptojmë se kush e ka qeverisur tërë këto vite Shqipërinë e Tiranën.
Kush na qeveris nuk mësohet nga pallavrat e fushatës, kur ndizet motori i gënjeshtrave për të na marrë votat, por se si sillen kur e marrin pushtetin.
Prandaj dhe ne jemi më të qartë se kurrë se çfarë ka vërtet nevojë Tirana e Shqipëria:
Për ndryshim rrënjësor.
Për një qeverisje të përgjegjshme nga liderë të zgjedhur që japin llogari, jo që shkëmbejnë kode mafioze.
Për një politikë të njerëzve dhe jo të hienave.




