Edhe me Lulin, edhe me Jozin!

Nga Nebil Çika

Nga Nebil ÇikaReagimi i opozitës pas zgjedhjeve për nga tonet nuk  ndryshon shumë nga fushata elektorale. Më të forta e më të qarta kanë qenë tonet dhe qëndrimet e ndërkombëtarëve sesa qëndrimet e drejtueseve të opozitës. Nga ambasadori Lu tek eurodeputetët Brok e Kukan ka disa artikulime të forta kundër zgjedhjeve të 21 qershorit dhe parregullsive të tyre, sa ngjan sikur PD ka ndryshuar vendet me partnerët ndërkombëtarë e këta të fundit janë të dëmtuarit e mëdhenj prej tyre.

Reagimi i opozitës po bëhet ose, më mirë të themi, duhet të zhvillohej në dy drejtime: e para në denoncimin e parregullsive zgjedhore që është edhe versioni zyrtar i arsyeve të humbjes së PD-së, por pa injoruar e për më tepër mbytur zërat që mendojnë të kundërtën, gjë që, me sa duket, po ndodh. Z. Basha po bën mirë atë që ka demonstruar se po bën më mirë: komunikimin me ndërkombëtarët, ku nga reagimet e para të tyre duket i suksesshëm. Deri tani, qoftë nga vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it, qoftë nga SHBA e BE apo partnerë të tjerë ndërkombëtarë nuk është thënë asnjë fjalë e mirë për zgjedhjet. Kemi në fakt një vlerësim të veçantë e shumë domethënës të ambasadorit Lu, por mesazhi i tij i vlerësimit i drejtohej jo fituesve, por njërit prej humbësve më të spikatur të tyre, kandidatit të PD-së për Tiranën, Halim Kosova. Mesazhi i ambasadorit të SHBA-së ishte i qartë dhe përmblidhte në fakt atë që ndodhi në zgjedhje. “Ju nuk bletë vota”, – veçonte ambasadori një nga cilësitë e veçanta të Kosovës, duke aluduar hapur që të tjerë, ndoshta edhe kundërshtari i tij fitues, e kryen këtë krim elektoral. Me pak fjalë, puna e zotit Basha në sqarimin e situatës tek ndërkombëtarët po shkon mirë, gjë që me gjasa pritet të pasqyrohet edhe në raportet e tyre të vëzhgimit dhe vlerësimit të zgjedhjeve. Por ndërsa ky krah i reagimit të opozitës po shkon mirë, krahu tjetër, ai që mendon se përveç parregullsive humbja e PD-së kishte edhe arsye të tjera të brendshme, nuk po merr hapësirën e nevojshme në debatin politik dhe atë mediatik. Deri tani, i vetmi zë që ka artikuluar publikisht disa fjali është Jozefina Topalli, deputete dhe ish-nënkryetare e PD-së dhe e Parlamentit. Zonja Topalli shigjetoi drejtpërdrejt qëndrimin zyrtar të lidershipit, kur tha se PD nuk kishte bërë një hap para. Kaq u desh që kundër saj, me dhe pa të drejtë, u ngritën dhjetëra zëra, duke bërë që debati të zbythej pa u nisur, gjë që nuk mendoj se është mirë për PD-në. Nuk marr përsipër të vlerësoj nëse znj. Topalli ka të drejtë morale të reagojë për arsyet e brendshme të humbjes së PD-së, por sigurisht ajo dhe të gjithë të tjerët kanë të drejtën të flasin si mënyra e vetme në dispozicion për të evidentuar problemet e për të korrigjuar situatën. Debati në PD duhet hapur, sa më shpejt aq më mirë, gjë që besoj se do t’i shërbente edhe Bashës për të bërë gati partinë e tij për zgjedhjet politike të 2017-ës.

Me sa shoh unë, palët në debat janë midis “të vjetërve” e “të rinjve”, jo nga mosha, por nga koha e ardhjes në PD, veçanërisht në lidership apo në poste drejtuese e përfaqësimi politik të saj. Pjesën e të vjetërve z. Basha ose e gjeti në PD, ose erdhi bashkë me ta në vitin 2005 në hapjen e madhe që ish-kryetari Berisha i bëri kësaj partie. Pjesa e re është ajo pjesë që u evidentua politikisht dhe u përzgjodh si pjesë e strukturave apo e përfaqësimit politik, pasi z. Basha mori drejtimin e partisë. Të dy grupimet bashkëjetojnë në PD dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, pasi grupi parlamentar dhe figura të tjera aktive të përzgjedhur nga Berisha mbajnë ende peshën politike të debatit dhe aksionit opozitar. Ndërkohë, drejtimi i PD-së dominohet nga njerëzit e Bashës kryesisht të përzgjedhur e afruar prej tij në struktura. Nga pjesa “e vjetër” e PD-së rreth Bashës janë afruar individë e grupime që Berisha i ka mbajtur disi larg në periudha të caktuara edhe është fërkuar me ta. Bie në sy grupimi i Pollos ose ish-PDR, të cilët janë më pranë z. Basha se të tjerët në PD apo të rinj me prirje të forta liberale të përzgjedhur prej tij kryesisht të moshave të reja. Në këto zgjedhje z. Basha e përfaqësoi PD-në me përzgjedhje nga të dy grupimet, ku në finale “të vjetrit” e përzgjedhur nga z. Berisha rezultuan më rentabël. Po t’i shohim kandidaturat fituese të PD-së në këto zgjedhje, ato në masë ishin figura qendrore e lokale të provuara politikisht e elektoralisht para se z. Basha të merrte drejtimin e PD-së. Mziu në Kamëz, Frrokaj në Lezhë, Ismaili në Vorë, Hila në Vaun e Dejës, Shupuli në Përmet, Shameti në Selenicë, Kapllanaj në Mallakastër etj. kanë qenë më parë të zgjedhur në krye të komunave dhe bashkive ku janë zgjedhur aktualisht. Ndërkohë, dy fitues të tjerë, si Ademi ne Shkodër apo Dushaj në Tropojë, ishin deputetë të zgjedhur në vitin 2013. I vetmi fitues “i kohës së Bashës” mund të konsiderohet Kapri në Pogradec. Sigurisht që Basha ka meritën që i rikandidoi dhe u besoi përfaqësimin e PD-së dhe merita e tij në këto fitore është e padiskutueshme. E solla këtë shembull për të thënë se të shumtën e tyre “të vjetrit” në PD janë një vlerë politike dhe elektorale dhe si të tillë duhen dëgjuar, por më parë duhet të lejohen të flasin. Sigurisht që edhe ata janë po aq përgjegjës për humbjen e PD-së sa edhe të rinjtë, pasi rënia e saj nuk ndodhi brenda ditës, por që në 2013-ën apo më para saj. Mendoj që debati i brendshëm, përcaktimi i përgjegjësive dhe përgjegjësve është një domosdoshmëri. I konceptuar jo si gjueti shtrigash e gijotinë, por si proces katarsisi i korrigjimit dhe rikuperimit, politik e moral të saj, ai është e vetmja mundësi e mbijetesës dhe veçanërisht ringritjes së PD-së. Prandaj, jam edhe me Lulin, edhe me Jozefinën; në fakt jam me denoncimin e barbarisë së këtyre zgjedhjeve, por edhe me debatin e analizën që, siç thashë, e shoh si të vetmen “salvaxhente” politike dhe elektorale në dispozicion të PD-së dhe opozitës.

Share it :