Gëzim Saliu
Dëshmorët e 4 shkurtit, Meta: Të rikthehet rruga. Milo: Të mos kemi frikë të themi emrat e masakruesve
Reagimi i këshilltarëve të djathtë: Rikthimi i emrit të rrugës, demagogji e papërgjegjshmëri
Të majtët kërkojnë rivlerësimin e historisë në kuadrin e Luftës Nacional-Çlirimtare. Në ceremoninë e 70-vjetorit të masakrës së 4 shkurtit, kreu i LSI-së, Ilir Meta, dhe ai i PDS-së, Paskal Milo, theksuan dje se është e rëndësishme që të rishikohet historia në një ndër pjesët më të ndritura sipas tyre, ajo e luftës, e cila bëri të mundur çlirimin e vendit nga pushtuesi më 1944. “Ne sot jemi këtu për të dhënë mesazhin e qartë të rivlerësimit të historisë nga cenimet që asaj i janë bërë në mënyrë të padrejtë në emër të mbrojtjes së vlerave dhe në emër të forcimit të atij uniteti kombëtar që na duhet dhe i cili mund të jetë i realizuar vetëm duke qenë të drejtë edhe me historinë. Çdo lëkundje në qëndrimin ndaj antifashizmit nuk është gjë tjetër përveçse një përpjekje për të cenuar një nga faqet më të ndritura të popullit tonë dhe të kombit tonë. Një nga themelet më të forta të lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë të rifituar më 29 nëntor të vitit 1944”, – tha Meta. Ndërkohë, aleati i PS-së, Milo, theksoi se vlera e Luftës Nacional-Çlirimtare është e pazëvendësueshme pasi me anë të saj është mbrojtur integriteti i pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kontekst, kreu i PDS-së pohoi se ish-diktatorit Enver Hoxha, historia duhet t’i njohë ato që ka bërë si edhe nga ana tjetër ta dënojë për gjithë veprat e tjera, për të cilat sipas tij populli i dha vendin që i takon. “Nuk e mbrojmë thjesht se mund të na akuzojnë nesër, se po mbrojmë Enverin. Edhe Enverit do t’i jepet ajo që është për t’i dhënë, për ato që ka bërë e do të dënohet për çfarë ka bërë më vonë, e populli ia ka dhënë dënimin”, – pohoi ai. Sipas Milos, nuk duhet të kemi frikë të përmendim emrat e njerëzve të cilët ndihmuan nazistët të kryenin këtë masakër, edhe pse ata ishin shqiptarë nga Mitrovica apo tiranas të vjetër.
Rruga
Për kreun e Kuvendit është e domosdoshme që të rikthehet rruga me emrin “Dëshmorët e 4 Shkurtit” në vend të “Ibrahim Rugovës”. Në këtë kontekst, Meta apeloi institucionet lokale të Tiranës që të rikthejnë këtë rrugë që qëndron aktualisht në pllakatën emëruese. “Ne sot ndiejmë keqardhje akte të pafalshme që kanë ndodhur siç edhe heqja e emrit të rrugës Dëshmorët e 5 shkurtit dhe është momenti për të bërë një rivlerësim, për të vendosur drejtësinë, ndaj dhe shpreh kënaqësinë që sot ndodhet këtu edhe prefekti Vorpsi dhe kreu i Këshillit Bashkiak Dalipi dhe shpresojmë që shumë shpejt të gjendet një zgjidhje, të kemi një memorial ku të jenë shkruar emrat e 84 martirëve të 4 shkurtit, ndaj është koha për të rivlerësuar edhe monumentin e 5 heronjve të Vigut që në mënyrë të padrejtë u largua nga qendra e qytetit të Shkodrës”, – tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, është me rëndësi të veçantë reflektimi dhe rivlerësimi i historisë së Luftës Nacional-Çlirimtare. “Të bëjmë një reflektim, sepse sot ka vende shumë më të zhvilluara se ne, të cilat ende ndihen të turpëruara që nuk shkrepën dot një armë kundër pushtuesve dhe përpiqen të shtojnë numrin e viktimave dhe martirëve, ndërkohë që vendi ynë u pozicionua, u rreshtua në një moment mjaft të vështirë të historisë kur askush nuk mund ta parashikonte fundin e Luftës ë Dytë Botërore, kundër makinerisë më të madhe dhe më të përbindshme ushtarake”. Ndaj deklaratës së Metës për rikthimin e rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” reagoi edhe e djathta në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, kjo pasi, pak kohë më parë LSI së bashku me PD-në vendosën që të ndryshonin emrin dhe të emëronin “Ibrahim Rugova”. “Deklarimi i sotshëm i kreut të LSI-së, lidhur me heqjen e mundshme të emrit “Ibrahim Rugova” nga një rrugë kryesore e Tiranës dhe për rivendosjen e emrit të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, më duket një hipokrizi e pastër, një demagogji dhe papërgjegjshmëri”, – tha kreu i këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni.
Përurimi në Lezhë
Zyra e re e pritjes në spital. Rama: Taksimi i ri, përfitime për mjekët e infermierët
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu, dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte dje në Lezhë, ku mori pjesë në përurimin e zyrës së re të pritjes në spitalin e këtij qyteti, një projekt i financuar nga programi i USAID-it në vend. Për Kryeministrin Rama, ky investim është një shembull i parë i transformimit në vijim të të gjitha pikave të kontaktit me shtetin, ndërsa ka shtuar se njerëzit në nevojë për kurë dhe familjarët e tyre meritojnë të mikpriten në kushtet më optimale. Rama ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje taksimin progresiv, pasi, sipas tij, si rezultat i aplikimit të këtij sistemi taksimi, mjekët dhe infermierët tani fitojnë më shumë. “Është kënaqësi, – nënvizoi, – që kjo ditë përkon me ditët, kur gjithë personeli i spitaleve po merr rrogat me taksimin e ndershëm. Pashë infermiere shumë të gëzuara, shoh mjekë të buzëqeshur. Kjo do të vazhdojë. Jam i bindur se kjo do të ndikojë shumë edhe në forcimin e marrëdhënieve mes personelit spitalor, Ministrisë së Shëndetësisë, qeverisë si e tërë, pushtetit vendor, komunitetit”, – tha Rama. Ndërkohë, ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, e cilësoi këtë investim “një mundësi e mirë e të punuarit bashkë me qeverinë për të mundësuar më tepër shërbime për qytetarët”. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Beqaj, deklaroi se do të bëhet i mundur furnizimi i plotë i spitaleve me barna dhe me funksionimin normal të pajisjeve biomjekësore. Po ashtu ditën e djeshme, kreu i qeverisë inspektoi punimet në rrugën Milot – Lezhë, një investim prej afro 380 milionë lekësh i Autoritetit Rrugor shqiptar përfshin riveshjen dhe sistemimin me asfalt të këtij segmenti. Kryeministri vuri theksin tek rëndësia e pajisjes me sinjalistikën rrugore përkatëse, pa të cilën, çdo projekt rrugor, do të kthehej në burim aksidentesh për qytetarët dhe mjetet. “E para, patjetër duhet ta plotësojmë me sinjalistikë. Një projekt i bërë pa sinjalistikë është: ‘Shtro asfalt për aksidente’. Ta plotësojmë me sinjalistikë urgjentisht. Këto uniformat, mos i mbani vetëm për vizitat e Ministrit dhe të Kryeministrit. Këto kaskat nxirrini përditë e përnatë, siç e keni orarin e punimeve. Ne duam punën”, – u shpreh Kryeministri.
Reforma territoriale
PD-PS larg konsensusit. Të djathtët kërkojnë garanci, mazhoranca fton opozitën në Komision
Mazhoranca dhe opozita duken larg konsensusit për reformën administrative territoriale. Nënkryetari i LSI-së i bëri thirrje dje opozitës që të bëhet pjesë aktive e komisionit për reformën territoriale. Ai propozoi edhe një takim mes liderëve politikë për të gjetur zgjidhjen mes tyre për këtë çështje. “Aktualisht kemi një komision bipartizan dhe që garanton veton e opozitës, sepse funksionimi i tij me numër të barabartë anëtarësh e bën një komision ku kontrolli dhe balanca e opozitës dhe mazhorancës janë tërësisht të garantuara. Liderët politike mund të takohen me njëri- tjetrin dhe të gjejnë dakordësi në mënyrë që të mos humbet kohë”, – tha Vasili. Ndërkohë opozita kërkon nga mazhoranca garancinë e konsensusit në të gjitha hallkat e procesit. Ndërkohë, deputeti demokrat Arben Imami deklaroi dje se për reformën territoriale, kompromisin është shkelur. “Nuk mund të bëhet pa opozitën. I kishin të gjitha mundësitë ta rikthenim në vend atë konsensus. Kompromisi është shkelur. Ata nuk e dhanë konsensusin dhe e penguan Shqipërinë të merrte statusin e vendit kandidat. Le të bëhen zgjedhjet e reja lokale me ndarjen e vjetër administrative, nuk ka asnjë gjë të keqe në këtë mes, kështu i bëmë dhe të kaluarat”, – pohoi ai në rubrikën “Opinion” në “News 24”. Nga ana tjetër, ligjvënësi demokrat Halimi deklaroi në debatin e mbrëmshëm në emisionin “Studio e hapur”, ku merrnin pjesë edhe ministri i shtetit për pushtetin vendor Bledi Çuçi dhe deputeti i PS-së e njëkohësisht anëtar i komisionit të kësaj reforme Blendi Klosi: “Këtë reformë do ta bëjë Edi Rama jo se është në të mirë të qytetarëve. Nuk i intereson qytetarëve, se po tu interesojë qytetarëve i pyet qytetarët. I pëlqen vetëm Edi Ramës. Kryeministri po përgatit skemën e vjedhjeve të votave. Ble deputetë dhe bëj 84 vota. Me blerje votash nuk qeveriset vendi”. Ndërkohë, ministri Çuçi theksoi: “Nuk mendoj se është tërësisht politike. ne dhunën e kartonëve për ta bërë politikisht e kemi. Nuk është kjo qasja jonë. As vetë këta nuk e dinë çfarë duan. Mbasi i dhamë dhe konsensusin, të drejtën e vetos dhe pastaj thanë duan reformën e administratës”.




