Sonja Caka
Njëri nga pengjet pranoi para Gjykatës se ishte marrë peng dhe torturuar nga të pandehurit
Dëshmia para Gjykatës: Pranova nga frika se u kisha vjedhur “mallin”, nuk kam lidhje fare
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon dënimin me 150 vite burg për shtatë të pandehur nga Lazarati, të akuzuar për pengmarrje dhe tortura çnjerëzore ndaj dy vëllezërve nga Përmeti. Konkretisht, prokurori kërkoi që Kasëm Buzheri të dënohet me 22 vjet burg, Bledar Muho të dënohet me 22 vjet burg, Alfons Buzheri të dënohet me 22 vjet burg, Aleksandër Kalemi të dënohet me 20 vite burg, Arbër Meçi të dënohet me 22 vjet burg, Bako Buzheri të dënohet me 21 vite burg dhe Vullnet Buci të dënohet me 21 vite burg për akuzën “Rrëmbim të personit”, në bashkëpunim, i shoqëruar me tortura fizike dhe psikike kundër disa personave”. Gjithçka ndodhi prej dyshimit se dy të rinjtë në bashkëpunim me një tjetër u kishin vjedhur “mallin” në Lazarat, pra një sasi hashashi. Për afro 24 orë, tre të rinjtë janë dhunuar në mënyrë çnjerëzore në një banesë të braktisur në Lazarat, duke u lënë të lirë njëri pas tjetrit vetëm në orët e mesnatës, në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore dhe psikologjike. Njëri prej pengjeve u pranoi dhunuesve vjedhjen e mallit, por duke deklaruar në sallën e gjyqit se gjithçka e kishte bërë nga frika dhe prej dhunës së ushtruar. Të pandehurit vijojnë të jenë të lirë, ndërsa pengjet janë detyruar prej frikës që të braktisin vendin dhe të strehohen familjarisht jashtë Shqipërisë. Njëri nga të dëmtuarit më rëndë nga kjo ngjarje ka pranuar para togave të zeza të Krimeve të Rënda dhunën fizike dhe psikologjike, mjetet me të cilat ishte torturuar dhe lirinë në orët e mesnatës, duke u kërcënuar që të mos tregonte çfarë kishte ndodhur. Ai pranoi të tregonte edhe motivin e pengmarrjes së dhunshme. Sipas tij, të pandehurit dyshonin se u kishte vjedhur një sasi hashashi.
Ngjarja
Nga hetimi dhe gjykimi i kësaj çështjeje penale rezulton se shtetasi Ergest Shele jeton me vëllain e tij, Velo Shele, alias Kosta Agora, në qytetin e Përmetit. Në datën 3.3.2012, i pandehuri Aleksandër Kalemi i ka telefonuar shtetasit Ergest Shele, duke i kërkuar të takoheshin në Gjirokastër. I dëmtuari Ergest Shele ka pranuar dhe në datën 4.3.2012 rreth orës 08:00 bashkë me vëllain e tij, Velo Shele, alias Kosta Agora, janë nisur me autobusin e linjës Përmet – Gjirokastër. I pandehuri Aleksandër Kalemi i telefononte shpesh të pandehurit Ergest Shele për ta pyetur për vendndodhjen. Të dëmtuarit Ergest Shele dhe Velo Shele alias Kosta Agora kanë zbritur në vendin e quajtur Ura e Lumit, ku janë takuar me të pandehurin Aleksandër Kalemi, i cili ishte me një makinë tip “Ford” me xhama të zinj. Të dëmtuarit Ergest dhe Kosta kanë hipur në makinën e tij dhe të tre kanë shkuar tek lokal “Fantazia” afër vendit të quajtur Qafa e Pazarit në Gjirokastër, ku kanë qëndruar rreth 15 minuta dhe me makinën e të pandehurit Aleksandër Kalemi kanë shkuar në drejtim të shkollës “Naim Frashëri” në lagjen Dunavat. Sapo kanë filluar të zbresin poshtë rrugës, janë ndaluar nga një automjet tip furgon, me ngjyrë të bardhë, me targa amerikane, që drejtohej nga i pandehuri Arbër Meçi. Në këtë kohë nga furgoni kanë dalë të pandehurit Bledar Muho dhe Kasëm Buzheri, të cilët u janë drejtuar vëllezërve Ergest dhe Kosta me fjalët: “Mos lëvizni!” I pandehuri Kasëm Buzheri e ka goditur me pistoletë në kokë të dëmtuarin Ergest Shele duke i thënë: “Më njeh mua… ju që donit të më vidhnit mallin mua”. Më pas kanë goditur me grushte Ergestin dhe Kostën në trup, duke i detyruar të hipnin në një furgon me ngjyrë të bardhë dhe janë nisur drejt fshatit Lazarat. Në afërsi të fshatit Kordhocë, të dëmtuarit janë detyruar të hipin në automjetin e markës “Audi Q7” me ngjyrë të zezë, që drejtohej nga i pandehuri Alfons Buzheri dhe kanë vazhduar rrugën për në fshatin Lazarat. Në furgon kanë hipur edhe të pandehurit Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Arbër Meçi dhe Aleksandër Kalemi. Të pandehurit i kanë çuar të dëmtuarit në një shtëpi të braktisur në fshatin Lazarat, duke ushtruar ndaj tyre dhunë çnjerëzore. I pandehuri Alfons Buzheri i ka lidhur të dëmtuarin Ergest Shele këmbët dhe duart me tel cingato dhe ka filluar ta godasë me shkelma e grushte duke i thënë: “Nxirrni mallin, kush e ka marrë?” Më pas në dhomë kanë hyrë të pandehurit Bako Buzheri, Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Arbër Meçi dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët kanë filluar ta godasin Ergestin me shkelma e grushte dhe i drejtoheshin me fjalët: “Ku e keni mallin?” Në të njëjtën kohë të pandehurit godisnin edhe të dëmtuarin Velo Shele alias Kosta Agora, të cilin më pas e kanë lënë të lirë, duke e kërcënuar me jetën e të vëllait nëse kallëzonte në polici. I pandehuri Alfons Buzheri ka vazhduar të godasë me shkelma e grushte të dëmtuarin Ergest Shele për ta detyruar që të pranonte se “mallin e kishte vjedhur bashkë me Resul Goxhajn dhe Alban Rustemin”. I dëmtuari Resul Goxhaj i njihte këta shtetas, pasi kishte lidhje shoqërore me ta. Për shkak të dhunës fizike dhe psikike që të pandehurit kanë ushtruar ndaj të dëmtuarit Ergest Shele, ky është detyruar të pranojë që hashashin e kishte vjedhur bashkë me Resul Goxhajn dhe Alban Rustemin. Pas disa orë torturash fizike, ai ka parë në dhomë të dëmtuarin Resul Goxhaj dhe të pandehurit Alfons Buzheri, Bako Buzheri, Vullnet Buci, Bledar Muho, Kasëm Buzheri bashkë me një person tjetër të paidentifikuar kanë filluar të godasin njëherësh Resulin. Për shkak të dhunës, i dëmtuari Resul Goxhaj është detyruar të pranojë se e ka vjedhur ai hashashin dhe pasi ka pohuar këtë fakt të pandehurit e kanë lënë të lirë. Më pas, të pandehurit kanë lënë të lirë të dëmtuarin Ergest Shele, i cili ka hipur në furgonin e linjës Gjirokastër – Përmet dhe rrugës është shoqëruar nga policia, ku ka kallëzuar faktet e mësipërme.
Motivi
Shtetasit Ergest Shele, Velo Shele, alias Kosta Agora, dhe Ergys Goxhaj, me cilësinë e të dëmtuarve nga vepra penale kanë deklaruar se në datën 4.3.2012 janë rrëmbyer dhe janë keqtrajtuar fizikisht nga të pandehurit, pasi ata dyshonin se të dëmtuarit kishin vjedhur lëndën narkotike të llojit hashash që kishin në pronësi të pandehurit.
Të pandehurit dhe masat e dënimit
Kasëm Buzheri të dënohet me 22 vjet burg
Bledar Muho të dënohet me 22 vjet burg
Alfons Buzheri të dënohet me 22 vjet burg
Aleksandër Kalemi të dënohet me 20 vite burg
Arbër Meçi të dënohet me 22 vjet burg
Bako Buzheri të dënohet me 21 vite burg
Vullnet Buci të dënohet me 21 vite burg




