Ndërtimi i një kantieri për riparimin e anijeve, ngritjen e frigoriferëve si dhe ngritjen e një markate vetëm për peshkun, ishin premtimet që ministri i Bujqësisë Edmon Panariti u ka dhënë peshkatarëve të Durrësit gjatë një takimi me ta. Ministri tha se më në fund ky sektor ka dalë nga informaliteti dhe peshkatarët e marrin naftën pa akcizë. Peshkatarët nga ana e tyre pohuan se zbatimi i skemës së naftës ka vështirësi, ndërsa ngritën shqetësimin e portit të ri të peshkimit, i cili nuk është funksional pasi i mungojnë kalatat. Në lidhje me këtë fakt, një peshkatar u shpreh i shqetësuar se: “Ne sot duhet të bashkëpunojmë. Këto fjalë që po them janë një realitet, ju lutem të dali ndonjëri dhe të ma kundërshtojë. Ky është një realitet që peshkimi është në gropë, në cep të humnerës. Nuk mund të hyjnë varkat atje, barkat e mëdha absolutisht nuk mund të hyjnë, është shumë e ngushtë. Kthehemi mbrapa me kënaqësinë më të madhe përballë ministrit. Sinqerisht a e di ministri që ne, që prej vitit 2010 ne nuk kemi kantier për riparimin e mjeteve”. Panariti deklaroi se do të kërkojë shtesë në projektin e portit të ri të peshkimit në mënyrë që ai të jetë në funksion të peshkimit dhe jo të jahteve e skafeve. “Duke filluar që nga tetori ne kemi ndërmend që të tërheqim investitorë sepse është një investim i jashtëzakonshëm nuk është investim i vogël dhe duam ta mbyllim komplet zinxhirin e infrastrukturës, ju thashë është kantier ndërtimi, riparimi anijesh në mënyrë që anijet të mos shkojnë të riparohen në Itali apo Mal të Zi”, – iu përgjigj Panariti problemeve që ngritën peshkatarët. Ndërkohë, këto të fundit të shqetësuar për zhvillimin në sektorin e peshkimit në Durrës, janë të pritje të realizimit të premtimeve që ministri deklaroi gjatë takimit me ta. Nuk dihet sesa kohe do u duhet peshkatarëve për të pritur përfundimin e investimeve, ndaj në të tilla kushtë u duhet të vazhdojnë punën e tyre derisa projekti për ndërtimin e kantierit të ndërtimeve të finalizohet.





