Ish-portieri i Steauas së Bukureshtit është portieri i vetëm në historinë e futbollit, që ka mundur të presë katër penallti në një ndeshje. Kjo arritje e tij i dha ekipit të Steauas së Bukureshtit Kupën e Kampioneve të vitit 1986. Mbrojtësi ekstrem i ekipit rumun arriti që të bllokonte të katër tentativat e lojtarëve të Barcelonës në finalen që u luajt në impiantin “Ramón Sánchez Pizjuán”, jo më kot ai mori edhe nofkën si “Heroi i Seviljes”.
Për shumë futbolldashës historia e Ligës së Kampioneve në 1986 ka një domethënie të veçantë. Kjo, pasi portieri i Steauas arriti që të priste 4 penallti, duke i dhënë fitoren ekipit të tij në sfidën kundër Barcelonës. Plot 28 vite më parë, në atë takim legjendar bota e futbollit njohu një “zot” të ri. Flasim për Helmut Dukadamin, ish-portierin e Steauas së Bukureshtit
Historia
Gjithçka nisi disa ditë pasi kishte ndodhur katastrofa e Çernobilit. Në atë kohë bota nuk ishte në dijeni të pasojave që do të sillte ajo tragjedi. Më 7 maj të 1986-ës ekipi i Barcelonës dështoi për herë të dytë në një finale të Kupës së Kampioneve. Për herë të parë ata humbën finalen e këtij kompeticioni në Bernë më 1961. Kësaj here spanjollët ishin të përgatitur për fitore. Barça “angleze”, e drejtuar nga Terri Venejbëlls, po bënte provat për fitoren e parë në një kupë të rëndësishme pasi përballë kishte një ekip që nuk njihej shumë, Steauan e Bukureshtit. Skuadra rumune përfaqësonte futbollin lindor. Një tjetër pikë e fortë e iberikëve ishte edhe vendi ku do të mbahej kjo ndeshje. Impianti që priti atë finale, ndodhej në Spanjë, në Sevilje. Akti i fundit i Kupës së Kampioneve në atë vit u luajt në “Ramón Sánchez Pizjuán”, ku përballë 1 mijë rumunësh ishin plot 60 mijë tifozë spanjollë. Por në fushë gjithçka shkoi ndryshe falë një paraqitje perfekte (në kuptimin e plotë të fjalës) të Helmut Dukadamit. Sipërmarrja e këtij të fundit deri më tani ka mbetur unike. Portieri i gjatë i Steauas, me mustaqet e tij të mëdha dhe fanellën e gjelbër, arriti që t’i priste të katër penalltitë e ekzekutuara nga lojtarët e Barcelonës. Kështu, ai i dhuroi suksesin ekipit të Steauas në një ndeshje fantastike që më pas do të rezultonte si e fundit për karrierën e lojtarit që në atë kohë ishte vetëm 27 vjeç. Me të hipur në Olimpin e futbollit, rumuni, në mënyrë të mistershme, vari në gozhdë dorezat. Në fakt, ajo ishte një kohë tjetër, ishte paraardhësja e biznesit të madh të Ligës së Kampioneve (Champions League). Në kontinentin e vjetër luheshin tri lloje kupash Evrope, sfidat e të cilave mbaheshin në një ditë, të mërkurave. Kupa më e rëndësishme ishte Kupa e Kampioneve, ku përbëhej nga skuadrat kampione të tërë ligave të Evropës, jo si sot ku marrin pjesë vetëm skuadrat e vendeve më të pasura. Në ato kohë ndodhte që një skuadër e vogël, një skuadër që nuk kishte shumë para, që mbase vinte nga një vend “ekzotik”, t’ia dilte që të eliminonte një ekip të pasur të Evropës Perëndimore. Pas disa vitesh u futën edhe muzika dhe sponsorët e Ligës së Kampioneve. Me formatin e ri Kupa e Kampioneve mori emrin Liga e Kampioneve. Në këtë kompeticion të ri klubeve u sigurohen gjashtë ndeshje në fazën në grupe… disa prej tyre (ndeshjeve) janë të kota. Ajo ishte edhe e “Perdes së Hekurt”. Kontinenti i vjetër ishte i ndarë në dy kampe dhe sporti (në rastin tonë Kupat e Evropës) shihej si një “pikë” takimi ku dy mentalitete të ndryshme përballeshin në një katërkëndësh të gjelbër.
Dembeli
Sa i përket finales që sapo përmendëm, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë që të jepen disa informacione që nuk janë aspak të sakta. Për të vënë gjithçka në rregull ka menduar vetë Dukadam që ka rrëfyer gjithçka nga Aradi (qytet që qëndron në kufijtë e Transilvanisë, shumë pranë Hungarisë). Dukadam, që lindi më 1 prill të 1959-s në një familje me prejardhje gjermane në Semlac, rreth 15 kilometra larg Aradit, tregoi se gjithmonë kishte ëndërruar që të bëhej një portier i madh. “Që i vogël dëshiroja të qëndroja mes shtyllave pasi përtoja që të vrapoja nëpër fushë”, – tregoi Dukadam. “Fillova që luaja rregullisht që në moshën 15-vjeçare. Dy vite më pas kur mbusha të 17-at luajta me Konstruktorul të Aradit, më tej kalova tek UTA, që ishte edhe skuadra më e rëndësishme e qytetit tim. Me këtë skuadër debutova edhe në Divizionin e Parë rumun”. Në 1982-shin Dukadam u transferua tek Steaua e Bukureshtit, skuadra e ushtrisë. Ky ishte edhe klubi më i rëndësishëm i Rumanisë në atë kohë. Steaua u formua më 1947 si një pjesë e ushtrisë rumune me emrin ASA Bukureshti dhe më pas në 1961 mori emrin Steaua (“Yll” në rumanisht). Pas Luftës së Dytë Botërore në shteet e Evropës Lindore (me përjashtim të Jugosllavisë), skuadrat më të rëndësishme ishin ato që u organizuan dhe u formuan nga ministritë e ndryshme: rëndom (ashtu siç ndodhi edhe në Shqipëri) ekipi më i fuqishëm ishte ai i ushtrisë, pra i Ministrisë së Mbrojtjes, më pas vinin edhe të tjerat, me Dinamon që i përkiste Ministrisë së Brendshme, pra policëve. Deri në 1985-n Steaua e Bukureshtit kishte fituar vetëm 9 kampionate e 13 kupa kombëtare, por më pas do të shtonte trofetë në palmaresin e vet. Në fillim të viteve ’80, drejtuesi i aftë, Joan Aleksandresku, arriti që të afronte në këtë ekip disa lojtarë të rinj që jepnin shumë shpresa për të ardhmen duke formuar kështu një brez të artë: përveç Dukadamit tek Steaua u afruan prej drejtuesit në fjalë edhe disa lojtarë të tjerë: Majearu, Jovan, Belodediç (lojtarë me origjinë serbe), Balint, Bumbesku, hungarezi Ladislau (László) Boloni, Viktor Piturka dhe në 1983-shin, Marius Lakatush, numri 7 që mori nofkën Fiara (Bisha). Ky i fundit do të bëhej më vonë edhe lojtari simbol i kësaj skuadre.
Kohët e arta
Në kampionatin 1984/85, nën drejtimin e teknikut me origjinë hungareze, Emerih (Imre) Jenei (ka drejtuar Steauan në momente të ndryshme), Steaua triumfoi në këtë edicion pas plot gjashtë vitesh “agjërim”. Ai ishte edhe fillimi i një parabole që nuk u ndal së rrituri. Si për ironi të fatit triumfet koinçiduan me afrimin e Valentinit: bëhet fjalë për djalin e madh, të adoptuar, të diktatorit Çaushesku, që shpeshherë nuk hezitoi që të ndërhynte edhe në drejtimin e këtij klubi. Supermadhësia e Steauas zgjati shumë në kampionatin vendas. Midis vitit 1985 dhe 1989, kur “Revolucioni” hodhi poshtë regjimin e Çausheskut, klubi në fjalë fitoi pesë herë kampionatin, katër herë Kupën e Rumanisë dhe qëndroi e pamundur për plot 104 ndeshje rresht në Divizionin e Parë. Gjithsesi, ndihma e diktatorit vetëm sa i prishi imazhin një ekipi që në arenën ndërkombëtare arriti të merrte rezultate mjaft të mira. Dy vite pasi fituan Kupën e Kampioneve në 1986-ën, Steaua u eliminua në gjysmëfinale nga Benfika. Ndërkohë që një vit më pas ekipi rumun ra vetëm në finale atje ku skuadra e Milanit “e shtypi” me rezultatin e pastër 4-0, në “Camp Nou” të Barcelonës. Në shkurt të 1987-ës kuqeblutë arritën që të fitonin edhe Superkupën e Evropës të zhvilluar në stadiumin e Montekarlos, “Louis II”. Në këtë 90-minutësh ata mundën, 1-0, skuadrën e Dinamos së Kievit që në atë kohë drejtohej nga kolonel Valeri Lobanovski. Në këtë takim filloi edhe karriera e njërit prej lojtarëve më të famshëm të Rumanisë të viteve të fundit. Flasim për George Haxhin që në fillim u mor hua nga Sportul Studentesk, vetëm për të luajtur këtë takim. Por duke parë talentin që kishte i riu, në atë kohë, Steaua vendosi që ta blinte. Haxhi, që në finale shënoi golin nga një goditje dënimi, qëndroi në Bukuresht deri më 1990-ën, pasi më tej vazhdoi karrierën tek Reali i Madridit.
“Heroi i Seviljes”
Duke iu kthyer Kupës së Kampioneve të 1986-ës, në takimin e parë të gjysmëfinales, ekipi i Steauas u mund në Bruksel nga Anderlehti i Vinçenco Shifos (sulmuesi që vite më pas do të kalonte tek Interi ishte autori i golit të vetëm). Por në takimin e kthimit, në atë që u mbajt në Bukuresht në impiantin “Stadionul Ghencea”, Steaua arriti të fitonte thellë, 3-0, ndaj Anderlehtit duke u kualifikuar kështu për në finalen e madhe (dy gola i shënoi Piturka dhe një Balint). Në finalen e Seviljes (që u drejtua nga francezi Mishel Votro) skuadra e Barçës ishte ekipi favorit. Por ndryshe nga të gjitha parashikimet skuadra rumune arriti të vinte “në gjumë” spanjollët me lojën e saj dhe kështu loja e rregullt mbaroi me rrjeta të paprekura, 0-0. Më pas u luajtën edhe 30 minutat e shtesës që nuk sollën gola. Kështu, për të caktuar fituesen e atij edicioni, u deshën penalltitë. I pari i shkoi Majearus që nuk kaloi dot në avantazh Steauan. Më pas Dukadam bëri mrekullinë e parë pas goditjes së Alexankos. Ndërsa Urruti priti penalltinë e ekzekutuar nga Boloni dhe përsëri portieri rumun realizoi mrekullinë e dytë përballë Pedrazas. Në atë moment u pa një situatë paradoksale, pasi asnjëherë më parë në një finale ku ishin luajtur 120 minuta lojë dhe ishin ekzekutuar katër penallti rezultati ishte 0-0. Pas katër goditjeve më në fund erdhi edhe goli i parë që e shënoi Marius Lakatush. Ky i fundit arriti që të shkundte për herë të parë rrjetën e “Sánchez Pizjuán”. Nga ana tjetër, mbrojtësi ekstrem i Steauas i gjeti anën goditjes së Pishi Alonsos. Kështu në penalltinë e radhës ekipi rumun me anë të Balint dyfishoi avantazhin dhe menjëherë më pas Dukadam i priti edhe penalltinë e katërt Markos Alonsos. Me këtë që arriti të bënte portieri rumun u kthye në një hero kombëtar. Ndërkohë që 60 mijë spanjollët që ishin në stadium dhe tërë ata që shinin këtë takim nga televizori nuk u besonin syve.
Misteri i fundit të karrierës së “heroit”
Kur Steaua u rikthye në Rumani, skuadra u prit në mënyrë madhështore. Si për ironi të fatit aty filloi edhe misteri i portierit që u kthye në mit. Pikërisht kur preku qiellin, karriera e Dukadamit u thye. Finalja e luajtur në Sevilje ishte ndeshja e tij e fundit e zhvilluar në nivelet e larta. Për vite më radhë për të kanë qarkulluar shumë histori (për mënyrën se si mbylli karrierën). Sipas disa gojëdhënave, djali tjetër i “Conducator”, Nicu Çaushesku, i dërgoi disa keqbërës për t’i thyer duart në formë hakmarrjeje. Mbase djaloshi ishte xheloz për të vëllain e adoptuar nga diktatori. Një tjetër histori që tregohet është edhe ajo ku thuhet se një tifoz fanatik i Realit i dhuroi një Mercedes portierit duke qenë se i priti katër penallti ekipit aq të urryer prej kastijanëve, Barçës. Dhe duke qenë se në Rumaninë komuniste askush nuk mund të ngiste, atëherë edhe për portierin erdhi edhe dënimi fatal. Por në të vërtetë realiteti ishte krejt tjetër. Atë vit të mallkuar, Dukadam u kthye në vendlindjen e tij për të bërë pushimet, pasi mbylli kampionatin. Vetë protagonisti i kësaj historie tregoi se gjithçka kishte ardhur pas një aneurizmi (pra zgjerimi i vazhdueshëm i një segmenti të një arterie që erdhi si pasojë e një anomalie të mureve të një ene gjaku) në krahun e majtë. Vetë rumuni tregoi se pasi u operua me urgjencë iu desh që të qëndronte në spital edhe për plot dy muaj. Në fillim mjekët menduan që ti amputonin dorën por për fatin e mirë gjithçka u zgjidh si duhet. Ai ia hodhi vetëm me dy muaj të tjera në spital. Kështu mbrojtësi ekstrem i Steauas nuk luajti më. Pasi mori disi vetën nga sëmundja që kishte kaluar klubi i tij e ftoi që të merrte pjesë në finalen e Kupës Interkontinentale që u mbajt në Tokio. Pas finales së humbu 1-0 (River Plejti shënoi një gol me anë të uruguaianit Antonio Alzamendi) ekipi rumun nuk u mendua shumë dhe e largoi “Heroin e Seviljes”.




