Gëzim Saliu
Mospërmbushja e premtimit elektoral, ministrja Gjermeni: Nuk mundëm të ulnim TVSH-në në turizëm, për shkak të borxheve
Qeveria do të rishikojë ligjin e turizmit, duke e cilësuar këtë masë si një domosdoshmëri për t’iu përshtatur zhvillimeve dinamike të këtij sektori kryesor të ekonomisë shqiptare. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit zhvilloi dje në Tiranë raundin e dytë të konsultimeve gjithëpërfshirëse me grupet e interesit për rishikimin e këtij ligji me njësitë e qeverisjes vendore dhe përfaqësues të biznesit, shoqërisë civile, universitetet dhe ekspertë të turizmit. Sipas draftit të qeverisë, sipërmarrjet turistike do të detyrohen të licencohen dhe i Ministria përkatëse do të ketë të drejtën t’i inspektojë ato. “Propozojmë, për kufizime të rishikuara, licencim të ofruesve të shërbimeve turistike, kryesisht të agjencive të udhëtimit, të operatorëve turistikë, të njësive të akomodimit. Duhet të përcaktojmë kriteret për veprimtaritë turistike përgjatë bregdetit, kryesisht për stacionet e plazhit dhe për pjesën e veprimtarive ujore. Gjithashtu duke pasur parasysh vendosjen e këtyre standardeve, vendosjen e procesit të licencimit do të bëhet edhe inspektimi i sipërmarrjeve turistike”, – tha përfaqësuesi i ministrisë së Turizmit, Enton Diamanti.
Propozimet
Nisur nga fakti se turizmi përbën një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit edhe impakti i ndryshimeve në ligj pritet të sjellë diskutime mes grupeve të ndryshme të interesit. Aktorët e pranishëm në tryezën e djeshme kërkuan që ndryshimet në ligj të marrin parasysh individualitetin e çdo rajoni në vend, duke stimuluar turizmin lokal. Komuniteti i biznesit adresoi problemet kryesore në këtë sektor, ku sipas tyre me rëndësi parësore është licencimi i operatorëve turistikë në vend dhe certifikimi i guidave turistike. Sipas operatorëve turistikë, shqetësim është informaliteti në sektorin e turizmit, i cili mund të rregullohet me ligj. Operatorët dhe përfaqësuesit e botës akademike kërkuan koordinimin dhe bashkërendimin e punës me institucionet e tjera për problematika që lidhen me infrastrukturën dhe transportin. Ndërkohë sipas ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, rishikimi i ligjit ekzistues, i hartuar në vitin 2007, vjen si një hap cilësor drejt rregullimit dhe standardizimit të problematikave në sektorin e turizmit. Ajo kërkoi bashkëpunimin dhe koordinimin mes të gjithë palëve të përfshira në këtë proces konsultimesh për rishikimin e Ligjit të Turizmit. Nga ana tjetër, ajo deklaroi se Qeveria nuk mundi të ulë TVSH-në në turizëm brenda tre muajve të parë, për shkak të borxheve të larta. “Është një premtim që do ta mbajmë brenda mandatit tonë qeverisës. Më vjen keq që nuk mundëm ta realizonim brenda një periudhe tremujore, pavarësisht se bëmë përpjekje maksimale. Nuk mund ta arrinim, për hir edhe të borxheve të mëdha që kishim dhe situatës së vështirë financiare që përballemi. Unë thashë brenda mandatit të parë qeverisës, besoj dhe do të bëjmë maksimumin që ta realizojmë vitin e ardhshëm, por ky është një premtim që duam dhe jemi të angazhuar ta realizojmë sa më shpejt”, – tha Gjermeni. Turizmi përbën 13 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, duke qenë një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë së vendit. Ligji i turizmit në vend u hartua në vitin 2007 me asistencën e Organizatës Botërore të Turizmit dhe ka pësuar ndryshime në vitin 2008 dhe në 2013.
Reagimi
18 mijë hektarë tokë të bllokuar, Braçe: Qeveria të ndërhyjë, bujqësia jonë, pa model
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, njëkohësisht deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, deklaroi dje se 18 mijë hektarë toke të deklaruara janë të bllokuara. “I mbajnë aty! Është toka më pjellore e vendit, më e investuara në infrastrukturën e duhur. Rri e pa punuar e pa frut! Është e paimagjinueshme që një aset i tillë i ekonomisë kombëtare është thuajse “i vdekur”! Kur bujqësia po shihet si mundësia më e mirë për të investuar para kursimesh, biznesi vendas apo biznesi të huaj; Kjo sipërfaqe e madhe toke duhet çliruar! Por duhet vendosur se ç’duhet bërë me të”, – shkruante dje ai në rrjetin social në “Facebook”. Sipas Braçes, bujqësia në vend është pa modë, e fragmentuar dhe jo efiçente. “Duhet që qeveria menjëherë të shpallë politikat e saj dhe ti materializojë menjëherë në këtë sipërfaqe toke, orientuar nga përqendrimi, zhvillimi, prodhimi, cilësia, eksporti, punësimi. Toka është aty po pret!”. Ndërkoha nga ana tjetër sipas deputetit socialist ka edhe tokë e cila është dhënë me qira në duar klientësh. “Edhe kjo sipërfaqe e madhe toke duhet çliruar. Një ligj sa më parë! Toka është një pasuri publike e duhet përdorur si e tillë sa më parë, në të mirë të ekonomisë kombëtare!”
Raporti i agjencisë evropiane
Më shumë se 1800 shqiptarë kërkuan azil në BE
Raporti i fundit i agjencisë evropiane “Frontex” për menaxhimin e bashkëpunimit të veprimit në kufirin e jashtëm të vendeve anëtare bën të ditur se gjatë 2013-ës gati 1800 shqiptarë kërkuan azil në vendet e BE-së. Ky raport tregon se 719 shtetas shqiptarë kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare në Suedi, 610 në Gjermani, 311 në Belgjikë, 77 në Zvicër dhe 52 shqiptarë kanë kërkuar strehë në Luksemburg. Raporti më i fundit i Varshavës daton më 16 tetor 2013 dhe merr në shqyrtim periudhën nga 2 në 29 shtator, duke krahasuar të dhënat e 9 muajve të parë të vitit të kaluar. Dokumenti iu paraqit Këshillit të BE-së në dhjetor nga Komisioni. Në të, numri më i lartë i azilkërkuesve nga vendet përfituese të regjimit pa viza të Ballkanit regjistrohet për Serbinë, e ndjekur nga Maqedonia, Bosnja e më pas Shqipëria dhe Mali i Zi, ndërsa në krye të destinacioneve renditet Gjermania, për të vijuar më Suedinë, Belgjikën, Zvicrën e Luksemburgun. Suedia pati gjithsej 402 aplikime për azil gjatë muajit shtator, çfarë regjistron 51% më shumë se gjatë gushtit, ndërsa 88% e serbëve kanë preferuar ndërkohë Gjermaninë. Sipas të dhënave, aplikimet nga Shqipëria kanë pësuar një rënie prej 13% në tërësi. Por ndërsa kjo rënie vlerësohet me 33% për Belgjikën, me 82% për Luksemburgun dhe 34% për Suedinë, në Gjermani figuron një rritje prej 373% e kërkesave për azil nga shqiptarët dhe 43% rritje për aplikimet e shtetasve shqiptarë në Zvicër.




