Artan Cena
Gjatë ekspertizës, ka rezultuar se Dritan Shurdhi i janë gjetur mbetje baruti në duar dhe në krah. Prokuroria ka dërguar për ekspertizë videon dhe celularët e 14 të arrestuarve
Një javë nga vrasja e specialit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në Lazarat, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi “arrest me burg” për 10 të dyshuar për këtë vrasje dhe kundërshtimin me armë ndaj policisë. Masat ndaj grupit të zjarrit nisën me Xhuliano Malon 17-vjeçarin që në dëshminë e tij ka bërë të mundur identifikimin e të arrestuarve si dhe ka zbardhur skemën se si të rinjtë kishin planifikuar gjithçka 6 muaj më parë, për të përfunduar në të shtënat me armë drejt bluve më 24 qershor. I dyti që doli para gjykatës ishte Klodian Selimi i cili është personi i dytë që ka dëshmuar për ngjarjen e Lazarati dhe vendin ku ishin hedhur disa armë të përdorura nga të rinjtë, të gjetura më pas më 30 qershor nga oficerët e policisë gjyqësore në një kanal në Lazarat. Duke u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” para togave të zeza dolën Dervish Gaba, Elvis Boci, Dritan Shurdhi, Ervin Mahmutaj, Deivid dhe Serxho Shehu. Të 6 këta shtetas mbetën në burg por mohuan akuzën ndaj tyre duke deklaruar se nuk kanë lidhje me vrasjen dhe me vëllezërit Aliko kanë raporte shoqërore.
Masa e sigurisë
Arrest me burg, i caktoi masën e sigurisë Gjykata e Krimeve të Rënda dy të dyshuarve Dritan Shurdhi dhe Elis Mahmutaj, me dyshimin se janë bashkautor të sulmit me armë ndaj forcave të rendit në Lazarat. Séance gjyqësore ndaj dy të rinjve, u zhvillua me dyer të mbyllura, ku avokatët mbrojtës kërkuan lirimin nga qelia për mungesë të provave direkte. Mësohet se avokatët shprehen rezerva mbi raportin e policisë shkencore në lidhje me pretendimin e gjetjes së mbetjeve të barutit në duart e të dyshuarve Shurdhi dhe Mahmutaj. Nga ana tjetër prokurori, renditi provat shkencore të ekspertëve të policisë dhe dëshmitë e dy të arrestuarve, që tregojnë se edhe Shurdhi dhe Mahmutaj ishin pjesë e grupit të sulmit. Sipas prokurorisë, për ngjarjen e mëngjesit të 24 qershorit në Lazarat janë arrestuar 12 persona për akuzën sulmit me armë ndaj punonjësve të policisë ndërsa dy të tjerë janë shpall në kërkim. Në pranga kanë rënë edhe dy kushërinjtë Shehu të cilët kanë ndihmuar me ushqime dhe rroba dy vëllezërit gjatë arratisjes. Mësohet se Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore, një video, ku janë fiksuar mëngjesin e hershëm të datës 24 qershor disa persona të armatosur dhe maskuar që shëtisnin në rrugët e fshatit Lazarat. Prokurorët thanë se është kërkuar pastrimi i figurës dhe mundësia e identifikimin të ndonjërit prej tyre. Në Laboratorin e Policisë Shkencore, prokurorët mësohet se kanë dërguar edhe aparatet celular të 14 të arrestuarve, për të bërë këqyrjen dhe nxjerrjen e fotografive dhe videove të mundshme nga aparatet celular.
Krimet e Rënda në Gjirokastër
Këshilli i Lartë i Drejtësisë delegon të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit për Krime të rënda në Gjykatën e Gjirokastrës për të zhvilluar proceset gjyqësore ndaj banorëve të Lazaratit.
Mësohet se këto delegime janë bërë pasi gjyqtarët e Gjirokastrës kanë gjykuar nga njëherë këta persona dhe për shkak të mungesës së trupës gjyqësore. Të ndodhur në këto kushte, KLD ka dërguar gjyqtar për të mos zvarritur procesin gjyqësor ndaj tyre. Mësohet se në Gjykatën e Gjirokastër po gjykohen rreth 70 persona, të gjithë banor të Lazaratit për kultivim të lëndëve narkotike dhe mbajtjes së armëve pa leje.
Gjykata sekuestron pasuri të tjera të administratorëve të Agon Channel
Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e 35 mijë eurove, që ndodhen në llogarinë personale të shtetasit me inicialet Sh.A. njëherazi administrator i televizionit “Agon Channel”.Ky vendim, vjen pak ditë pasi Gjykata e Tiranës ka urdhëruar sekuestrimin e të gjithë kompanive të familjes Beccheti në Shqipëri, pasi dyshohet për disa akuza, mes tyre edhe atë të pastrimit të parave. Sipas vendimit që mban datën 17 qershor, Gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e parave që ndodhen në llogarinë personale të administratorit të Agon Channel shtetasit Sh.A. Pasi dyshohet se këto para, janë transferuar në llogarin e tij personale nga kompania Agonset, e cila ka një vendim sekuestrimit. Në vendimin e gjykatës, thuhet se me datën 5 maj të këtij viti, Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e të gjitha llogarive bankare të kompanive të familjes së italianit Francesco Beccheti. Në mesin e kompanive që është urdhëruar sekuestrimi është edhe AGONSET, shoqëria që administron televizionin Agon Channel. Por pavarësisht këtij vendimi, më datën 8 maj kompania AGONSET ka transferuar në llogarinë personale të administratorit të saj shtetasit SH.A. një shumë prej 35 mijë euro, me motivin e shpërblimit të punonjësve. Gjykata arsyeton, se kjo shumë nuk duhet të ishte transferuar pasi kishte një vendim sekuestrimi për parat që ndodheshin në llogarit bankare të kompanisë AGONSET dhe për këtë fakt, është udhëruar sekuestrimi i kësaj shume që ndodhet në llogarinë personale të administratorit Sh.A. Sekuestrimi dhe bllokimi i llogarive bankare të kompanive të Francesco Becchetit dhe pjesëtarëve të familjes së tij, është urdhëruar pak ditë më parë, me dyshimet se ka kryer disa vepra penale. Si atë të falsifikimit të dokumenteve, mos pagimit të taksave dhe deyrimeve shtetërore si dhe akuzën e “pastrimit të parave” me vlerë rreth 40 mln euro. Për këto akuza, gjykata ka shpallur në kërkim italianin Beccheti dhe administratorin e tij Mauro De Renzis, duke i caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Fshihnin të ardhurat, hetim në gjendje të lirë pronarëve të 5 bizneseve
Policia e Vlorës ka bërë të ditur se po procedon në gjendje të lirë pronarët e 5 bizneseve për fshehje të ardhurash dhe mos kryerjen e detyrave nga organet tatimore. Sipas Policisë së Vlorës procedimi ka nisur për shtetasit Robert Hajrulla, Andi Gjiknuri, Shaban Zenaj, Eduart Supiqoti dhe Erion Birçaj. Procedimet penale proaktive për bizneset e këtyre shtetasve kishin nisur para 2 muajsh dhe nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se shtetasit në fjalë, gjatë ushtrimit të aktivitetit në mënyrë të qëllimshme, nuk përdornin kasën fiskale duke shmangur detyrimet tatimore. Dyshohet se shmangia tatimore që këta subjekte kanë kryer është në vlera të larta dhe xhiroja e tyre aktuale i kalon lehtësisht ata si tatimpagues të një biznesi të madh.Bëhet e ditur se strukturat hetimore të policisë në bashkëpunim me Prokurorinë po hetojnë përgjegjësinë penale të punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Vlore për veprën penale të “Mos kryerja e detyrave nga organet tatimore”. Në përfundim të operacionit të koduar “Kuponi Tatimor”, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 10 kompjuter, 6 printer dhe aksesore të tjerë që shërbenin për prodhimin e faturave jashtë sistemit tatimor pa deklaruar të ardhurat.
Dërguan 100 njerëz për azil në Gjermani, u merrnin 1500 euro
Policia arrestoi 2 vëllezër pas dyshimeve se kishin ndihmuar 100 persona të kalonin ilegalisht kufirin me qëllim përfitimin e azilit në Gjermani. Gjatë operacionit të koduar “Azili”, Policia e Durrësit prangosi Besnik dhe Shaban Gjokën 27 dhe 25 vjeç nga Fushë Kruja. Sipas uniformave blu, shumica e personave të cilët janë ndihmuar nga vëllezërit për të kaluar kufirin, kanë probleme me qëndrimin në zonën Shengen. Pas hetimit tremujor, policia arriti të zbulonte dhe metodën, e cila përdorej nga të rinjtë për të transportuar ilegalisht azilantët. Të arrestuarit, me anë të mjeteve të tyre, i transportonin njerëzit në itinerarin Kosovë-Serbi-Hungari-Austri-Gjermani kundrejt pagesave që varionin nga 500 deri ne 1500 Euro për person. Për të dy, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Operacioni i policisë vjen pak kohë pasi Ministria e Brendshme e Gjermanisë, publikoi shifrat e kërkesave për azil në këtë vend. Sipas saj, vetëm gjatë muajit maj, në Zyrën Federale për Migracion dhe Refugjatë janë bërë 4992 kërkesa nga Shqipëria, e cila renditet e dyta në listën e azilkërkuesve pas sirianëve.




