Dosier / Arkiv i Ministrisë së Brendshme 1945 / Gjyqet ushtarake dhe të deleguarit e Papës

Veli Haklaj, studiues

(vijon nga dje)

 

kisha_e_shen_aleksandritMë 21 të muajit vazhdues arrestuem nëntë partizanë që ndodheshin në Mali Kolaj dhe për sigurim Deda i la në shtëpinë e tij, mbasi nuk donte që të pritej njeri në besë.

Të nesërmen në mëngjes (22 janar 1945-V.H.) zbritem në Shengjin dhe shkuem drejt e në komandën e vendit, ku gjetëm komandantin dhe, mbasi biseduem me të, vendosem ta linim prapë për të mbajtë qetësinë e vendit. Prej komandantit të vendit mësuam se, mbas ikjes së atij batalioni, do të vinte së shpejti një tjetër për ta zëvendësuar.

E pamë se puna ishte e ftoftë qysh se nuk po merrnim asnjë përgjigje, veçse morëm një lajmërim nga Komanda e Rrethit të Lezhës që Deda të shkonte në Lezhë për të biseduar me përgjegjësat e atjeshëm: në Lezhë thuhej që duhej të vinte në mbrëmje. Mbas ca orësh, një tjetër lajmërim i erdhi Dedës për të shkuar në Lezhë, atëherë ky tha se tash asht natë dhe nuk mundemi, por po shkojmë nesër ditën. Në fakt, mbasi hangrëm buk (për darkë) në Shëngjin (Ishull Shëngjin-V.H.) ishim duke biseduar me njëri-tjetrin, kur pa pritur na kishin rrethuar dhe, së fundi, mbas bisedimesh na arrestuan dhe na shoqëruan për këtu.

P.P. Fuqitë në Mali Kolaj u ndanë në dy pjesë: një fuqi me Deden të sulmonte Shëngjinin dhe tjetra me këshilltarin e Mali Kolajt, Gjok Nika, shkoi për të rrethuar batalionin që ndodhej në Pulaj.

Përpara se të fillonin veprimet u bë një manifestim me të shtime armësh prej të gjithë katundarëve në Mali Kolaj për nisjen e luftës kundra partizanëve.

P.P. Thuhet se një anglez me delegatin e papës në Shqipëri janë duke organizue gjithçka kundra partizanëve. Delegati i papës ka hapur fjalë se politika me partizanët asht e prishun dhe se Anglia ndihmon fuqitë që luftojnë kundra partizanëve.

Thuhet gjithashtu se shumë varka me material u janë dërguar ballistave dhe zogistave dhe se edhe me aeroplan janë hedhur rroba dhe të holla”.

Propoganda na thoshte se Greqia ishte e pushtueme e gjitha nga anglezët. Thuhet gjithashtu se edhe Mali i Zi ishte në kryengritje kundër partizanëve.

P.P. Lidhje këtu në Shkodër kanë me një nga Gjylbegajt, me një myfti dhe marreveshje me të derguarit e papës”.

 

Thëniet e të akuzuarit Gjon Markut përpara hetuesisë, më 27 shkurt 1945

“Kur kam shkue te Dul Bajrami, kryetar i këshillit të katundit tonë, gjeta Ded Shabanin që kishte mbledhur nja 30 burra. Shkova edhe unë te Deda bashkë me një partizan që kisha, që simbas urdhënit të Dedës e çoi Nikoll Baçi në shtëpinë e Dedës, ku ishin edhe partizanë të tjerë.

Kur u nisëm, mora vesh se këta partizanë i kishin ndalue Deda dhe i mbante të arrestuar, sepse partizanët kishin ikur prej rajonit tonë.

Kur u nisëm prej Mal Kolajt, na tha Deda se do të shkojmë të marrim Shëngjinin, se partizanët ikën dhe për gëzim kemi qitë pushkë. Shkuam në Shëngjin e atje na tha Deda se do të shkojmë në Lezhë të bisedojmë me komandantin, por neve e kuptuam se Deda donte të merrte Lezhën. U nisëm për në Shëngjin dhe ramë në Ishull ku qëndruem për të fjetur. Unë me tre shokë vajtëm tek kryetari i këshillit për të fjetur. Si ndejtëm pak, i zoti i shtëpisë na tha se unë kam punë me Dedën, por juve rrini. Atëherë e kuptova se çfarë donte të bënte Deda.

Nuk munda me ikë e me shkue në shtëpinë time, sepse përpara derës së shtëpisë kishte roje. Aty nga ora tetë allaturka, erdhën partizanët e na rrethuan dhe na kërkuan dorëzimin e pushkëve. Unë më dy shokë u dorëzuam pa fjalë, kurse i katërti që quhet Kolë Gjetia u kundërshtoj, por më në fund edhe ai u dorëzua.

Kur shkonim për në Shëngjin, Deda me anën e sekretarit të tij shkroi një letër për bejlerët e Lezhës. Nuk munda të dëgjoja se çfarë shkroi në letër, vetëm se mora vesh këto fjalë: Të keni kujdes.

Ded Shabani kishte lidhje me të gjitha këshillat e atyre katundeve, sepse këshillat thoshin do ta bajmë Komandant të djemve tonë.

Nuk di asgjë për pritën që bani Hasan Isufi, veçse e mora vesh mbas ngjarjes.

Nuk di ç’reaksionar ka pasur lidhje me Ded Shabanin”.

 

Thënjet e Kol Gjetos përpara hetuesisë, më 27 shkurt 1945

Të dielën në darkë ndodhesha për të fjetur te një katundari i jonë, Gjok Nika. Aty nga mesnata u zbrazën pushkët (12-13 pushkë) dhe ma vonë u ndie zani i kushtrimit. Dola nga shtëpia dhe shkova drejt vendit ku ranë armët. Kur shkova te shtëpija e Dul Bajramit mora vesh se Ded Shabani kishte dhënë kushtrimin. Bashkë me Ali Bajramin (vëllanë e Dul Bajramit) shkova te Deda …

Shkuam deri të Këshilli i Malit Shëngjin. Atje Deda hyri brenda për bisedim dhe neve mbetëm jashtë dy-tre orë; mandej doli Deda dhe shkume për në Shëngjin. Hëngrëm drekën aty dhe mbas dreke u nisëm drejt rrugës së Lezhës.

Gjatë rrugës së Lezhës takuam 5 partizanë, të cilët biseduan me Dedën dhe mandej u drejtuan për në Shëngjin. Arritëm në Ishull Shëngjin dhe atje u shpërndamë për të ngrënë bukë e për të fjetur.

Në mes të natës erdhen partizanët e mbasi na kishin rrethuar na çarmatosën dhe na shoqëruan për në Lezhë. Unë në fillim kundërshtova të jepja armët, por më vonë i dhashë”.

 

Procesverbal i Gjyqit Ushtarak të Korparmatës III

Sipas procesverbalit të Gjyqit Ushtarak të Krahinës Ushtarake të Korparmatës III-të referuar nr. 38 të akt-akuzës dhe nr. 26 të vendimit, mësojmë se Prokurorija e Gjyqit Ushtarak me akt – akuzën e saj nr. 38, datë 8 shkurt 1945, i solli këtij Gjyqi aktet, bashkë me vendimin e Gjyqit hetues, me të cilin ishte vendosur nevojë gjykimin e të pandehurve Gjok Nika, Dul Bajrami, Pjetër Prenga, Miftar Rexha, Gjon Lec Ujka, Ibrahim Kuçali e Gjelosh Kol Pjetri, antarë të këshillit N.Ç. të katundit Mali Kolaj, sepse ishin sjellë për gjykim si të pandehun se kanë marrë pjesë në organizatën e kryengritjes së Ded Shabanit nga ai katund.

Këto akte u regjistruen nën nr. 38 të regjistrit themeltar dhe për ditë gjyqi caktuan datën 10 shkurt 1945, ora 3 mbas dite.

Ditën dhe orën e sipërme, trupi gjykues u formua prej: Kryetar major Tonin Jakova, anëtar Mustafa Iljazi dhe partizan Arif Cani, prokuror Sotir Dodona dhe sekretar Niazi Totozani.

U sollën të pandehunit nga Burgu dhe u vunë në vendet e posaçme.

U pyet identiteti i tyne.

1. Gjok Nika, i biri i Nikës dhe Trikës, 65 vjeç, bujk, i martuar, me fëmijë, i padënuar, anëtar i Këshillit Mali Kolaj.

2. Dul Meça, i biri i Bajramit dhe i Lores, 65 vjeç, bujk, i martuar, me fëmijë, i padënuar, anëtar i Këshillit Mali Kolaj.

3. Pjetër Gjeloshi, i biri i Prenkës dhe i Dilës, 56 vjeç, bujk, i martuar, i padënuar, Kryetari i Këshillit Mali Kolaj.

4. Myftar Rexha, i biri i Rexh Mehmetit dhe i Shushes, 66 vjeç, bujk, i martuar, me fëmijë, i padënuar, anëtar i Këshillit.

5. Ibrahim Keçani, i biri i Keçanit dhe i Kajes, vjeç 57, bujk, i padënuar, anëtarë i Këshillit.

6. Gjok Ujka, i biri i Lecit dhe i Pashkes, 64 vjeç, i martuar, me fëmijë, i padënuar, anëtar i Këshillit.

7. Gjelosh Pjetri, i biri i Kolës dhe i Beres, 60 vjeç, bujk, i martuar, me fëmijë, i padënuar, anëtar i Këshillit.

Prokurori lexoi akt-akuzën dhe kërkoi që, në rast se faji i të pandehurve do të provohet plotësisht, të dënohen simbas ligjit”.

Simbas procedurës, u pyetën me radhë të pandehurit, nga të cilët Gjon Nika mohoi thëniet që kishte bërë në pyetësi, kurse të tjerët i vërtetuen.

Në fund të procesit, Gjykata si shqyrtoi aktet, pretendimet e mbrojtimet e të pandehurve arsyetoi:

“Ded Shabani, tue qenë në marrëveshje me t’arratisunit Jup Kazazi e Hasan Isufi ka dalë nëpër katunde me qëllim propogande dhe përgatitje që më datën 22 janar 1945, ditën e hanë në mëngjes, të bënte kryengritje.

Ditën e diel, më 21 janar 1945, në shtëpinë e Dul Bajramit, asht bërë mbledhja e ma se 30 personave nga Mali Kolaj për të organizuar mënyrën e kryengritjes dhe goditjes së forcave të Ushtrisë N.Çl., të cilat i kanë ndarë në mënyrë të tillë që një pjesë nën komandën e Ded Shabanit do të nisej për në Shëngjin e Lezhë dhe një pjesë nën komandën e Gjok Nikës e Maliq Bajramit për në Pulaj. Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë Gjok Nikaj e Dul Bajram. I pari ka pohue se u kishte thënë katundarëve “të përgatiteshin për luftë të udhëhequr prej meje”, e ndërsa i dyti i ka thënë “të prift mbarë””.

Mbasi u deklarue vendimi i fajësisë dhe mbasi prokurori kërkoi caktimin e dënimit, Gjykata, më 10 shkurt 1945, dha këtë vendim:

“… Duke marë parasysh se vepra e fajtorëve Gjok Nikës dhe Dul Bajramit, nga katundi Mali Kolaj, i takon nenit I, të Ligjës nr. 21, datë 15 dhjetor 1944, “Mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit të popullit”, u vendos dënimi i tyre me VDEKJE.

Gjithashtu dhe faji i të pandehurit Pjetër Prengës i takon po nenit I të Ligjës nr. 21, datë 15 dhjetor 1944, por me shkaqe lehtësore, prandaj u vendos dënimi i tij me 2 (dy) vjet burgim dhe me aq kohë bjerje të të drejtave civile e politike.

Gjithashtu Trupi Gjykues vendosi pafajësin e të pandehurve Myftar Rexhës, Gjon Lec Ujkës, Ibrahim Keçanit dhe Gjelosh Kol Pjetrit dhe lirmin e tyre nga burgu në mos qofshin të ndaluar për çështje tjetër”. Sipas procedurës ligjore, ky vendim iu referua Gjyqit të Naltë Ushtarak për shqyrtim.

 

Komunikata e Prokurorisë së Gjykatës së Naltë Ushtarake

Nga ana e tij, Prokurori i Gjykatës së Naltë Ushtarake, major Myftar Tarja, mbasi shqyrtoi akt-gjykimin e mësipërm, në komunikatën nr. 30, datë 28 shkurt 1945, drejtuar Gjykatës së Naltë Ushtarake, Tiranë, vëren se:

“Në fakte: Gjok Nika dhe Dul Bajrami në marrëveshje me sabotatorin e luftës Ded Shabanin dhe me reaksionarët e tjerë kanë organizuar dhe përgatitur një lëvizje me shkallë të gjerë në rrethet e Shkodrës, e cila ishte caktuar të pëlciste ditën e dielë, më 21 kallnor 1945. Gjok Nika ishte caktuar nga Ded Shabani për të rrethuar batalionin partizan që ndodhej në Pulaj …, [kurse] Dul Bajrami, tue qenë njëkohësisht dhe kryetar i këshilllit të Katundit Mali Kolaj, ka bërë mbledhje prej ma se 30 burra në shtëpinë e tij, ku ka ndodhur Ded Shabani dhe të tjerë për me organizue kryengritjen e reaksionit. Kur është nisur Ded Shabani për me pushtue Shëngjinin, Dul Bajrami i ka urue këtij sukses të priftë mbarë dhe tue qenë në dijeni të gjithë planit, jo vetëm që nuk ka vu në dijeni organet e pushtetit, por ka kontribuar aktivisht n’organizimin e kësaj revolte”.

Sa i përket të drejtës, sipas Prokurorisë së Gjykatës së Naltë, veprimtaria e tyre provohej në mënyrë bindëse dhe ndëshkohej prej nenit I, të Ligjës nr. 21, “Mbi Sabotatorët e luftës”, dhe të neneve 18,19&III, dhe 31, të Ligjës nr 41, datë 14 janar 1945, “Mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake”.

Për këto arsye dhe për ato që do të parashtronte në rast nevoje verbalisht në Këshillë, Prokuroria shprehte mejtimin që akt-gjykimi nr. 26, datë 10 shkurt 1945, i Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III-të Shkodër, të aprovohet.

 

Vendimi i Gjykatës së Naltë Ushtarake

Po më datën 28 shkurt 1945, do të zhvillohej seanca gjyqësore e Gjykatës së Naltë Ushtarake, e përbërë nga kryetar Gaqo Floqi, dhe anëtarë Frederik Nosi dhe Veledin Zejneli, në prezencën e prokurorit pranë kësaj Gjykate, major Myftar Tarja dhe me asisetencën e sekretarit Jani Thoma, e cila me vendimin nr. 30, vendosi aprovimin e akt-gjykimit nr. 26, datë 10 shkurt 1945, të Gjyqit Ushtarak të Korparmatës III-të, në Shkodër, simbas të cilit ishte vendosur ndëshkimi i Gjok Nikës dhe Dul Bajramit, nga katundi Mali Kolaj, me vdekje, duke urdhëruar njëkohësisht konfiskimin e pasurisë së tyre të luajtshme dhe të paluajtshme.

 

Enver Hoxha aprovon dënimin me vdekje të Gjok Nikës dhe Dul Bajramit

Për të dënuarit me vdekje, aprovimin për ekzekutimin e tyre duhej ta jepte Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralkolonel Enver Hoxha. Ja radiogrami që ai i drejtonte Gjykatës Ushtarake të Korpusit III, Shkodër, për të dënuarit me vdekje Gjok Nika dher Dul Bajrami:

 

Ushtria Nacional Çlirimtare

Shtabi i Përgjithshëm

Seksioni Juridik

 

Radiogram

Gjykatës Ushtarake të Krahinës Ushtarake të Korpusit III

Shkodër

 

Përgjigje shkresë nr. 6/10, datë 27 shkurt 1945. Aprovohet dënimi me vdekje për Gjok Nika dhe Dul Bajrami. Na njoftoni datën e ekzekutimit.

 

Vdekje Fashizmit Liri Popullit

Komandant i Përgjithshëm

Gjeneral Kolonel Enver Hoxha

(firma, vula)

 

 

Gjykimi dhe dënimi i kryengritësve të Bërdicës

Të  njëjtin fat me këshilltarët e Mali Kolaj do të kishin dhe këshilltarët e Bërdicës, të cilët njëlloj me këshilltarët e fshatrave të tjera nga Lezha në urën e Bahçallëkut, kishin autorizuar Ded Shabanin, duke i dhënë kompetencën me u kujdesue për Djelmënin e këtij rajoni, të cilët ishin kërkue për në ushtri. Kjo do të përdorej si një provë e fortë kundër tyre, në procesin e gjykimit nga Gjykata Ushtarake.

 

Teksti i autorizimit

V. F.                                                               L. P.

Qeveria Demokratike Shqyptare

Këshilli nacijonal shlirimtar i Bërdicës

Nr.        Prot

 

A U T O R I Z I M

Kshilli nacijonal shlirimtar i Bërdicës

 

Autorizojm të quajtunin Ded Shabanin prej rajonit të Pulajve.

Të cilit i japim kompetencën ton me u Kujdesue për Djelmenin e ketij rajonit, të cilët na jan kërkue për në ushtri.

Prandejna dhe neve dishirojm të jetë në krye të Djelmnis së sonë i nalet permenduni në landë, i cili ka me u kujdesue për djelmnin e ktij rajoni, deri në  kryemjen e detyrës së Tyre, tuj ken se dhe e kërkojnë të gjith Djelmnija së bashkut me Kshilltarët e ktij Rajonit.

Shpresojmë se të gjitha komandat kanë me marrë për bazë ket Veprim dashtnuer dhe ket Vullnet të gjithë ksaj djelmnije.

Vërtetojmë të gjithë antarët e këtij rajonit me nënshkrimin Ton.

Kshilltarët

Kryetari i kshillit    Lush Paloka  (firma)

Kryetari i kshillit    Haxhi Ahmeti  (firma)

Kryetari i kshillit    Ymer Velija  (shenja e gishtit)

Kryetari i kshillit    Jak Hila  (shenja e gishtit)

Antarët: Mati Lorja (shenja e gishtit), Abaz Rustja (shenja e gishtit), Kol Rushi (shenja e gishtit), Rexhep Taipi (shenja e gishtit), Zef Paloka (shenja e gishtit), Arif Luti (shenja e gishtit), Ded Gjigjergji (shenja e gishtit), Pashuk Kola (shenja e gishtit), Shaban Dina (shenja e gishtit), Fajik Lani (shenja e gishtit), Kin Shuku (shenja e gishtit)

Sekretarët: Haziz Rexhepi (shenja e gishtit), Pashuk Kol Matija, Lush Pashuku (shenja e gishtit), Nuh Dyli (shenja e gishtit), Dan Velija (shenja e gishtit).

Vërtetohet Autorizimi i lëshuem prej Kshillit Nacijonal shlirimtar i ktij rajonit.

 

Post-Komandati i Vendit

(                         )

Bërdicë, më 19 janar 1945

 

Deklarimet e të akuzuarit Lush Paloka:

“Më datë 20 janar 1944 [1945], më ka ardhur në shtëpi Gjetan Deda prej Trushi, para se të perëndonte dielli dhe më tha: Më ka thënë Jup Kazazi se sonte do të mblidhemi në kisha e Beltojës, prandaj ejani edhe ju. Jupi ishte në Trush. Gjetan e kish dërgue Jupi të na pyesë nëse jemi me ta apo jo dhe unë i thashë që nuk jemi. Kam shkue në Bërdicë të Poshtme dhe i diftova Mati Loros, prej këtej ikëm dhe ndeshëm Martin Rrokun, të cilin e mora dhe e çova në Bërdicë të Sipërme. Në Bërdicë të Sipërme i diftuem Haxhi Ahmetit dhe ky i diftoj Shaban Danit. Haxhiu tha që të mbledhim katundin. Neve ishim pesë vetë: Alush Paloka, Gjetan Deda, Shaban Dani, Tahip Halili, Haxhi Ahmeti. Shkuam në Beltojë dhe rrugës takuam një makinë me disa fuçija të ndalun. Më tej, nga ora tre e natës allaturka, na dalin para disa vetë në rrugë, njëri prej të cilëve Alush Puka, dhe na pyetin a ka kush ndonjë lundër për të dalë matanë dhe neve i thamë nuk kemi. Unë e pyeta për Jupin dhe ai më tha se është bashkë me Hasan Isufin.

Kur mbërritëm aty në kallaballëk prej 300 (treqind) vetësh më tha Jupi: – A jeni me neve?

Unë i thashë: – Jo.

Pastaj ai tha: – Vetëm 6 vetë kini ardhur?

Jupi më tha: – Neve duam t’i biem Shkodrës dhe të godasim partizanët mbasi e fituam dhe juve nuk po i sulmoni vetëm duhet me i pritë.

Më thanë se kemi 100 vetë n’Ura e Bahçallëkut. Unë i thashë se në rrugë është një makinë dhe ka disa partizanë, disa fuçija dhe tesha dhe më vonë ikëm.

Neve dëgjuam sopatën kur priste drurin e telit (telefonit). Neve u menduam me Haxhinë të mblidhnim katundin.

Katundarët që kishin dalë me ta ishin Trushas, Barbullushas, Bushatas dhe prej Kosmaçit. Jupi i tha njërit hikë me të shpejtë dhe të lajmërosh Barbullushin dhe Bushatin.

Neve partizanët nuk i lajmëruem se kishim frikë se mos na vritshin. Martin Roku ka ardhur në Beltojë dhe tha të lajmërojmë partizanët, por unë nuk e lashë. Kur erdhem në Bërdicë, u shpërndamë nëpër shtëpijat tona dhe para se të dalë drita erdhi Haxhiu me Hidër Dulin dhe më thanë se janë vrarë partizanët. Hasan Isufi të nesërmen u ndalue në Bërdicë të Sipërme. Haxhiu na tha prapë të mbledhim katundin dhe t’u vemë pushkën por unë nuk e lashë. Hasan Isufi kishte shkuar në Trush ke Alush Puka …”.

 

Gjykimi i kryengritësve të Bërdicës

Prokuroria e Gjyqit Ushtarak, me akt-akuzën nr. 15, datë 28 janar 1945, i dërgontei Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III, Shkodër, aktet, bashkë me vendimin e Gjyqit Hetues me të cilen ishte vendosur nevoj gjykimi e 13 të pandehurve nga katundi Bërdicë.

Më 31 janar 1945, n’orën 4 mbasdreke, Gjyqi Ushtarak i Krahinës Ushtarake të Korparmatës III, me qendër në Shkodër, i formuar prej: Kryetar Nënkolonel Esat Ndreu dhe anëtarë Mustaf Iljazi dhe partizani Hysni Lame, duke qenë gati prokurori Sotir Dodona dhe sekretari Shaban Kuçi shpalli akt-gjykimin nr. 15, për procedimin penal kundra:

1. Haxhi Ahmetit, i biri i Ahmetit dhe i Sulltanes, lindur dhe banues në Bërdicë e Sipërme, vjeç 38, bujk dhe kryetar i Këshillit.

2. Veli Sala, i biri i të ndjerit Sal dhe i të ndjerës Pasha, lindur e banues në katundin Bërdicë, vjeç 80, Kryetar i Këshillit të Bërdicës së Mesme.

3. Dan Veliu, i biri i të ndjerit Veli dhe i së ndjerës Zejnepe, lindur e banues në Bërdicën e Mesme, vjeç 46, anëtar Këshilli.

4. Lush Paloka, i biri i të ndjerit Palokë, dhe i së ndjerës Paline, lindur dhe banues në katundin Bërdicë e Poshtme, vjeç 45, bujk, anëtar Këshilli.

5. Martin Loria, i biri i Loros dhe i Lenes, lindur e banues në katundin Bërdicë e Poshtme, vjeç 45, bujk, anëtar Këshilli.

6. Shaban Dini, i biri i të ndjerit Din dhe Zades, lindur e banues në katundin Bërdicë e Mesme, vjeç 56, bujk, këshilltar i katundit.

7. Faik Lani, i biri i Lanit dhe i Fatimes, lindur e banues në katundin Bërdicë e Mesme, vjeç 24, bujk, këshilltar i katundit.

8. Hil Shuku, i biri i të ndjerit Shuk dhe Shukes, lindur e banues në Bërdicë e Mesme, vjeç 48, bujk e këshilltar.

9. Hider Duli, i biri i Dulit e të ndjerës Ruke, lindur e banues në Bërdicë e Sipërme, vjeç 36.

10. Rexhep Halili, i biri i të ndjerit Halil dhe i të ndjerës Bice, vjeç 60, bujk, lindur e banues në katundin Bërdicë e Sipërme.

11. Shaban Dani, i biri i të ndjerit Dan dhe i Sides, vjeç 82, bujk, lindur e banues në katundin Bërdicë e Sipërme.

12. Taip Halili, i biri i Halilit dhe i të ndjerës Bice, lindur e banues në katundin Bërdicë e Mesme, vjeç 45, bujk.

13. Martin Roku, i biri i të ndjerit Rok dhe i Mrikës, lindur e banues në katundin Bërdicë e Poshtme, vjeç 30.

Të pandehun

Sepse: Më datën 20 janar 1945, janë takuar me Jup Kazazin e Hasan Isufin me të cilët kanë organizuar kryengritjen dhe kanë prerë rrugën një maqine dhe një motoçikletë dhe kanë vrarë e plagosur partizanët e këtyre maqinave.

Në procedimin gjyqësor të rrjedhur faqësisht, të pandehurit kanë mohuar fajin për të cilin akuzohen, tue pretenduar se janë të pafajshëm.

Gjyqi si shqyrtoi aktet, pretendimet e të pandehurve arsyetoi:

Me qenë se të pandehurit Haxhi Ahmeti, Veli Sala, Lush Paloka, Shaban Dana Martin Roku, Taip Halili, mbi lajmërimin e bamë kanë shkuar në Beltojë dhe janë takuar me Hasan Isufin e Jup Kazazin, dhe mbasi kanë biseduar me ta dhe ndonësi i kanë kundërshtuar propozimet e tij, por nuk lënë aspak dyshim që këta të mos kenë pranuar, mbasi tue qenë të gjithë së bashku kanë shkuar në katundin Bërdicë.

Me mbërritjen e tyre në Bërdicë, së pari është takue dhe i pandehuri Hider Duli dhe mbas një bisedimi të shkurtër ka pranuar t’i udhëheqë Hasanin dhe Jupin në drejtim të Urës së Bahçallëkut, Shkodër, me qëllim kryengritje, mandej nga të pandehurit Haxhi Ahmeti ka lajmërue dhe të pandehunit e tjerë Dan Velin, Shaban Dinin, Martin Loria, Faik Lanin e Kin Shukun. Këta të fundit, me gjithë që pretendojnë se nuk kanë pasë dijeni nga lëvizja, por është e natyrshme se më ardhjen e fuqisë kryengritëse në katund dhe shpërndarjen nëpër shtëpija, kanë marë vesh qëllimin e tyre mbasi kish ditë që zhvillohej propoganda kryengritëse, fakt ky që pohohet si me pohimin dredharak të këtyre dhe me deklarimet në procesin e Ded Shabanit e Ndue Nikajt; këta të fundit kanë mbledhë gjithë katundet për të bërë mobilizimet.

Me qenë se të pandehurit nuk lënë aspak dyshim se mbasi kanë ardhë në katundin e tyre Bërdicë bashkë me Hasan Isufin e Jup Kazazin u kanë treguar ndodhjen e partizanëve e të automobilit aty, kanë vrarë e plagosur këta dhe marrë teshat e ngarkuara në automoil, kështu që janë bërë vegla të ndërgjegjshme për tradhëtarët për formimin e organizatës kryengritëse.

Me qenë se të pandehurit Haxhi Ahmeti, Lush Paloka, Veli Sala, Hider Duli, Shaban Dini, Taip Halili e Martin Roku me parullat e tyre dhelprake kanë mundur të marrin pas vedit dhe të pandehurit Dan Velin, Shaban Dini, Martin Loria e Faik Lami për t’u bashkuar me kryengritësit për të hyrë në luftë kundra Frontit N.Ç. edhe pushtetit të Popullit, pa mos ju vënë në dijeni qëllimin e tij dhelprak e përfundimtar.

Nga të pandehurit Hider Duli me rastin që kthehesh nga Shkodra është takuar me të pandehurin Haxhi Ahmetin me shokë dhe mbasi ka marrë vesh qëllimet e tija asht shoqërue me ta dhe kanë shkuar e takuar me Hasan Isufin e Jup Kazazin, ku të gjithë së bashku janë kthyer në katundin e tyre dhe për këtë nuk lenë aspak dyshim që ky të jetë marrë vesh më parë e për të shikuar gjendjen e brendshme të qytetit ka ardhur këtu [Shkodër] dhe mandej ua ka raportuar kryengritësve.

Sa për të pandehurin Rexhep Halili, ky natën e ngjarjes ka ndodhë në Shkodër pranë djalit të tij që e kish partizan, fytyra e patronditur nuk len aspak dyshim që ky të jetë i kompromentuar në organizatën e kryengritjes dhe të preries të automobilave.

Prandaj Trupi Gjykues bashkarisht tue pëlqye edhe mejtimin e Prokuroris vendosi: 1) Fajsin e të pandehurve Haxhi Ahmeti, Lush Paloka, Veli Sala, Hider Dulit, Shaban Danit, Taip Halilit e Martin Rokut si bashkëpunëtorë direkt të Hasan Isufit e Jup Kazazit në kryengritjen dhe prerjen e automobilit, plagosjen e vrasjen e partizanëve; 2) Fajtorin e të pandehurve Dan Veliu, Shaban Dini, Martin Loria, Faik Lami e Kin Shuku si dijetarë të lëvizjes dhe të preries së automobilit e të plagosjes e vrasjes së partizanëve; 3) Pafajësinë e të pandehurit Rexhep Halilit dhe lirimin e tij nga burgu në mos qoftë i ndaluar për ndonjë çështje tjetër.

Mbasi u deklarua vendimi i fajësis, prokurori kërkoi caktimin e dënimit simbas Nenit I të Ligjës nr. 21, datë 15 dhjetor 1944. Kurse të pandehurit kërkuan lehtësimin e dënimit.

Nga ana e tij, Trupi gjykues mbasi bisedoi çështjen e së drejtës, duke marrë parasysh se faji i të pandehurve Haxhi Ahmeti, Lush Paloka, Veli Sala, Hider Duli, Shaban Dani, Taip Halili e Martin Roku i takon Nenit I të Ligjës nr. 21, datë 15.12.1944, vendosi dënimin e tyre me vdekje, gjithashtu po në bazë të këtij neni vendosi dënimin e Dan Veliut, Shaban Dinit, Martin Lorias, Faik Lamit e Kin Shukut me nga 30 (tridhjetë) vjet burgim.

Ky vendim iu referue Gjykatës së Naltë Ushtarake për shqyrtim.

 

 

 

 

Telegrami i Mehmet Shehut për Enver Hoxhën:

Të pushkatohen 22 kryengritësit e Bërdicës

 

 

 

Mehmet Shehu dënonte, Enver Hoxha aprovonte

Në krye të operacionit për shtypjen e lëvizjeve kundërkomuniste në Veri ishte vetë Mehmet Shehu. Nga dokumentet arkivore rezulton se ai mbante një komunikim të vazhdueshëm me Komandantin e Përgjithshëm, Enver Hoxhën, duke e informuar për situatën dhe për të marrë aprovimin e tij për verpimet e mëtejshme. Në vijim, po japim telegramin e datës 9 shkurt 1945, ku duket qartë se vendimet për dënimet me vdekje apo burgime nuk i merrte trupi gjykues (sipas ligjit komunist në fuqi), por Mehmet Shehu dhe i aprovonte Enver Hoxha.

 

Telegrami i Mehmet Shehut

Tepër Urgjent

Nr. ekstra, datë 9.II.1945

Komandantit të Përgjithshëm

Gjeneral Kol. Enver Hoxhës

Nga shqyrtimi i proceseve të 21 të dënuarve me vdekje propozoj të pushkatohen këta 12 veta: Xhemal Mëlika nga Leshi, bashkëpunëtor i Ded Shabanit e bazë kryesore të reaksionarëve; Hider Dulin, Shaban Danin, Taip Halilin, Martin Rokun nga Bërdica, bashkëpunëtorë të ngushtë të Hasan Isufit; Mark Nikollë Alaj, Kol Lesh Lekën e Gjok Tom Kokaj nga Ivanaj, sulmues të Koplikut; Palok Ucin, Gjon Markun, Nikoll Keçin e Nikoll Baçin nga Mali Kolaj, bazë e bashkëpunëtorë të Ded Shabanit.

Për Llesh Zefin nga Grykë e Manatisë Leshit, sabotator, disfatist, kollon e pestë propozoj 15 vjet burg. Për Nikoll Ramën, Zef Tolën, Kol Gjetën, Gjok Gjonin e Kol Marashin nga Mali Kolaj, që i janë përgjigjë thirrjes së Ded Shabanit për të sulmuar Lezhën, por që s’janë fajtorë kryesorë por vetëm popull i gënjyer, propozoj dënimin e tyre me 30 vjet burg. Për Marl Luç Gjonin, Tom Lek Dakën e Gjon Nikollë Vocin nga Vukpalaj, tue qenë se nuk është faktuar akoma akuza e tyre e proceset duhet rishqyrtuar, propozoj pezullimin e ekzekutimit të tyre e rishqyrtimin e proceseve nga gjyqi. Gjyqi dënoj me burg këta 29 veta: Jak Lushin, Rrok Gjushin e Gjon Pjetrin, këshilltarë të Beltojës që kanë pasë diejni për veprimet e Hasan Isufit, me 30 vjet burgim; Geg Enjëllin, këshilltar i Beltojës, me 15 vjet; Shyqri Bushatin, Shefki Bushatin, Myfit Bushatin, nga Shkodra e strehues të Sulçe Begut, me 30 vjet burgim; Lal Metin e Kol Markun, këshilltarë të Trushit që kanë pasë lidhje me Hasan Isufin, me 30 vjet burgim; Dan Velin, Shaban Dinin, Martin Lorjan, Faik Lanin e Kin Shukun,  këshilltarë të Bërdicës që kanë pasë lidhje me Hasan Isufin, me 30 vjet burgim; Gjeto Tolin, Prek Kolën, Gjokë Gjinin e Tom Zefin, nga Mali Kolaj, bashkëpunëtorë me armë me Ded Shabanin, me 30 vjet burg; Kol Gjokën nga Ivanaj, bashkëpunëtorë me Gjon Martinin, me 20 vjet burg; Zef Gjonin nga Ivanaj me 15 vjet; Ujk Shitin nga Ivanaj me 10 vjet; Met Shytin nga Ivanaj me 5 vjet; Dan Salën, Tom Markun, Rrok Pashukun, Idris Canin, Ali Mustafan e Emin Beqirin, këshilltarë të Melgushit, që kanë pasë lidhje me Ded Shabanin, por nuk i janë përgjigjë thirrjes së tij, me 1 (një) vit burg.

Për mungësa faktesh liruam 37  (tridhjetë e shtatë). Gjyqi vazhdon dhe mund të dënohen me vdekje rreth 20 veta të tjerë. Presim urgjentisht aprovimin për ekzekutim të vendimeve.

 

Mehmeti

Nr. 9, 10 fruer 1945

 

Aprovimi i Enver Hoxhës

Radiogram Urgjent

Korpusit III-të

Gjegje radiogramit nr. extra, datë 9 fruer 1945.

Aprovohen ndëshkimet me vdekje të 12 vetëve dhe ndëshkimi i të tjerëve me dënime të ndryshme propozue me të sipërmin. Na njoftoni datën e ekzekutimit.

Enver Hoxha

(firma)

Tiranë, më 10 fruer 1945

Nr. 35 regj, 1945

 

Gjykimi në Gjykatën e Naltë Ushtarake

Tetëmbëdhjetë ditë pas aprovimit të Enver Hoxhës për dënimin e tyre me vdekje, me komunikatën nr. 35, datë 28 shkurt 1945, Prokuroria e Gjykatës së Naltë Ushtarake ia përcjell çështjen për gjykim Gjykatës së Naltë Ushtarake me mejtimin që akt-gjykimi nr. 15, datë 31 janar 1945, i Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III, Shkodër, të aprovohet.

Në vendimin nr. 35 të Gjykatës së Naltë Ushtarake shpallur në Tiranë, më 28 shkurt 1945, gjejmë:

Gjykata e Naltë Ushtarake e formueme prej Gaqo Floqit, Kryetar, dhe Frederik Nosi e Veledin Zejneli, anëtar, në prezencën e Prokurorit pranë kësaj Gjykate, major Myftar Tares, dhe me asistencen e sekretarit, Jani Thoma, mbasi shqyrtoi proceset e para mbi pyetjet e të pandehurve nga ana e autoriteteve kompetente; mbasi shqyrtoi procesin e rrjedhjes së gjykimit si dhe gjithë aktet e tjera që ndodhen në dosje; mbasi mori mejtimin e prokurorit, i cili kërkonte të vendosej aprovimi i këtij vendimi si i ligjshëm dhe i rregullshëm; mbasi bisedoi çështjen nga pikëpamja e faktit dhe e së drejtës, do observonte:

Në fakte: Haxhi Ahmeti, Lush Paloka, Veli Sala, Hidër Duli, Shaban Dini, Taip Halili e Martin Roku, më datë 20 janar 1945, kanë shkuar në katundin Beltojë e janë takuar me kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit t’arratisurit Hasan Isufi e Jup Kazazi, prej të cilëve ju është propozue për të organizuar një kryengritje reaksionare kundra Ushtrisë Nacionalçlirimtare e pushtetit të popullit. Këta, mbasi kanë pranuar propozimin e bamun, janë nisur bashkë me t’arratisurit e sipërm për në katundin e tyre Bërdicë, ku mbasi kanë bërë mobilizim në banorët e katundit, të cilët i kishin vu në dijeni më parë me anën e prorpogandës që kishin zhvillue, kanë pranue vetë së bashku me katundarët e mobilizuem të vihen nën urdhërat e udhëheqjen e kriminelave Hasan e Jup për të shkue te Ura e Bahçallëkut e për të sulmue Shkodrën. Kur kanë mbërritë në katundin Bërdicë, kanë marrë vesh se ndodheshin atje partizanët me një automobil, i kanë sulmue këta dhe mbasi i kanë vra e plagosur partizanët ju kanë marrë teshat që ndodheshin në automobil. Tue u ba organe të ndërgjegjshëm të reaksionit kanë mobilizue një pjesë katundare duke mos ju tregue qëllimin e tyre kryengritës. Me cilësinë e tyre si Këshill i katundit, kanë autorizue sabotatorin e luftës t’arratisunin Ded Shabanin me ba mobilizim në popullsin e katundit për ta hedhë në luftë kundra Ushtrisë Nacional Çlrimtare e Pushtetit të Popullit, fakt ky që provohet me aktin e datës 19 janar 1945, që ndodhet në dosje dhe se pretendimi i tyre se gjoja nuk kanë pasë dijeni se për ç’arsye Deda kërkonte autorizim mobilizimi është pa vend, për shkak se këta e kanë dijt shumë mirë qëllimin e Dedës për deri sa kanë qenë lidhun ngushtë me Hasan Isufin e Jup Kazazin dhe për që akti i autorizimit është lëshue dy ditë para komplotit reaksionar.

Të gjitha këto sa ma sipër janë provue plotësisht e bindësisht nga procesverbalet  e mbajtura prej organeve të Mbrojtjes së Popullit, prej Hetuesisë, prej rrjedhimit të gjykimit, nga dokumentat dhe aktet e tjera që ndodhen në dosje si dhe nga pohimet dredharake të të dënuarve.

Në ligjë: Ndonëse prokurori në pretencën e tij të fundit nuk ka caktuar sasinë e ndëshkimit që kërkon (theksojmë që sasia e ndëshkimit i ishte kërkuar Enver Hoxhës nga Mehmet Shehu, me telegramin Tepër Urgjent, Nr. ekstra, datë 9.II.1945 -V.H.); megjithëse Gjykata së bashku me ndëshkimet me vdekje nuk ka urdhëruar dhe konfiskimin e pasurisë të të pandehurve në bazë të nenit 19, paragrafi III, të Ligjës nr 41, prap se prapë këto të meta formale nuk prekin esencën e vendimit, i cili është i drejtë dhe i ligjshëm, mbasi është në proporcion me damin e shkaktuem nga veprat e të dënuarve si sabotator të pushtetit të popullit.

Prandaj, në bazë të nenit I të Ligjës mbi sabotatorët e luftës nr. 21, datë 15 dhjetor 1944, dhe në bazë të neneve 19 e 31 të Ligjës mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Ushtarake nr. 41, datë 14 janar 1945, konform dhe me kërkimin e Prokurorit, vendosi: Aprovimin e akt-gjykimit nr. 15, datë 31 janar 1945, të Gjykatës Ushtarake të Korparmatës III-të Shkodër, simbas të cilit është vendosë ndëshkimi i Haxhi Ahmetit, Lush Palokës, Veli Salës, Hidër Dulit, Shaban Danit, Taip Halilit, Martin Rrokut, nga katundi Bërdicë, ME VDEKJE, duke urdhëruar njëkohësisht dhe konfiskimin e pasurisë së tyre të luajtshme dhe të paluajtshme.

 

V. Publikimi i gjyqeve politike në shtypin e kohës

 

Proceseve politike u bëhej një jehonë e madhe në shtypin komunist të kohës, duke patur si synim kryesor krijimin e një klime terrori në popull për ta patur më të lehtë sundimin e tij. Po japim për lexuesin një shkrim që përzgjodhëm nga gazeta “Bashkimi” e datës 14 shkurt 1945.

 

Nisi në Shkodër spastrimi i tradhtarëve

Më 11 shkurt, n’ora 5.30, u pushkatuan këta tradhëtarë të dënuar nga Gjyqi Ushtarak i Korp Armatës së III-t:

Hider Dyli, Shaban Dani, Taip Halili, që të tre ish këshilltarë të Bërdicës dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit; Mark Nikollë Malaj, Kolë Llesh Leka e Gjon Tom Kolaj, që të tre nga Ivanaj, strehonjës të tradhëtorit Gjon Martini dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit; Xhemal Mlika nga Lleshi, Palok Uci nga Hoti dhe Gjon Marku, Nikollë Keçi e Nikollë Baci, këta të tre të fundin nga Malkolaj dhe që të pesë strehonjës reaksionarësh të arratisur, bashkëpunëtorë me tradhëtarin Ded Shabani dhe pjesëmarrës me armë kundra Pushtetit të Popullit.

U dënuan me vdekje dhe dy tradhëtarë, ekezekutimi i të cilëve do të lajmërohet më vonë, porsa që të kryhet: Sulçe-Beg Bushati e Dom Lazer Shantoja, që të dy bashkëpunëtorë me okupatorin dhe armiq të deklaruar të popullit.

U dënuan me tridhjetë vjetë burgim: bashkëpunëtorë me tradhëtorë kundra Pushtetit të Popullit Nikollë Toma, Zef Toli, Kolë Gjetja, Gjok Gjoni, Kolë Marashi, Gjeto Toli, Preg Kola, Gjok Gjini, Tom Zefi, që të nëntë nga Malkolaj; Jak Lushi, Rrok Gjushi, Gjon Pjetri, që të tre ish-këshilltarë të Beltojës; Lal Meti, Kolë Marku, që të dy ish-këshilltarë të Trushit; Dan Velija, Shaban Dini, Martin Lorja, Faik Lani, Kin Shuku dhe Kol Gjoka, pesë të parët nga Bërdica dhe i fundit nga Ivanaj, si strehonjës të Sylçe Begut; Shyqyri Bushati, Shefki Bushati e Myfit Bushati, që të tre nga Shkodra; u dënuan me nga 15 vjet burgim si përkrahës të armiqve të popullit Zef Gjoni nga Ivanaj, dhe Gegë Engjëlli, ish-këshilltar i Beltojës; si sabotator dhe disfatist i Lëvizjes Nacional Çlirimtare Llesh Zefi nga Gryk’ e Manatisë Leshit; u dënua me 10 vjet burgim si përkrahës i armiqve të popullit Ujk Shyti nga Ivanaj dhe po me këtë arsye me 5 vjet Met Shyti nga Ivanaj.

U dënuan me nga 1 vit burgim si sabotatorë të pushtetit të popullit Dan Sala, Tom Marku, Rrok Pashku, Ali Mustafaj, Idriz Cani, Emin Zeqiri që të gjashtë ish-këshilltarë të Melgushit dhe Engjëll Gjoka ish-këshilltar i Beltojës.

 

Bibliografia

1. Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme, Fondi hetimor – gjyqësor, Dosjet e të gjykuarve për kryengritjen kundërkomuniste të Ded Shabanit.

2. Gjovalin Gjeloshi, Brezni të Kelmendit, 1, Gjergj Fishta, Lezhë, 2006

3. Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptare 1912-2005, Tiranë, 2006.

4. Nikoll Melyshi, Ngjarje historike të ndieme, të pame e të jetueme, 5571 Grandy, Detroit, MICH 48211, USA, 1976.

5. Uran Butka, Lufta civile në Shqipëri 1943-1945, Drier, Tiranë, 2006.

6. Uran Butka, Kryengritjet e para kundërkomuniste, ISKK, Tiranë, 2013.

7. Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlrimtare Shqiptare, V.I, Botimi i dytë, “8 Nëntori”, Tiranë, 1976

8. Marubi, Shqipëria 1858-1950, Pegi, Tiranë, 2006

8. Epopeja e luftës antifashiste nacionalçlrimtare e popullit shqiptar 1939-1944 (album fotografik).

10. “Bashkimi”, 1945.

11 “Gazeta Zyrtare”, 1945.

12 “Në shërbim të popullit”, 1973.

Share it :