Do të ringrihemi edhe më të fortë/ Basha: Pse i humbëm zgjedhjet

Jetmir Olldashi

foto grupi per lajmin e Bash;sPD as nuk zhduket, as nuk blihet. Ajo ka ditur të ringrihet dhe të fitojë në momente të tilla sfidash për të mirën e Shqipërisë

“Zgjedhjet vendore të 21 qershorit pritej të shënonin një përparim dhe një frymëzim të ri për demokracinë në vendin tonë, sidomos në kushtet kur kemi marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe synojmë hapjen e bisedimeve për anëtarësim të plotë në familjen evropiane”. Kjo ka qenë deklarata e liderit të opozitës para grupit demokrat parlamentar në mbledhjen e tij të parë pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Por realiteti i ofruar nga këto zgjedhje ka qenë tepër zhgënjyes, sipas shefit të opozitës: “Për fatin e keq të shqiptarëve dhe për turpin e qeverisë Rama-Meta, këto zgjedhje po vulosen dita-ditës, sa më qartë del në pah e vërteta e tyre tronditëse, si zgjedhje jashtë çdo standardi bashkëkohor evropian, si zgjedhje jo të lira dhe të ndershme”.

 

Zgjedhjet u dhunuan

Basha tha se mungesa e standardeve, përdorimi i malavitës dhe botës së nëndheshme të krimit ishin arsyeja kryesore e humbjes së opozitës. “Në këto zgjedhje u dëshmua shfaqja më brutale e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim në qeverisjen e Republikës së Shqipërisë”. Kreu i selisë blu ka renditur një sërë precedentësh kriminal sipas tij që dhunuan standardin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. “1. Aktin e paprecedentë të kandidimit të përfaqësuesve të krimit, trafikantë, tutore, pengmarrës dhe kriminelë të njohur e të skeduar që dyshja Rama-Meta i kandidoi. 2. Aktivizimin e bandave të armatosura kriminale që vepruan nën mbrojtjen e policisë para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve. 3. Angazhimin si kurrë më parë në zgjedhje të të gjithë strukturave të shtetit, tatimorëve, inspektorateve, drejtorive arsimore dhe të shëndetit, burgjeve, OSHE e në veçanti të policisë. 4. Kërcënimin e administratës publike për votën dhe përdorimin e aseteve publike në funksion të fushatës të kandidatëve të qeverisë. 5. Derdhjen marramendëse të fondeve publike dhe parave të krimit dhe të korrupsionit qeveritar për të blerë masivisht votat me lekë, me ushqime e me veshmbathje. 6. Sekuestrimin e mijëra kartave të identitetit, kundrejt shpërblimeve monetare apo ushqimore. Manipulimin e listave zgjedhore dhe mbushjen e kutive të votimit veçanërisht gjatë pasdites së 21 Qershorit në një numër të madh qendrash votimi pas nxjerrjes jashtë me forcë të komisionerëve të opozitës. 7. Presioni ndaj institucioneve administruese të zgjedhjeve, si KQZ, vendimet antiligjore dhe standardet e dyfishta të së cilës merituan një vend të veçantë në raportin e ndërmjetëm të ODIHR-it”.

 

Prova dhe fakte

Basha u ka paraqitur ligjvënësve të forcës së tij politike disa prej rasteve flagrante të dhunimit të standardeve të zgjedhjeve dhe deformimit të vullnetit të zgjedhësve, sipas tij. Kryetari i PD-së i mëshoi faktit që PD-ja u përball me rivalë të kriminalizuar dhe dhunë në zgjedhje, sipas tij, të denoncuara dhe nga faktori ndërkombëtar. “Ndonëse Partia Demokratike dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, SHBA, BE, PE, u angazhuan fuqimisht në procesin e dekriminalizimit, dyshja Rama Meta në shpërfillje të hapur të angazhimeve të tyre formale kandiduan në zgjedhjet vendore përfaqësues të botës së errët të krimit si Artur Bushi në Krujë, Artur Bardhi në Kurbin, Elvis Roshi në Kavajë, Ndoni në Këlcyrë, Peçi në Tepelenë, Qaja në Devoll, Kokoneshi në Divjakë, Hasalla në Peqin, individë që ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve, punonjësve të administratës si dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota”. Zoti Basha përmendi për herë të parë emër për emër të gjithë personat e përfolur me rekorde kriminale si kandidatë në këto zgjedhje. Gjithashtu, kreu demokrat nuk la pa përmendur edhe bandat që vepruan, sipas tij, në pjesë të veçanta të territorit. “Në zgjedhje u përfshinë banda të lidhura me pushtetin, të cilat vepruan me si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë që nuk ndërmori asnjë masë edhe përkundrejt denoncimeve të opozitës, si ajo e Shullazit dhe Xhabaftëve në Tiranë dhe Vorë, “Hakmarrja për Drejtësi” në Lushnjë dhe në Vlorë, bandat e Ben Qimes në Fier, banda e Kazazëve në Kavajë, bandat e Taullaut, Dokles, Lul Berishës dhe Hoxhës në Durrës, banda e Spahinjve në Bulqizë, banda e Suel Çelës në Elbasan etj”. Lulzim Basha sikundër kanë bërë dhe eksponentë të tjerë të kupolës së selisë blu, këto kohë ka sjellë në vëmendjen e publikut dhe arratisjen spektakolare të Arben Frrokut, pas dënimit me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Lideri demokrat akuzoi dhe denoncoi përfshirjen e Frrokut në zgjedhjet vendore dhe bashkëpunimin e tij me Edi Ramën. “I dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, Arben Frroku, u përfshi në një fushatë të ethshme në Pukë. Ai jo rastësisht u lirua pak para zgjedhjeve, por si garanci për të punuar në krah të Edi Ramës në Pukë me të cilin është parë dhe në ambiente publike. Si shpërblim Arben Frroku mori të drejtën për t’u larguar jashtë vendit vetëm pak ditë para se ai të dënohej me burgim të përjetshëm nga gjykata e Apelit.”

 

Mbështetja ndërkombëtare

Kreu i selisë blu, Lulzim Basha, tha se edhe ndërkombëtarët ndanin të njëjtin mendim me PD-në për dhunimin e zgjedhjeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan: “U bëjmë jehonë gjetjeve paraprake të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore dhe ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara dhe parregullsi të tjera”.

Këshilli i Evropës deklaroi: “Ne jemi të shqetësuar për raportet që kemi dëgjuar për frikësimin, presionin që u është bërë atyre që punojnë në administratën publike që të votojnë në një mënyrë të caktuar apo për kërcënimet se do të hiqen nga puna. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian u tha mediave se sikur gjysma e kësaj liste parregullsish të jetë e vërtetë, zgjedhjet janë të falsifikuara”.

 

Reagimi i PD-së

Basha u deklarua edhe për reagimin e PD-së pas kësaj humbjeje të imponuar. Ai premtoi një analizë të thellë të shkaqeve dhe përgjegjësive të humbjes, “bashki më bashki, zonë më zone e kuti më kuti”. “Kemi kaluar dy vite të vështira ku mbi të gjitha na është dashur të mbijetojmë dhe të rezistojmë përballë dhunës, agresionit, sulmeve dhe presioneve që synonin deri eliminimin e opozitës politike. Por për të arritur fitoren që të gjithë duam duhet te ringrihemi mbi këtë besim dhe ketë force. Bashkim, ribashkim, hapje, për të ftuar e bashkëpunuar me këdo dhe me të të gjithë ata që pranojnë të ndajnë opozitën me ne dhe jo interesin”. Lideri i Partisë Demokratike u shpreh i bindur se forca politike që ai përfaqëson do të kthehet edhe më e fortë më bindëse dhe më e plotë në betejën e radhës elektorale. Ai iu kthye precedentëve të së shkuarës momenteve të vështira të së djathtës dhe u shpreh optimist: “Në historinë e saj PD ka pasur momente të vështira dhe shumë të vështira. Këta që fërkojnë duart sot i kane fërkuar dhe atëherë, duke menduar se e zhduken, e blenë dhe kësisoj do mund të mbretëronin të qetë. PD as nuk zhduket, as nuk blihet. Ajo ka ditur të ringrihet dhe të fitojë në momente të tilla sfidash për të mirën e Shqipërisë. Unë ju premtoj se do të punoj me mish e me shpirt për të arritur këtë dhe nuk do ta tradhtoj besimin tuaj”, – përfundoi zotimin e tij kreu i PD-së, Lulzim Basha.

 

Share it :