Do të paguajmë 110 mijë euro/ditë më shumë për naftën

 Ervin Kaduku

 

 Rama e Ahmetaj tallen me shqiptarët: Ecni më shumë në këmbë, se po bëheni obezë! Po ata që lëvizin nga Shkodra apo Kukësi? 45 për qind e çmimit që paguhet për karburant furnizon buxhetin e shtetit

 

karburantShqetësimi i parë për shqiptarët lidhur me ndryshimet në sistemin fiskal, që ka të bëjë me rritjen e menjëhershme të çmimit të karburanteve në treg, është shoqëruar me një tallje në nivel të lartë nga ana e qarqeve më të larta të ekzekutivit. Duke folur dje për të shpjeguar propozimet më të fundit të qeverisë nëpërmjet paketës fiskale, që ka mbërritur në Kuvend, Kryeministri Rama theksoi se janë të pavërteta deklarimet se me rritjen 10 lekë të çmimit të karburantit, do të shtrenjtohet jetesa në vend. Sipas Kryeministrit, qeverisja e kaluar e rriti disafish çmimin, ndërsa qeveria aktuale nuk do të lejojë që kjo rritje të japë asnjë impakt në çmime, përkundrazi do të sjellë impakt, sipas tij, në pastërtinë e mjedisit. Rama e argumentoi kështu idenë e tij, ndërkohë që bëri thirrje “për të mos përhapur panik”.

 

Kryeministri
“Nuk mund të themi se u përmbys Shqipëria për 10 lekë që shtohen. Jo vetëm që nuk ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë për çmimet, por përkundrazi, këto shtohen për të financuar shërbimin ndaj qytetarëve, për një mjedis më të pastër, sepse kjo është një taksë e vendosur qysh në krye të herës dhe një taksë që, nga vendet normale, i shërben ndotjes së mjedisit, uljes së trafikut në qytete dhe shëndetit publik dhe nuk shkon si barrë në xhepat e atyre që nuk marrin makinën për të bërë xhiro në bulevard apo në distanca të shkurtra brenda qytetit. Por, shkon në xhepat e atyre që kanë një mundësi të kenë një makinë dhe është botërisht e njohur që është një taksë që dekurajon lëvizjen me makinë në qytet dhe kjo në të mirë të shëndetit publik, që të lëvizin më shumë në këmbë apo mjete të tjera dhe këtë e bën gjithë bota dhe mos e bëkemi dot ne. Do shtohen financimet për të rritur përmasën e gjelbër për të zgjeruar mushkëritë e vendit tonë dhe njëkohësisht për të përmirësuar shërbimet shëndetësore”, – u shpreh Rama.

 

Ministri

Nga ana e tij, iso mbajti në këto deklarata edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, duke thënë se “kostoja për çmimin e naftës ka si qëllim që të mos rëndojë si peshë tek qytetari”. Pra, ministri që ka në juridiksion mbrojtjen e konsumatorit nga çdo abuzim në tregjet vendase, duke shpjeguar sistemin e ri të taksave, pjesë e buxhetit 2014, tha se “nga rritja e taksës së karburantit koston nuk do ta marrë qytetari i zakonshëm”. “Qytetari nuk do të preket nga kjo taksë. Me sistemin e ri të taksave, nuk do të rritet me asnjë lek çmimi i bukës, bile do të ulet 25% më pak nga ulja e taksës që qeveria ka ndërmarrë për biznesin e vogël. Industria që përdor naftën do të marrë këtë kosto, jo qytetari i zakonshëm”, – tha Ahmetaj, duke theksuar se “asnjë element i ekonomisë nuk preket”. Ai premtoi: “Do të inkurajojmë industritë që përdorin naftën, pasi kostoja për këtë zë është vetëm 2.7%, ndërsa do të jenë 400 milionë lekë që do t’u kthehen pas atyre”.

 

 

Po si qëndron e vërteta?

 

Sikurse u konstatua që ditën e djeshme, çmimi i karburantit u rrit me 5 lekë për litër, madje para se të hyjnë në fuqi rregullat e reja fiskale. Hartuesit e paketës duhet ta kishin llogaritur që në Shqipëri një gjë e tillë ndodh rëndom, sa herë që kryhen veprime të ngjashme dhe, më pas, më e vështira është ta ulësh sërish çmimin, edhe kur ulet çmimi ndërkombëtar nëpër bursa.

Në fakt, lajmin për rritjen e çmimit të karburanteve nuk e ka hapur opozita, as mediat. Ai qëndron, i shkruar e zezë mbi të bardhë, në relacionin shpjegues të Ministrisë së Financave, në projektligjin për amendimin e taksave kombëtare. Citojmë: “Rritja e taksës së qarkullimit pritet të sjellë rritje të çmimit prej 6.6 dhe 6% përkatësisht për benzinën dhe gazoilin”. Kjo është e vërteta. Rritja e taksës së qarkullimit për naftën dhe benzinën, nga 7 lekë/litri, që është aktualisht, në 17 lekë/litri për gazoilin dhe 17 lekë/litri për benzinën pritet t’u kushtojë shtrenjtë përdoruesve të automjeteve, por edhe atyre që udhëtojnë përmes transportit publik. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, efekti vlerësohet 5.6 miliardë lekë shtesë për vitin 2014 për zërin “Taksa kombëtare”, çka nënkupton se përdoruesit e automjeteve dhe ata që përdorin transportin publik do të shpenzojnë rreth 40 milionë euro më shumë vetëm gjatë vitit 2014 për të marrë këtë shërbim. Një llogaritje e thjeshtë, tregon që për secilën nga 365 ditët e vitit, qeveria “Rama” parashikon të marrë 110 mijë euro më shumë nga xhepat e shqiptarëve, ndërkohë që, sipas thënieve të Kryeministrit, “nuk përmbyset Shqipëria”!

Shqipëria nuk përmbyset, por xhepat e qytetarëve do të boshatisen dhe kjo vjen ngaqë po mbitaksohet një sektor jashtëzakonisht i gjerë i biznesit. Tregu me pakicë i karburanteve është një prej sektorëve më të mëdhenj në Shqipëri për nga volumi i qarkullimit, me një xhiro vjetore të vlerësuar prej rreth 900 milionë eurosh. Nga kjo shumë, edhe tani, mbi 45% vlerësohet se shkon në buxhetin e shtetit në formën e TVSH-së, akcizës dhe taksave të tjera. Pra, paguajmë gati dyfishin e kostos reale të produktit në treg për taksa.

Shifra të tjera: Më shumë se 410 mijë mjete transporti furnizohen me naftë, benzinë e gaz në mbi 1.000 pika tregtimi me pakicë në të gjithë vendin. Gjatë vitit 2012 janë importuar rreth 431 mijë tonë karburante, sipas të dhënave nga Doganat.

 

 

Braktisja e premtimeve

 

Rama dhe Ahmetaj harrojnë, nga ana tjetër, se edhe rritja e tatimfitimit për kompanitë e mëdha, ku bëjnë pjesë pikërisht subjektet kryesorë të naftës, do të taksohen, nga 10 për qind, sipas taksës së sheshtë, në 15 për qind. E gjithë kjo kosto do të ngarkohet sërish në kurriz të konsumatorit, po ashtu sikurse këtu do të shkarkohej edhe kostoja e rritur për sigurimet shoqërore etj., etj.

Të pretendosh se nuk do të ketë rritje çmimesh në treg, kur vetë Ministria e Financave e ka llogaritur me hollësi këtë rritje; të thuash që me “10 lekë për litër” nuk bëhet “qameti”; madje t’u propozosh shqiptarëve të ecin më shumë në këmbë, se “u bën mirë”, të gjitha këto nuk mbajnë erë seriozitet. Thjesht, veprimet që po bëhen aktualisht nga qeveria, flasin jo vetëm për një largim total nga ato që janë premtuar në fushatë elektorale, por edhe për hapa të rrezikshëm drejt gjunjëzimit të ekonomisë shqiptare, rritjes së frikshme të evazionit dhe varfërimit të skajshëm të banorëve të këtij vendi.

 

 

Qeveria merr 130 milionë euro borxh të ri javën e ardhshme

Fundi i vitit po shoqërohet me një kërkesë të lartë për borxh, si në lekë, ashtu edhe në valutë, duke testuar financat shqiptare nëse do të arrijnë që të marrin borxh me interesa më të ulëta, ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë këtij viti. Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, kjo e fundit do të shesë në 26 dhjetor për llogari të financave 12.8 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 12 dhe 3-mujor. Për bonot 12-mujore shuma e shpallur për shitje është 10.3 miliardë lekë dhe për ato 3-mujore 2.5 miliardë lekë.

Kërkesa ka qenë shumë e lartë për obligacionet fikse 2-vjeçare në euro, të cilat emetohen rishtazi. Në ankandin e parë të këtij lloji, financat do të kërkojnë të shesin 40 milionë euro, me një kupon indikativ mjaft tërheqës prej 4.4%.

Deri tani, Financat kishin shitur bono në euro me maturitet deri në një vit. Ankandi pritet të zhvillohet po në 26 dhjetor.

Në total, qeveria do të kërkojë të marrë një borxh prej 130 milionë euro në javën e fundit të këtij viti.

Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, shuma e shpallur varet më shumë nga maturimet e asaj periudhe dhe diçka më pak nga shtesa e kërkuar. Fundviti gjithmonë ka një nivel rifinancimi (borxh që rinovohet nga viti i kaluar) të madh se mbyllen pagesat. Kjo nuk ka shumë lidhje me rritjen e borxhit deri në fund të vitit sesa me financimin e lartë të kërkuar vitin e kaluar që maturohet në këtë periudhë.

Ankandi i radhës vjen pasi Banka e Shqipërisë ka ulur normën bazë të interesit në një nivel të ulët rekord prej 3%. Megjithatë, ky do të jetë test i radhës nëse interesi i bonove do të vijojë uljen, teksa bankat që nga tremujori i tretë kanë filluar të tërhiqen nga blerja e bonove dhe kërkesa e qeverisë për borxh ka qenë shumë e lartë. Për momentin, mungesa e kërkesës nga bankat është zëvendësuar me shtimin e blerjeve nga institucionet financiare jobankë (kryesisht kompanitë e sigurimit), sipas statistikave të Financave.

Do të rishikohet ligji i turizmit

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit nisi fazën e konsultimeve gjithëpërfshirëse për rishikimin e ligjit të turizmit. Takimi i parë u zhvillua në qytetin e Korçës, me praninë e përfaqësuesve të njësive të qeverisjes vendore të qarqeve Korçë dhe Gjirokastër, sipërmarrjeve turistike, universiteteve, shoqërisë civile, shoqatave të turizmit, organizatave të huaja etj. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, ministrja Eglantina Gjermeni u shpreh se kjo iniciativë po ndërmerret për të vendosur standarde licencimi, për të rritur cilësinë e shërbimeve, si edhe për të krijuar një treg konkurrues turistik.

Sipas saj, të gjitha këto do të ndikonin në rritjen e të ardhurave, rritjen e numrit të personave të punësuar në sektorin e turizmit, si edhe zgjatjen në kohë të sezonit turistik. “Kjo nismë që kemi marrë do të shikohet si një nismë e përbashkët dhe thekson nevojën që turizmi duhet të zhvillohet në partneritet me të gjithë aktorët dhe në bashkëpunim publik-privat”, – është shprehur Gjermeni.

Ministrja tha se Korça ishte stacioni i parë i fazës së nisur të konsultimeve, që do të pasohet nga takime në qytete të tjera për një proces sa më transparent dhe gjithëpërfshirës, ku do të dëgjohet dhe do të merret parasysh mendimi i të gjithë aktorëve në fushën e turizmit.

Një projekt i USAID-it, “Rritje Albania”, ka marrë përsipër të japë kontribut në procesin e rishikimit të ligjit.

 

Share it :