Ditëlindja e Ramës/ Basha uron gëzuar. Batuta: Më i vjetri mes meje, Nishanit e Metës, edhe me kilometrazh

Gëzim Saliu

Rama ditelindjeKreu i PD-së në Kukës: Rama bleu pushtetin, tani promovon njerëz të lidhur me krimin

Edhe pse kundërshtarë politikë, urimi për ditëlindje nuk ka munguar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar dje nga Kukësi, siç e do zakoni, Kryeministrin për 50-vjetorin e tij, ku nuk ka munguar edhe kundërpërgjigjja me batuta e kreut të opozitës ndaj urimit që vetëm pak kohë më parë i bëri Rama nga festa e përvjetorit të PS-së. “Me që ka ditëlindjen, le t’i urojmë gëzuar nga Kukësi, sipas zakoneve tona fisnike. Dikush kishte vënë re se është më i moshuari mes Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe shefit të opozitës. Këtë që është i vjetër e më i vjetri, kush nuk e di, por kilometrazhin s’e kishte treguar deri tani, e paska dhe kilometrazhin”, – tha Basha. Në ditën e përvjetorit të 23-të të PS-së ishte edhe ditëlindja e kryetarit te PD-së Lulzim Basha, për të cilin Rama rezervoi një urim gjatë fjalës që mbajti, duke e shoqëruar me nota ironie. “Nuk do të kishim ngurruar ta ngrinim një dolli edhe për ditëlindjen e kryetarit të tyre të ri, i cili është më i vjetër se partia jonë, po sidoqoftë ka lindur në një datë të shënuar. Shpresoj që vitin e ardhshëm, kur ne të bëhemi 24 e ai 41, të jemi së bashku. Ditëlindja ime nuk përkon me atë të Partisë Demokratike, por nëse më ftojnë, unë do të shkoj me shumë kënaqësi në festën e tyre këtë vit edhe pse s’do ta kem fatin që në festën e tyre të ngrihet dolli për ditëlindjen time”, – pati theksuar kreu i qeverisë.

 

Mazhoranca

Në fjalën e tij në kuvendin zgjedhor të PD-së në Kukës, kryedemokrati solli në vëmendje diskriminimin që qeveria po u bën zonave që nuk votuan për të, ndër të cilat është edhe ky qytet, i cili ka përfituar zero fonde gjatë këtij vitit. Por sipas Bashës, përkeqësimi i situatës nuk ndalet këtu, pasi, siç theksoi ai, në vetëm 10 muaj mazhoranca nuk ka sjellë asgjë të mirë për vendin. “Pushteti në filozofinë e rilindjes, – tha kreu i PD-së, – është mall që blihet dhe shitet. Halli i madh që ka zënë këtë vend është fakti se Edi Rama dhe Ilir Meta, siç e faktuan edhe këtu në Kukës, e para çdo shqiptari nuk e kanë ndërmend të prodhojnë asgjë të mirë për këtë vend. Nuk e kanë pushtetin për qytetarët, për shqiptarët, për të bërë diçka për të përmirësuar diçka në fund të fundit, për të lënë një gjurmë, e kanë vetëm për veten e tyre, e kanë mall prandaj e blejnë. Se blejnë votat, se blejnë kryetarë bashkie, se blejnë vullnete, është një krim i rëndë, është korrupsion politik. Po nuk ndalen me kaq. Pasi kanë marrë pushtetin kanë promovuar nga Parlamenti e deri në postet më të larta drejtuese njerëz të lidhur kokë e këmbë me krimin”, – deklaroi kryetari i PD-së. Ndërkaq lidhur me procesin zgjedhor brenda PD-së, Basha pohoi se zgjedhja e drejtuesve të rinj përmes votës së lirë është investim jo vetëm për të ardhmen e partisë por edhe të vendit. Në këtë kontekst, lideri i opozitës nënvizoi se të zgjedhurit në krye të PD-së sot, do të zgjedhin drejtuesit e qeverisë nesër.

 

Detajet e 50-vjetorit të Kryeministrit/ Tortë me flamur shqiptar e amerikan, cilët ishin ftuar. Rama: 18 vjeç me 32 vite eksperiencë

Kryeministri Edi Rama ka festuar dje 50-vjetorin e lindjes, ku stafi i tij kishte përgatitur një festë private, në të cilën ra në sy torta që mbante bashkë flamurin shqiptar dhe atë amerikan. Burimet pranë Kryeministrisë bënë të ditur se torta tradicionale e ditëlindjes ka ardhur nga ambasadori amerikan Alexander Arvizu, vendi i të cilit festoi po ashtu dje festën kombëtare të SHBA-së. Përvjetori i 50-të i Ramës u organizua në godinën qendrore të qeverisë në Sallën e Hartave, ku veç urimeve dhe dhuratave, nuk kanë munguar edhe batutat politike. Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë uruar në përvjetorin e 50-të të lindjes nëpërmjet një postimi në profilet e tij në rrjetet sociale. “Faleminderit me zemër për urimet e panumërta dhe pse me kujtoni pa pushim se s’jam më i ri:-) Po mbase mund të jetë edhe kështu”, – shkruan ai më tej dhe përmes një fotoje përcjell shprehjen e njohur: “Jam 18 vjeç, por me 32 vite eksperiencë”, – shkruante ai. Në festën e nisur rreth orës 11:00, që zgjati për më shumë se një orë, ishin të pranishëm ministrat, deputetët e grupit parlamentar të PS, si edhe një pjesë të trupës diplomatike në vend. Ndërkaq, në festë ka munguar Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, për shkak të vizitës së tij në Izrael dhe ka rënë në sy prania e 5 deputetëve të PDIU-se, që renditen në opozitë, për të cilët Rama nuk e kurseu batutën kur ndau tortën. Ai iu drejtua kreut të kësaj force, Shpëtim Idrizi, duke i thënë se i takon pjesa e bardhë e ëmbëlsirës.

 

Mazhoranca kundër/ Rezoluta e vendorëve dhe PD-së i niset Ramës dhe Metës

Shoqata e Bashkive, ajo e Këshillave të Qarqeve dhe Shoqata e Komunave i kanë nisur zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama rezolutën për reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale, të miratuar më 2 korrik 2014, në konferencën “Zgjerimi i autonomisë vendore, reformë e qëndrueshme territoriale”. Në këtë konferencë kishte nj pjesëmarrje të gjerë duke filluar që nga të zgjedhurit vendorë, me mandatin përfaqësues të komuniteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë, kryetarët e bashkive dhe komunave, anëtarë të këshillave bashkiakë, komunalë e të qarqeve të Shqipërisë, nëpunës civilë dhe punonjës të administratës vendore dhe njësive të ndryshme që kryejnë shërbimet vendore deri tek përfaqësues të organizatave civile e deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Në platformë rezolutën e tyre, shoqata e vendorëve përcaktoi se thelbi udhëheqës i reformës duhet të jetë decentralizimi, zgjerimi dhe konsolidimi i autonomisë vendore. Po ashtu përmes saj u kërkua që çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë si edhe konsensusi në sallën e kuvendit deri në votimin e reformës. Ndërkaq vetëm dy ditë më parë, kryetari i komisionit të posaçëm për reformën administrative territoriale, Bashkim Fino në emër të mazhorancës iu përgjigj negativisht rezolutës së vendorëve, duke theksuar se për decentralizimin, nisma do të ndërmerret në muajin shtator. “Jam shumë i zhgënjyer, mendoja se pas takimit që kisha me ta do kisha një lloj zgjedhje. Sot nuk jam në gjendje të them, sepse nuk kam asgjë në treg nga PD, nuk kam asnjë hartë. Paçka se duhet decentralizimi që po e theksoj është i domosdoshëm për dy arsye: Në funksion të ndarjes së re territoriale dhe e dyta absolutisht dhe ne si mazhoranca duhet ta shtrijmë më tej decentralizimin e pushtetit vendor dhe kjo gjë do bëhet prezent. Brenda muajit shtator-tetor qeveria do sjellë ligjin ri të decentralizimit”.

 

 

Share it :