‘Dita e Rinisë, pa rini’/ Këlliçi thirrje të rinjve për të ndryshuar vendin: Nëse jo sot, kur?

‘Dita e Rinisë, pa rini’/ Këlliçi thirrje të rinjve për të ndryshuar vendin: Nëse jo sot, kur?

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një reagim të publikuar në Facebook me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, ngriti alarmin për situatën e rënduar të të rinjve në vend, duke e cilësuar këtë ditë “Ditën e Rinisë, pa rini”.

Këlliçi u shpreh se shoqëria shqiptare përballet me probleme të mëdha që lidhen me emigracionin masiv. Sipas tij, 79% e studentëve shprehin dëshirën për t’u larguar nga vendi, bazuar në një anketë të Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale. Edhe klasa e mesme, që ai e konsideron shtresën më produktive të shoqërisë, deklaron në masën 40% synimin për të emigruar.

Sipas deputetit demokrat, numri i nxënësve në arsimin parauniversitar është në rënie dhe fenomeni i mbylljes së shkollave, veçanërisht në zonat rurale, po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm. Ndërkohë arsimi universitar, sipas tij, nuk ofron cilësinë e duhur dhe studentët nuk e shohin më lidhjen mes diplomës dhe një të ardhmeje të sigurt në tregun e punës.

Këlliçi kritikoi edhe qeverinë, duke thënë se “vetë Kryeministri u premton të rinjve pasaportën europiane si zgjidhje për çdo hall”. Ai theksoi se mungesa e të rinjve ka sjellë pasoja të ndjeshme në tregun e punës, ku sektorë si ndërtimi, industria dhe turizmi përballen me mungesë të fuqisë punëtore, duke detyruar bizneset të marrin punëtorë nga vende të huaja.

Në reagimin e tij, deputeti theksoi se shumë të rinj, të keqinformuar dhe të paorientuar, po bien pre e drogës dhe krimit të organizuar, që, sipas tij, shfaqet si “shkalla e vetme sociale për të dalë nga varfëria”.

Megjithatë, Këlliçi u shpreh optimist se Shqipëria mund të ketë një të ardhme më të mirë, duke e cilësuar vendin si të aftë për t’u rinovuar dhe ndryshuar, nëse të rinjtë angazhohen realisht në proceset e reformimit. Ai i mbylli urimin e tij të 8 Dhjetorit me thirrjen ndaj të rinjve për të marrë përgjegjësi dhe për të luftuar për ta kthyer Shqipërinë në një vend europian: “Nëse jo sot, kur? Nëse jo unë, kush?”

Këlliçi:

Dita e Rinisë, pa rini!

8 Dhjetori e gjen shoqërinë shqiptare në një situatë tejet problematike sa i takon rinisë.

Shifrat e dëshirës për të emigruar janë në nivele alarmante, ku 79% e studentëve deklarojnë se kanë dëshirë të largohen, nga një anketë e Qendrës për Studime

Ekonomike dhe Sociale.

Klasa e mesme, shtresa më produktive e shoqërisë dhe ajo që nxit zhvillimin demografik dhe ekonomik të një vendi, deklaron se ka dëshirë të emigrojë në masën 40%.

Këto shifra tregojnë për një tendencë masive të ikjes e cila sigurisht që sjell pasojat e saj sociale, ekonomike dhe politike.

Nxënësit në arsimin parauniversitar janë pakësuar, me fenomenin gjithnjë në rritje të shkollave të mbyllura, sidomos në fshat.

Arsimi universitar nuk është në cilësinë e duhur dhe studentët, të cilët do duhej të ishin të parët të interesuar për ta reformuar, ndihen indiferentë dhe presin rastin të emigrojnë.

Arsimin nuk e shohin të lidhur me tregun e punës dhe diplomën të pavlerë për një jetë të suksesshme.

Xhanëm, cila alternativë ju jepet?

Vetë Kryeministri ju premton “pasaportën europiane” si zgjidhje për çdo hall, nëpërmjet largimit.

Kjo situatë ka krijuar problemet e veta të pashmangshme edhe në tregun e punës, në produktivitet, në frenimin e rritjes.

Bizneset në sektorë si ndërtimi, industria apo turizmi po hasen me mungesë të fuqisë punëtore dhe po përpiqen ta marrin atë nga vende të huaja si India, Bangladeshi apo shtete afrikane.

Profesionistët, zanatçinjtë mungojnë në qendrat urbane aty ku ka më shumë nevojë.

Rinia shqiptare është e keqinformuar, e keqorientuar, e dëbuar.

Shumë prej të rinjve kanë përfunduar jo vetëm përdorues të drogës por edhe ushtarë apo punëtorë krahu të krimit të organizuar, i cili me bekimin qeveritar e shfaq veten si e vetmja shkallë sociale dhe mënyrë e shpejtë për të dalë nga varfëria.

A ka një dritë në fund të tunelit?

Sigurisht që po.

Shqipëria nuk është një vend gjeografikisht i varfër, historikisht i pashpresë apo institucionalisht i destinuar për dështim.

Shqipëria i ngërthen në vetvete energjitë për t’u rinovuar, për t’u rritur, për të ndryshuar.

Kjo sigurisht që do të kërkojë reforma strukturore por asnjë prej këtyre reformave nuk mund të jetësohet pa një angazhim real, të drejtpërdrejtë dhe me vullnet të lirë të të rinjve.

Shqipëria mund ta shpëtojë veten.

Të rinjtë mund ta shpëtojnë veten.

Me energjinë, talentin, përkushtimin, idealizmin e moshës.

Thjesht duhet t’i bëjnë vetes pyetjet:

Nëse jo sot, kur?

Nëse jo unë, kush?

Gëzuar 8 dhjetorin, ju të rinj që keni vendosur të vijoni betejën në vendin tuaj e ta bëni Shqipërinë një vend europian!

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news