Dita e Dëshmorëve, Meta apel për të rinjtë, ‘no comment’ për Dvoranin…

Presidenti Ilir Meta ishte politikani i vetëm që qëndroi për një deklaratë për mediat pas nderimeve në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në fjalën e tij, Meta bëri apel për një ndërgjegjësim të të rinjve lidhur me rëndësinë e Luftës Nacional Çlirimtare.

Më tej, Meta shtoi se të gjithë të rinjtë duhet të shihnin nga afër të gjithë masakrat që kishin kryer pushtuesit në Shqipëri për të mësuar edhe vlerat e lirisë dhe për të vlerësuar kontributin e dëshmorëve.

“Ishte pjesëmarrje e veçantë për shkak të pandemisë. E pamundur që të shkëmbejmë nga afër takime me veteranët.

Kjo është dita e martirëve që sakrifikuan gjithçka për Shqipërinë. Sot dua të apeloj për vëmendje për edukimin e të rinjve për LANÇ dhe sakrificat e saj. Do të ishte e domosdoshme që të paktën njëherë fëmijët të vizatojnë Borovën për të parë masakrat barbare që kanë përjetuar burrat gratë dhe foshnjat.
Pra masakrat e pushtuesve për të kuptuar se liria dhe pavarësia duhet të mbrohen. Ato cënohen në forma të reja,”-tha Meta.

Kreu i shtetit nuk i shpëtoi edhe pyetjeve politike. I pyetur lidhur me mandatin e gjyqtarit Ardian Dvoranit, Meta preferoi të mos përgjigjej duke u shprehur se fokusi ishte tek 5 maji.

“Sot është dita e Dëshmorëve, dita e nderimit për ata që kanë dhënë jetën dhe gjithçka të shenjtë, është ditë për të shprehur dhe përshëndetur familjarët e tyre,”-shtoi ai.

Sot është Dita e Dëshmorëve, në vend përkujtohen të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit. Politika shqiptare ka kryer nderime para figurave të tyre. Kryedemokrati Lulzim Basha shkoi i vetëm para të gjithëve, duke vendosur lule në disa prej figurave kryesore të historisë.

Ndërsa Presidenca dhe maxhoranca shkuan bashkë. Krah njëri-tjetrit, Meta, Rama dhe Ruçi vendosën lule dhe u përulën para monumentit “Nëna Shqipëri”.

I vetmi që foli për mediat ishte presidenti Ilir Meta, i cili bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj LANÇ.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :