Lajmet në kampin spanjoll nuk janë të mira, pasi duket se sulmuesi i Atletikos nuk është ende në formë të mirë fizike
Ekipi spanjoll tashmë është në ankth. Kjo, pasi Diego Kosta duhet të qëndrojë rreth 15 ditë në pushim absolut. Kjo, pas dëmtimit në ndeshjen në finalen e Championsit kundër Realit të Madridit. Lojtari u fut në fushë që nga minuta e parë, por vetëm pas 9 minutash lojtari u largua nga fusha. As trajtimet në Serbi duket se nuk funksionuan dhe lojtari tashmë duket se është në telashe. Ekzaminimet e kryera nga bomberi i Atletikos së Madridit në klinikën “Cemtro” të kryeqytetit spanjoll kanë evidentuar një dëmtim të shkallës së parë në kofshën e djathtë, që do ta detyrojë sulmuesin që t’i shmangë seancat stërvitore me kombëtaren spanjolle për të paktën dy javë. Në këtë pikë është hedhur edhe hipoteza se mund të lihet jashtë listës përfundimtare me 23 të grumbulluarit për Brazil 2014 dhe nga kjo mund të përfitojë Fernando Lorente. Pasi humbi praktikisht gjithë finalen e Ligës së Kampioneve kundër Realit, Diego Kosta mund të humbasë edhe Botërorin. Kampionët e Botës do të luajnë në 30 maj në miqësoren kundër Bolivisë, por sulmuesi aty gjithsesi nuk do të ishte, pasi Del Boske vendosi që për këtë impenjim t’i lërë pushim futbollistët e Realit dhe Atletikos që luajtën në finalen e Lisbonës. Në listën prej 19 futbollistësh për miqësoren kundër amerikano-jugorëve nuk figurojnë as Lorente dhe Alvaro Negredo. Me këtë zgjedhje tekniku spanjoll u jep nje sinjal shumë të qartë se sulmuesit e Juventusit dhe Mançester Sitit ishin më të rrezikuarit për të mbetur jashtë ekspeditës për në Brazil, por tani mungesa e mundshme e Diego Kostës rrezikon të ndryshojë gjithë skenarët. Vetë trajneri që u shpall kampion në vitin 2010, ka deklaruar se i do të gjithë lojtarët në 100% të formës në 13 qershor, kur Spanja do të debutojë kundër Holandës. Një lajm ky që duket se nuk kënaq Diego Kostën. Kjo, pasi 15 ditë janë shumë dhe sipas llogarive i bie që lojtari të jetë në dispozicion të ekipit pak ditë para se fillojë kompeticioni. Mirëpo Del Boske nuk punon në këtë mënyrë, pasi ekipit do t’i duhet që të përgatitet para. Mund të shikohet si opsion që lojtari të mungojë në ndeshjen e parë që të jetë në gjendje të mirë për ndeshjet e tjera. Por deklarata e fundit e teknikut të demave i ul edhe më shumë shpresat se lojtari brazilian i natyralizuar si spanjoll mund të jetë pjesë e skuadrës. Lojtari ka zhvilluar një sezon shumë të mirë me ekipin e Atletikos duke shënuar dhe duke qenë arma vrasëse e ekipit të Simeones. Sulmuesi ka statistika të frikshme për këtë sezon, duke treguar se është kandidati me potencial për të qenë “nënta” e Spanjës. Lojtari ka shënuar këtë sezon 34 gola në La liga dhe 9 gola në Champions. Gola që tregojnë se lojtari do të mund të ishte një ndër yjet e kompeticionit. Por tashmë duket se fati është në anën e kundërt për lojtarin që i duhet të vrapojë me kohën.
Raul: I lumtur për Kasijasin
Ish-galaktiku Raul u shpreh se Iker Kasijas nuk ka nevojë t’i dëshmojë askujt rreth cilësive të tij, përkundër gabimit që bëri në finalen e Ligës së Kampioneve. “Jam i lumtur si të gjithë madridistët. Fitimi i Championsit të dhejtë është diçka historike, sidomos pasi vjen pas kaq vuajtjesh dhe kohësh jo të mira. Iker ka qenë i shkëlqyer në Champions dhe ka pasur një sezon shumë të mirë. Nuk kishte fat në pësimin e atij goli, por Madridi arriti në finale, sepse ai ka luajtur shumë mirë. “Ai nuk duhet t’i dëshmojë askujt asgjë. Jam i lumtur për të gjithë ata, e sidomos për të, sepse ai e ka ngritur kupën”, – u ka thënë Raul gazetarëve.
Sabela: Mesi ndihet mirë
Drejtuesi i kombëtares argjentinase është shprehur për mediat se katër herë fituesi i Topit të Artë, Leo Mesi, ndihet mirë si nga ana fizike, por edhe psikologjike. Lojtarit iu desh që të shikonte klubin e tij teksa e mbylli sezonin pa asnjë titull dhe kjo nuk ka shërbyer mirë për katalanasin. Mirëpo tekniku i bardhekaltërve i ka qetësuar të gjithë mbi këtë fakt. “E kam vizituar kapitenin para disa javësh dhe mund të them se është shumë mirë. Kur humbet një skuadër e mësuar vetëm me fitore si Barcelona, ndodh që njerëzve t’u prishet humori. Këto janë gjëra ndoshta të pazakonta për një lojtar të Barcelonës, por gjithsesi janë eksperienca që të rrisin”. Në lidhje me përgatitjet e Botërorit të Brazilit, tekniku 59-vjeçar i “La Selecion” pohoi se ka projektuar një skuadër që do të vihet në dispozicion të Mesit, pasi i vetëm ai nuk mund ta mbajë të gjithë përgjegjësinë. Ndërkohë Sabela mohoi aludimet se ylli argjentinas nuk ka dhënë të gjithë rendimentin e mundshëm te Barça këtë sezon, për t’i ruajtur energjitë për Botërorin. “Nuk e besoj fare variantin se është rezervuar në lojë. Mesi është një profesionist i vërtetë, ka luajtur ndeshje në kampionatin spanjoll, por edhe në Ligën e Kampioneve”.
Rojsh, futbollisti më i mirë i Bundesligës
Pavarësisht nga dominimi i Bajernit të Mynihut, që fitoi të dy trofetë e rëndësishëm, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, lojtari më i mirë në Gjermani nuk gjendet midis tyre. Sipas një sondazhi të organizuar nga prestigjiozja gjermane “Kicker”, është Marko Rojsh lojtari më i mirë i Bundesligës, duke mposhtur konkurrencën e Frank Riberisë dhe Lobert Levandovskit. 24-vjeçari mori 45.6% të votave të kolegëve të tij, duke lënë pas shokun e skuadrës dhe francezin e bavarezëve. Rojsh gjatë këtij sezoni ka shënuar 16 gola dhe ka dhënë 14 asiste me bluzën verdhezi, megjithatë nuk mundi të shijonte asnjë trofe. Pavarësisht nga ky fakt, ai ka reputacionin e një lojtari të jashtëzakonshëm, që vlerësohet shumë si nga tifozët dhe lojtarët e Borusias së Dortmundit, ashtu edhe nga kundërshtarët. Për shërbimet e 24-vjeçarit ka shfaqur interesim konkret Barcelona, por Jurgen Klop nuk ka ndërmend të lejojë largimin e beniaminit të tij.
Barcelona pret oferta për Fabregasin
Barcelona është duke pritur oferta për Çesk Fabregasin nga klubet e Premier Ligës. Sipas “Sunday Times”, katalanasit janë përgatitur që ta shesin mesfushorin për një shumë prej rreth 40 milionë paundësh dhe besojnë se mund të gjejnë një blerës në Angli. Spanjolli u është ofruar klubeve, si: Çelsi, Mançester Siti dhe Arsenali, të cilët kanë shprehur interesim për të. Çesk nuk është i kënaqur me pozitën e tij në “Camp Nou”, por njëherësh ai nuk bën pjesë në planet e trajnerit të ri Luis Enrike. Fabregas ka luajtur në të kaluarën te Arsenali dhe “topçinjtë” janë të parët në listë për blerjen e tij, sipas marrëveshjes me të cilën e kanë shitur.
Van Gal: Shembulli është Atletiko Madrid
Trajneri i tulipanëve, Van Gal, beson se Atletiko Madridi mund të jetë shembull për kombëtaren e Holandës në Kampionatin Botëror. Ekipi i Diego Simeones fitoi La Ligan dhe luajti në finale të Ligës së Kampioneve, duke u bërë konkurrencë serioze dy klubeve më të mira spanjolle, Real Madrid dhe Barcelona. Strategu holandez preferon të zhvillojë lojën e kuqebardhëve në Brazil, ku fokusohet me mbrojtje të fortë, lojë me presion dhe shpirt luftarak. “Mendoj se Atletiko mund të jetë një shembull për Holandën. Kur po e shikonim finalen e Ligës së Kampioneve, u thashë lojtarëve të mi: E kuptoni pse stërvitemi katër me katër? Dua që lojtarët e mi të jenë agresivë në lojën me presion”, – është shprehur tekniku Van Gal.




