Dhuna ndaj protestuesve/ Belind Këlliçi: Edi Rama është sot nën akuzë për krim
Belind Këlliçi ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes së policisë gjatë protestës së sotme (17 Prill), duke e cilësuar atë si një sulm të qëllimshëm dhe të organizuar me urdhër të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama.
Sipas tij, dhuna ndaj protestuesve dhe drejtuesve të opozitës është pjesë e një plani për të frikësuar qytetarët dhe për të shtypur zërin opozitar. Këlliçi akuzoi gjithashtu drejtuesin e Policisë, Skënder Hita, si bashkëpërgjegjës në këtë situatë, ndërsa solli në vëmendje rastin e protestuesit Edmond Ymeri, i cili sipas tij është plagosur nga përdorimi i bombave nga policia.
Sulmi i policisë ndaj protestuesve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike është i qëllimshëm, i paramenduar, i organizuar dhe me urdhër të Edi Ramës. Kjo dhunë çnjerëzore është pjesë e planit të Edi Ramës për të mbyllur gojën e Opozitës, për ta gjymtuar dhe për të frikësuar qytetarët. Edi Rama është sot nën akuzë për krim. Bashkë me veglën fanatike në krye të Policisë, Skënder Hita. Ky është demokrati Edmond Ymeri, i cili është plagosur me bomba zhurmuese nga policia.




