Dështimi i Canit/ Shkarkohet nga Doganat shefja e Akcizës

 Ervin Kaduku

shkelqim cani–  Emri i Samir Manes krijon përplasje për buxhetin e rishikuar të vitit 2014

–  Biznesmeni i TEG-ut fshihet pas kontratave që ka realizuar me qeverinë e mëparshme, të cilat janë kritikuar edhe nga ndërkombëtarët

–  Ngjyrosja e karburantit: a e ka shmangur abuzimin për qytetarët?

 Reformat fiskale të ndërmarra nga qeveria “Rama” duket se nuk kanë shmangur klientelizmin e bizneseve të privilegjuara, të cilat vijojnë të arkëtojnë miliarda nga qytetarët shqiptarë, duke ruajtur pozita ekskluzive. Ndërkohë, filluan të bien kokat e para në Dogana, pas pranimit se qeveria ka dështuar totalisht me mbledhjen e taksës së rëndësishme të akcizës, e cila, madje, është rritur duke filluar nga janari i këtij viti, por pa sjellë rezultatet e pritura. Dukshëm, ky është rezultati i kontrabandës “së rilindur”…

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ndonëse nga radhët e Partisë Socialiste në pushtet, është treguar i ashpër dje në Komisionin e Kuvendit, gjatë prezantimit të buxhetit të rishikuar 2014, ku ka kërkuar llogari për mosrealizimin e planit të shpenzimeve kapitale, rënien e të ardhurave nga akciza, frenimin e procesit të kthimit të detyrimeve të prapambetura si dhe ecurinë e kontrollit mbi koncesionet e markimit të karburanteve dhe pullave fiskale.

“Keni mosrealizim të të ardhurave nga akcizat dhe ju ulni parashikimin për këtë zë dhe ua shtoni të ardhurave nga TVSH-ja. Ju duket e drejtë? Pse kanë rënë të ardhurat nga akciza? I keni kontrolluar koncesionarët e ngjyrimit të karburantit (fjala është për biznesmenin Samir Mane!!) dhe vendosjes së pullave fiskale? Kanë dështuar këto dy koncesione? Pse nuk janë realizuar investimet publike përfshi ato me investim të brendshëm”, janë disa nga pyetjet që ka shtruar Braçe?

 

Ministri

Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka sqaruar se performanca e akcizës është e ulët, ndërsa ajo e TVSH-së është e lartë dhe kjo është arsyeja që është bërë ndryshimi i planifikimit të të ardhurave. Sipas tij, shkaku kryesor i rënies së të ardhurave nga akciza lidhet me tkurrjen e importeve të cigareve. “Niveli i importeve të cigareve është me i ulëti në këto vite. Ne rritëm me 20 lekë akcizën e cigareve në janar dhe në dhjetor u rritën importet e cigareve”, – ka pohuar Cani.

Sipas kreut të Financave, dikasteri ka reaguar duke ndryshuar personat në administratën fiskale, që janë përgjegjës për mbledhjen e të ardhurave nga akcizat, me motivacionin e performancës së ulët.

Fjala është për largimin nga posti të Lula Njebzës, e cila deri tani mbulonte sektorin e grumbullimit të akcizës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, që duket se ka dështuar totalisht, duke u lënë dorë të lirë linjave të vjetra të kontrabandës të cigareve, alkooleve e kafesë.

Lidhur me dy koncesionet e përmendura nga Braçe (të Samir Manes), Cani tha: “Kemi synuar prishjen e kontratave dhe jemi në negociata me ta për të gjykuar çfarë është bërë keq nga Ministria e Financave dhe çfarë është bërë keq nga koncesionaret”. Ai shtoi se kur të përfundojë procesi dhe do të jepen të dhëna.

 

Bllokohen pagesat për borxhet

Frenimi i kthimit të detyrimeve të prapambetura te biznesi, sipas Canit ka ardhur nga fakti që po pritet auditi ndërkombëtar, që do të kontrollojë mënyrën sesi janë shlyer ato, një kusht i Fondit Monetar Ndërkombëtar ky. Raporti mbi ecurinë e këtij procesi pritet të bëhet publik në nëntor dhe më pas Cani tha se do përshpejtohet kthimi i detyrimeve të prapambetura.

Deri tani janë shlyer rreth 26 miliardë lekë nga 35 miliardë lekë që ishte planifikimi i vitit.

 

Ekonomia, me shenja pozitive

Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka pohuar se ekonomia po jep shenja përshpejtimi. Tremujori i parë ka shënuar një rritje 1.7 prej për qind, tha Cani, ndërsa të dhënat indirekte tregojnë se rritja ekonomike është më e lartë në tremujorin e dytë. Sipas tij, kjo tregon për kthim të kahut të zhvillimit të ekonomisë ndryshe nga viti 2014 kur ajo ishte me tkurrje.

Ministri i Financave ka shtuar se të gjithë treguesit janë realizuar sipas planifikimeve që iu bënë buxhetit në dhjetor. “Ky buxhet parashikonte deficit prej 6.6 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa ne deri në fund të vitit do e ulim në 6.3 për qind. Ne kemi nisur që këtë vit të ulim deficitin buxhetor dhe borxhin publik”, – tha Cani.

Por ministri i Financave ka pranuar se kreditimi i ekonomisë ka rënë për një periudhë dy vjeçare, megjithëse ai shtoi se të dhënat e fundit tregojnë për rritje modeste të kreditimit, ndërsa ka stabilitet të kredive me probleme.

Ai ka pranuar që “e vërteta është se me investimet publike jemi pas me kohën, por me rishikimin e buxhetit do ta kapim kohen dhe do t’i realizojmë”

Sipas Canit, qëllimi i rishikimit të buxhetit është marrja e parave nga projektet që nuk kanë ecur mirë drejt atyre me performancë të mirë. Rialokimet kapin në total vlerën 15 miliardë lekë. Ministria ka sqaruar se këtu përfshihen edhe projektet me investime te huaja. “Kemi pasur të ngurtësuara në kontigjencë 4.5 mld lekë dhe kemi rënë dakord me FMN që të çlirohen këto para dhe të përdoren për investime”.

Rishikimi i buxhetit është pozitiv për mbështetjen sociale. “Kemi alokuar 4.3 miliardë lekë për shtresat në nevoje dhe personat me aftësi të kufizuar. Këto janë para që i nuk i kishte dhënë qeveria e mëparshme”, – tha Cani.

Ai pohoi se do të kemi rialokime fondesh edhe për shëndetësinë, ndërsa do të shtohen fondet për arsimin dhe rendin.

Sipas Ministrit të Financave do të jepen rreth 1.2 miliardë lekë për shpenzime operative dhe mirëmbajtje, që do të përdoren kryesisht për mirëmbajtjen e rrugëve. Rreth 4 miliardë lekë i shkojnë pushtetit lokal, tha Cani, duke shtuar se vendorët i kanë realizuar të ardhurat.

26 mld lekë nga buxheti i këtij viti janë bërë pagesa për biznesin, si shlyerje e detyrimeve të prapambetura. “Gjithçka e shohim me optimizëm. Ka kërkesa për përmirësim në administratën fiskale dhe atë shtetërore. Ky rishikim buxheti tregon një mentalitet të ri të mazhorancës. Ndryshe nga qeveria e mëparshme që priste shirita dhe me pas shkurtonte buxhetin, tani ka ndryshuar situata, duke filluar që me hartimin e buxheteve realiste”, – ka përfunduar ministri Cani.

Komisioni i Ekonomisë, me praninë vetëm të mazhorancës, miratoi Aktin Normativ të buxhetit të rishikuar për vitin 2014.

 

 4.6 milionë euro për projekte të biznesit financuar nga qeveria italiane

12 projekte siguruan të martën financimin në kuadër të Programit të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim – IADSA – sipas marrëveshjes me qeverinë italiane. Në ambientet e Ministrisë së Financave, u zhvillua të martën ceremonia e firmosjes së kontratave për financimin e 12 projekteve, me vlerë 4.6 milionë euro. Nënshkrimi u bë nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ambasadori italian, Massimo Gaiani, dhe nga përfituesit përkatës të projekteve. Të pranishëm në ceremoni ishin zv.kryeministri Niko Peleshi, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, kryetarë të bashkive përfituese, OJF etj.

“Është pozitiv fakti që projektpropozimet e dorëzuara përfshijnë të gjitha fushat prioritare të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit dhe Integrimit, ku një vend të rëndësishëm zënë projektet në fushën e përmirësimit të arsimit bazë në zonat me mangësi të theksuara, përmirësimit të formimit profesional, përmirësimit të shërbimit shëndetësor bazë dhe atij parandalues, iniciativa për të mbështetur integrimin social të grupeve shoqërore më të rrezikuara dhe punësimin e të rinjve”, – deklaroi ministri Cani gjatë fjalës së tij.

 

Projektet

Projektet e përzgjedhura si fitues mbulojnë të gjitha fushat prioritare të kësaj thirrjeje për propozim dhe shpërndarja e tyre gjeografike mbulon pothuajse të gjithë territorin e vendit.

Ato njëkohësisht janë projekte me rezultate të matshme dhe konkrete, që do të kenë një ndikim mjaft pozitiv tek përfituesit përkatës. Aplikantët fitues janë 5 nga pushteti qendror dhe 7 nga pushteti vendor, gjë që tregon për rritjen e nivelit të kapaciteteve dhe shkallës së përgjegjësisë së tyre.

Projektet fokusohen në sektorin e edukimit, shëndetësisë, zhvillimit agroturistik dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara.

Nga 12 projektet e përzgjedhura për t’u financuar, 4 janë projekte në nivel kombëtar, 3 projekte janë në veri të vendit, 3 projekte janë në juglindje dhe 2 projekte janë në jugperëndim.

Ky është viti i dytë i shpalljes së projekteve në kuadër të programit IADSA, me vlerë rreth 20 milionë euro. Në vitin e parë u shpallën fitues 13 projekte me vlerë rreth 4.5 milionë euro.

Brenda këtij viti do të bëhet thirrja e 3-të e garës.

 

 

Share it :