Deputeti shqiptar në Suedi: të rinjtë e Shqipërisë, garantët e së ardhmes evropiane të saj

 

 

Në 17 shtator të vitit 2014 Adnand Dibrani u rizgjodh për herë të dytë deputet i Parlamentit të Suedisë. Ndërkohë në vitin 2010 ai u zgjodh deputeti i parë shqiptar i këtij Parlamenti.

 

Cilët ishin fillimet e karrierës tuaj politike?

Si një 16 vjeçar jam përfshirë në politikë, në atë kohë isha pjesë e forumit rinor të socialdemokratëve. Nuk e dija se çfarë më priste në politikë, por duke qenë një i ri kam pasur dëshirë të ecja përpara për të kontribuar dhe zhvilluar vendin ku unë jetoja që quhet Varberg. Pas disa vitesh angazhim në forumin rinor, në moshën 25-vjeçare më erdhi ftesa dhe besimi nga  Partia Socialdemokrate, drejtuesit e së cilës më pyetën dhe më kërkuan që të përfshihesha në listën për deputet të kësaj partie, në zgjedhjet parlamentare që do zhvilloheshin në vitin 2010. U ndjeva shumë i vlerësuar nga besimi që mu dha dhe pranova të kandidoj. Kur erdhën zgjedhjet arrita një rezultat befasues duke marrë më shumë vota se çdo kandidat tjetër. Ky ishte një rezultat i pabesueshëm si për mua dhe për partinë time. Jam ndjerë shumë i gëzuar për zgjedhjen time si deputet në Parlamentin e Suedisë në vitin 2010 dhe të njëjtën ndjesi përjetova dhe në 2014 kur u zgjodha deputet për herë të dytë.

 

Sot ndodheni në kampingun që organizon Lëvizja Rinore për Integrim. Cilët janë përshtypjet tuaja për këtë kamping?

Super, energjia është fantastike ndihem shumë mirë, kur takoj të rinj të cilët duan të zhvillojnë vendin e tyre, duan të ecin përpara, kjo është e ardhmja e Shqipërisë. Jam këtu për të inkurajuar të rinjtë e LRI, për t’ju dhënë ide dhe nxitur për të vazhduar këtë rrugë që kanë nisur dhe për të ecur përpara. U kam thënë të rinjve se kur Adnand Dibrani shkoi në Suedi si refugjat dhe në moshën  25-vjeçare u zgjodh deputet, ju të rinjtë mund të arrini shumë gjëra në Shqipëri dhe i keni të gjitha mundësitë të realizoni një të ardhme të shkëlqyer për veten dhe vendin tuaj. Mësoni prej njëri-tjetrit, gëzoni që jeni këtu, merrni këtë energji pozitive prej këtu dhe kur të ktheheni në qytetet tuaja punoni dhe kontribuoni për zhvillimin  e qyteteve tuaja.

 

Si i shikoni marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Suedisë dhe perspektivën e zhvillimit të tyre në të ardhmen ?

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Suedisë kanë qenë shumë të mira në të kaluarën  dhe janë bërë gjithnjë e më të mira edhe në të tashmen.  Kryeministri z.Edi Rama ka vizituar Suedinë.  Kryetari i parlamentit z.Ilir Meta ka vizituar Suedinë. Ilir Meta ka shumë miq në Parlamentin e Suedisë, ka mik shumë të afërt kryetarin e grupit socialdemokrat në Parlamentin e Suedisë. Mund të them që marrëdhëniet midis Suedisë dhe Shqipërisë nuk kanë qenë më të mira se sa sot.  Suedia e mbështet, inkurajon dhe është e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit Europian .

 

Si e shikoni rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian?

Kjo është diçka që do ndodhë, është e sigurtë dhe e pashmangshme, por pyetja që vjen nga të gjithë është: Kur?  Ndodhitë që kanë përfshirë BE-në kohët e fundit i kanë ç’fokusuar politikat për zgjerimin e shpejtë. Siç dihet, problemi i refugjatëve kryesisht nga Siria, ka marrë vëmendjen dhe energjinë kryesore të BE dhe momentalisht BE është e angazhuar me zgjidhjen e këtij problemi. Anëtarësimi i shpejtë i Bullgarisë, Rumanisë e vendeve të tjera ka bërë që BE të ndjekë një politikë më të matur dhe më të ngadaltë për zgjerimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk besoj se do jetë i shpejtë dhe i cunguar, e sigurtë që ky anëtarësim do të jetë i plotë dhe do të vijë në kohën e duhur, atëherë kur dhe Shqipëria të përmbushë të gjitha reformat e kërkuara./ Shaban Sulçe

 

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.