Deputeti i LSI-së Nasip Naço nga foltorja e Kuvendit, teksa e cilësoi një aferë korruptive projektligjin për Teatrin Kombëtar, paralajmëroi duke thënë se: “Spakun e keni te dera”.
Fjala në Kuvend e Deputetit të LSI-së, Nasip Naço
Do doja të shprehja respekt për të gjithë ata artistë, edhe për shoqërinë civile, të cilët duan që të ruajnë vlerat historike, vlerat kulturore, duan që ta ruajnë këtë godinë të vjetër të qytetit të Tiranës. Por sigurisht që ka edhe një pjesë të cilët duan që të prishet, të bëhet moderne, duan që të kenë kushte më të mira. Sigurisht që më duhet të shpreh përsëri respekt, si për ata që janë pro, si për ata që janë kundër prishjes së kësaj godine, sepse janë artistë të cilët meritojnë respekt. Janë ata që na bëjnë krenarë dhe janë krenaria jonë kombëtare. Po përveç krenarisë, përveç artistëve, për shkak të sensibilitetit të këtij projektligji, të qëndrimit të artistëve, të qëndrimit të shoqërisë civile, të opinionit publik, e kam lexuar më vëmendje projektligjin dhe relacionin që e shoqëron këtë projektligj. Kam dashur të kuptojë çfarë po ndodh, sepse në projektligj gjeta fjalën inovacion, qeveri inovative. U bëra kurioz dhe thashë shumë paskan ecur. Ta lexojë njëherë se çfarë ka këtu inovative. Pashë që në relacion, por edhe në projektligj flitet që ne nuk japim asgjë, ne asnjë lekë nuk japim nga buxheti. Po prona publike që është aty? E cila, këta e kanë vlerësuar, jo shumë, 1 milion euro godina, pesë milionë euro trualli. Pra ne vëmë 6 milion euro, dhe ky bamirës, pra ky qytetar, kjo firmë na kthen mbrapa 30 milion euro për të bërë një godinë bashkëkohore në qytetin e Tiranës. Dhe çdo kush që dëgjon këto fjalë mund të krenohet dhe mund të duartrokasi, mund ti japi merita qeverisë, por nuk besoj se mjafton këtu. Besoj që kërkon një analizë edhe më të thellë. Se si mundet që, hera e parë kjo qeveri del me fitim nga koncensionet, që kjo firmë private na dhënka 30 milion euro. Çfarë ka bërë Skënderbeu më shumë se kjo? Ndaj mendoj që teatri të mbajë emrin e firmës Fusha. Sepse po na fal 30 milion euro. Por nuk besoj se është kjo, që ata na falin pa na marrë asgjë mbrapsht. Besoj në seriozitetin e atyre që kanë sjellë projektligjin. Nuk doja të hyja më shumë, por thashë që pyetjet e mia kanë pasur qëllimin e vetëm për një pjesë të mirë të deputetëve të mazhorancës, jo për opozitën, për të kuptuar atë se çfarë po ndodh. Unë I mirëkuptoj këta kolegë të mazhorancës sepse shumë shpejt në shtator, një pjesë ka bërë gati kostumin për tu bërë ministër. Pjesa tjetër duan të bëhen kryetar bashkie, një pjesë erdhën listat.
I kuptoj që kryeministri I ka zënë në çark dhe ata do votojnë.Pa i bërë një analizë se çfarë po ndodh. Dhe sigurisht që nuk jam në këtë pjesë, nuk mi ka future njeri të dyja këmbët në një këpucë, por do mundohem të bëj një analizë. Prandaj dhe kam bërë ato pyetje për këtë qeveri inovative. Sepse është normale që kjo shoqëria Fusha shpk që do të investojë duhet të bëjë një studim fizibiliteti, duhet të japi një relacion. Duhet që të ketë një bilanc, duhet që të pasqyrojë se këtë qëllim kishin dhe pyetjet e mia, duhet të pasqyrojë që ka bërë godina të tjera analoge . dhe teatrin e kukullave të kishte bërë prapë do ishte mirë. Po në qoftë se ka bërë sheshin Skëndërbej dhe tani kthehet të bëjë teatër se qenka e besuara e qeverisë. Jo pa qëllim e kam pyetur se çfarë punimesh ka bërë me Bashkinë e Tiranës, me Ministrinë e Kulturës, me Ministrinë e Financës apo dhe të Infrastrukturës . është pjesë e oligarkëve, është pjesë e qeverisë? Është një biznesmen i ndershëm? Unë i besoj kësaj të fundit, por kërkova nga pyetjet e mia të kishim një CV. Ka punuar Brenda apo jashtë vendit? Ka ndërtuar teatër të kësaj natyre, një teatër me përmasa europiane. Nuk mora asnjë lloj përgjigje nga rreth 40 pyetje që u mundova të bëja, pjesërisht ministri i ekonomisë dhe i financave përmendi një shifër e cila nuk është në relacion. Një shifër që ne do të përfitojmë një godinë saç e kemi, 1126 metër katror. Dhe ne në përfundim të kësaj do fitojmë 9000 metra katror. Pra rreth 40 pyetje që bëra për të kuptuar se çfarë po ndodhte me këtë projektligj, mora një përgjigjë nëpër dhëmbë nga ministri i ekonomisë se çfarë fitojmë ne, e cila nuk është në relacion, çka më bën të kuptoj akoma më shumë se ku janë bërë negocimet e kësaj kontrate. Për sa kohë nuk përshkruhen në relacion besoj se janë bërë diku tjetër. Dhe ku nuk ka transparencë ka vetëm një emër, korrupsion. Dhe unë besoja që nga propozuesit duhet të na pasqyrojnë qartë çfarë ka ndodhur. Në fund të fundit çfarë japim ne dhe çfarë na jep privati. Kush është kjo kompani? A zbatohet ligji? Unë mund të rendis, dhe jo pa qëllim në pyëtjet e mia kam renditur se çfarë ndodh me këtë ligj. Këta pretendojnë se i referohen bazës ligjore të Kodit Civil dhe në qoftë se i referohet Kodit Civil, ai ka rreth 1200 nene. Pra nëpër dhëmbë nuk e përmendi se cilët nga këto nene duan të aplikojnë si bazë ligjore. Përmendi vetëm një emër shkëmbim, që menjëherë i referohej nenit 760 të Kodit Civil. Por shkëmbimi është i barabartë me kontratën e shitjes dhe pyetja ime ishte e drejtpërdrejtë, nëse bëhet ky shkëmbim kompania Fusha shpk do të paguajë ato detyrimet që ka nga kontrata e shitjes? Nuk mora asnjë përgjigje nga ministri i ekonomisë dhe financave. Dhe këtë e bëj vetëm për transparencë, ai ka ardhur për të fituar. Po ta lexosh me vëmendje projektligjin, nuk e gjen të pasqyruar konsulentin. Qeveria është inovative në këtë projekt se kështu thotë. Dhe i referohen disa ligjeve të miratuar në vitin 2016 në parlament. Ligje të miratuara në Kuvend që kanë të bëjnë me rrugën e Arbrit. Kam qenë ministër i drejtësisë dhe në atë projektligji duke parë që ishte inovative u ktheva prapa në kohë për të parë nëse e kisha bërë detyrën si ministër i drejtësisë sepse në ministrinë e drejtësisë ka një drejtori të përgjithshme kodifikimi që bëjnë oponencën për çdo akt dhe avokaturën e shtetit. Pashë dhe i krahasova të dyja që mungonte konsulenti i huaj që ishte brenda komisionit të negocimit. Sot nuk është, po ta lexoni me vëmendje projektligjin, ishte deleguar bashkisë së Tiranës. Pra Bashkia e Tiranës ka 2100 metra, merr përsipër ta kalojë te ministria e Kulturës, te ministria e Ekonomisë dhe ai të jetë në krye të negocimit të kësaj kontrate. Sigurisht që pyetjet e mia ishin të shumta.
Në fund të fundit bashkia ka 2100 m truall. Sa % fiton shoqëria Fusha dhe sa fiton dhe Bashkia nuk mora përgjigje. Pra pyetjet e mia janë për të parë sesi kanë evoluar mënyrat innovative të kësaj qeverie që na sjellë këtë projektligj sot. I referohet projektligjit për dhënien e portit të Karpenit Dhe aty parashikohet që ka konsulent të huaj. Këtu nuk është madje është planifikuar, që Bashkisë mund ti shkojë në mendje, për shkak të transparencës mund të mos ta vënë fare konsulentin. Pra këto janë njëra pas tjetrës dyshimet e mia do të thosha për këtë projektligj dhe prandaj bëra pyetje që të merrja përgjigje. Dhe mora përgjigje nëpër dhëmbë nga ministri i ekonomisë. Po ta lexosh me vëmendje projektligjin gjen përsëri shmangie nga ligji 9000 për organizimin e këshillit të ministrave . Pra i referohet që dy ministrat do vijnë automatikisht në Kuvend pa kaluar në Këshillin e Ministrave pa marrë një vendim ky i fundit. Përsëri duan ti shmangen, pra iu shmangën momentin e parë nuk e firmosi kryeministri por zv.Kryeministrja, nuk e firmosi ministri por zëvendësi. Nuk e kalojnë në Këshillin e Ministrave për ta sjellë në Kuvend. E çfarë mund ti themi tjetër kësaj përveç mungesë transparence. Dhe ku ka mungesë transparence ka vetëm një fjalë ka korrupsion. DH ku ka korrupsion nuk ka asnjë kompani të huaj ndërkombëtare që të vij në Shqipëri. Dhe nuk keni parë vitet e fundit që të vijnë. Nuk mund të hyjnë ata në këto negociata dhe të flasin që artistët po vuajnë, dikush është sëmurë dhe ne po bëjmë diçka të mirë pa thënë që çfarë po humbasim ne, dhe çfarë po fitojmë ne. Është një pronë publike dhe sigurisht që ka një vlerë si pronë publike. Këtë doja të kuptoja nga propozuesit e ligjit sesa është vlera e kësaj toke. Në qoftë se procedura do të ishte e hapur sigurisht dhe një konkurrim të hapur nuk besoj do kishim këtë vlerë. Çfarë ndodh të nderuar kolegë, për të zgjedhur drejtorin e teatrit bëhet me konkurrim, mblidhen artistët dhe çfarë ndodh, për të ndërtuar një godinë të re me vlerë miliona euro bëhet me negocim, bëhet e mbyllur. Dhe çfarë bëhet këtu ka mungesë transparence dhe ku ka mungesë transparence ka korrupsion. Unë do doja ta tërhiqnit këtë projektligj, ju jeni përballë artistëve, përballë shqiptarëve, jeni përballë partnerëve tanë ndërkombëtare, Spakun e keni te dera.




