Partia Demokratike denoncoi dje mënyrën se si u zhvillua tenderi për rindërtimin e godinës së OSHEE-së ku pohoi se fituesi i tij është miku i kryeministrit të vendit. “Edi Rama ia dha dje 4 miliardë e 540 milionë lekët mikut të tij për ndërtimin e godinës së OSHEE, edhe pse kjo aferë u denoncua publikisht nga Partia Demokratike, me date 11 shtator, edhe pse opinioni publik u informua për këtë tender ku fituesi ishte i paracaktuar. Fituesi u shpall dje, dhe ai është ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës, miku i tij i vjetër në biznes, Carapuli, ashtu siç kishim paralajmëruar ne me denoncimin publik që bëmë. Ky është një korrupsion i pastër me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Edi Ramës. Masha e tij e bindur në OSHEE vetëm sa ka zbatuar porosinë në këtë rast”, – deklaroi kreu i grupit të PD-së Edi Paloka. Më tej ligjvënësi demokrat tha se ortaku i kryeministrit mori tenderin prej 4 miliardë e 540 milionë lekësh, edhe pse kishte paraqitur ofertën më të lartë. “U skualifikua subjekti tjetër që u fut në garë duke ofruar 740 milionë lekë më pak, pra që do ti kursente qytetarëve shqiptarë 740 milionë lekë. Vetëm një urdhër i Edi Ramës do të sillte këtë rezultat, që fitues të shpallet dikush që e ka ofertën 500 mijë euro më të madhe. Askush nuk do të kishte guxim kaq të marrë për të dhënë një tender të tillë, pa urdhrin e Edi Ramës, urdhrin e atij që vendos në fakt për çdo tender në vend”, – theksoi ai. Ndërkaq Paloka theksoi se ky korrupsion ndodh në kohën kur shqiptarëve po u merren me forcë lekët për energjinë, duke i shtypur e poshtëruar dhe duke i dërguar në burg. “Kanë përfunduar në burg e kanë vrarë vetën për 30 mijë lekë të vjetra qytetarët tanë, ndërkohë që kryeministri ndan miliardat me mikun e tij në shkelje të ligjit e procedurës. Po dhunohen çdo ditë mijëra qytetarë që jetojnë me një dyqan të vogël, ndërkohë që Edi Rama s’do t’ia dijë për asnjë rregull apo ligj, jep 4 miliardë e 540 milionë lekë për ndërtuesin e sarajeve të tij të luksit. Vetëm drejtësia që vjen nga bashkimi ynë për të ndalur këtë oligarki të korruptuar e kriminale, është rruga e daljes”, – theksoi Paloka.




