Dekriminalizimi / PD s’harron as veten, komision verifikimi për përfaqësuesit demokratë, në krye Halim Kosova

 

 

halim kosovaBasha zgjodhi Kosovën si figurën më të vlerësuar për pastërtinë nga publiku, ambasadori amerikan si edhe nga raporti i OSBE-së

 

Gëzim Saliu

 

Partia Demokratike krijon komisionin e posaçëm për verifikimin e figurës së përfaqësuesve të saj në të gjitha nivelet. Kryedemokrati Basha duket se e ka mbajtur premtimin e dhënë kohë më parë, sipas të cilit, krahas denoncimit ndaj mazhorancës, procesi i dekriminalizimit do të prekë së brendshmi edhe forcën më të madhe opozitare. Po ashtu, duket se kreu demokrat ka bërë një zgjedhje të zgjuar për kreun e këtij komisioni, duke përzgjedhur një figurë që dallohet më së shumti në publik për pastërtinë e saj. Ish-kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, do të jetë në krye të komisionit për verifikimin e përfaqësuesve të PD-së, emër i cili ka marrë përgëzime për fushatën nga ambasadori amerikan në Tiranë dhe në raportin përfundimtar të OSBE-së.

 

Komisioni

Burime pranë selisë blu bëjnë të ditur se komisioni do të filtrojë të gjithë emrat që drejtojnë këtë parti nga nivelet më të ulëta e deri në ato më të larta. Gjithashtu, do të verifikojë pastërtinë e figurës së kandidatëve të saj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të përzgjedhurve të PD-së për drejtues në nivel politik nesër ne qeverisje të vendit. Nisur nga fakti se dekriminalizimi është kauza politike e kryetarit të demokratëve Lulzim Basha, e cila, sipas tij, ka nisur të japë frytet e saj të para, pritet që krahas denoncimit të kundërshtarëve politikë, ajo të zbatohet edhe në vetë Partinë Demokratike. Në këtë kontekst, pritet një procesi filtrimi për çdo figurë që aderon në strukturat e PD-së, pasi, sipas opozitës, drejtuesit dhe përfaqësuesit e qytetarëve duhet të jenë njerëzit më me integritet, të mirarsimuar dhe të respektuar. Vetë kryedemokrati ka pohuar se do të bëjë gjithçka, që praktika e përfaqësimit me kriminelë, trafikantë, njerëz të pashkolluar dhe me diploma false të marrë fund sa më shpejt, së bashku me autorët e kriminalizimit të pushtetit, dyshen Rama-Meta. Ndërkohë që dy ditë më parë, nënkryetari socialist i komisionit për dekriminalizimin, Taulant Balla, tha se problematikë në politikën shqiptare nuk janë ata që kanë kryer një vepër penale dhe janë dënuar, por ata njerëz, sipas tij, si Arben Ristani dhe Lulzim Basha. Këta të fundit, sipas Ballës, kanë kryer vepra penale dhe janë të vetëdijshëm për ato. “Rekordet kriminale është një definicion që duhet rregulluar me ligj, por problemi në politikën shqiptare nuk janë ata që kanë bërë një vepër penale e janë dënuar dhe e kanë kryer dënimin. Problem mbeten njerëz si Ristani, Basha apo të tjerë, që kanë kryer vepra penale, janë të vetëdijshëm për to, por nuk i kanë ekzekutuar vendimet për to. Kështu që kjo është çështje shumë komplekse dhe ne si PS kemi qenë shumë të qartë për të. Duam ta zgjidhim dhe po e çojmë drejt zgjidhjes përmes procedurave që do të çojmë së shpejti në Parlament përmes një projektligji të përbashkët”, – pati deklaruar Balla. Në kushtet kur palët mbajnë qëndrime krejt të kundërta për çështjen, ndonëse kauza mund të cilësohet tërësisht si e opozitës, ditën e sotme do të mblidhet komisioni i posaçëm për dekriminalizimin pas përfshirjes së ligjit të depozituar nga PD në Kuvend në kalendarin tre mujor të punimeve të Parlamentit.

 

 

Share it :