Alarmi i Sekretarit të Shtetit Kerry se mafia ka blerë politikën, “zbret” në Tiranë
Panorama e situatës psiko-politike në Shqipëri aktualisht është e ndarë në dy tablo. Nga njëra anë vërehet panik dhe stres te klasa politike, pagatorët e saj dhe prej saj dhe nga ana tjetër është shumica e popullit që pret me ankth përpara se të gëzojë, se çfarë do të ndodhë: mos ndoshta më në fund laku 25-vjeçar i krimit dhe korrupsioni do t’u hiqet prej fytit?! Po përse ky panik dhe kjo shpresë më në fund dhe pikërisht tani? Paniku i asaj pjese të klasës politikës shqiptare që është zhytur ndër vite në mënyrë të parikuperueshme në batakun e krimit dhe korrupsionit duke u identifikuar tashmë me ato, ka së pari arsye gjeopolitike. Evropa, bota nuk janë më ato të disa viteve të shkuara. Politikanët dhe shtetarët shqiptarë, me detyrim – përcaktim, kanë përgjegjësi llogaridhënieje në kancelaritë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përderisa përfaqësojnë një vend negociator për kandidat të BE-së dhe anëtar të NATO-s. Lajmet nga Shqipëria nuk shihen dhe nuk mund të shihen më, sikur vijnë nga një vend i prapambetur, gjithmonë në tranzicion post-komunist. Ashtu si Shqipërisë i ka ardhur koha që të jetë pjesë e Perëndimit, ashtu edhe ky i fundit nuk mund të pranojë dhe të tolerojë më që në një vend në mes të Evropës, mafia t’i bëjë karshillëk të hapur, edhe më keq, të uzurpojë dhe të shndërrohet vetë në politikë dhe “shtet demokratik”. Nuk e kanë lejuar këtë gjë në vende “në fund të botës” e jo në mes të Evropës. Sepse, kështu shembin themelet e modeleve të shoqërive të tyre, por edhe sepse u rrezikohet vetë siguria fizike në këto kohëra të turbullta të terrorizmit e rrezikut të një “lufte tjetër të ftohtë” me ariun rus, i cili duket se është zgjuar nga gjumi. Por, pse jo, edhe sepse më në fund, u vjen edhe keq për këtë popull të vogël që mban rekord botëror për dashurinë e tij pa kushte ndaj Perëndimit në përgjithësi dhe SHBA-së në veçanti.
Sinjalet se më në fund “me dëshirë” a me “kërbaç”, dekriminalizimi duhet dhe do të kryhet me themel në këtë vend, janë të qarta nga ndërkombëtarët. Asgjë nuk është rastësi: as mbërritja e ekspertëve special të FBI-së për të ndihmuar antikorrupsionin, as “rrjedhjet” e raporteve me të dhëna tronditëse dhe as ftohja deri në ngrirje e kancelarive të rëndësishme amerikane dhe evropiane me një pjesë të mirë të klasës politike. Gjithandej zien. Kudo dëgjon pyetjen: A i ka mbaruar pushimet ambasadori i Rrugës së Elbasanit?
Në fund të muajit prill, pak përpara se të mbyllej afati përfundimtar i regjistrimit të kandidatëve, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, deklaroi se kishin “identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale” dhe se ishin “duke i diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit politikë”. Ndërsa pak javë më vonë, në një intervistë për revistën “Java”, ambasadori Lu tha se disa nga këta emra ishin hequr dhe se shpresonte se do të hiqeshin më shumë, por pa dhënë detaje të tjera. Menjëherë pas kësaj, reagoi me veprim konkret Partia Demokratike, duke tërhequr nga gara kandidatin e saj për kryetar Bashkie në Tepelenë. Ngazëllimi i mikut të madh të përtej Atlantikut, ishte i madh. Më datën 1 qershor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përshëndet “lëvizjen e guximshme të Partisë Demokratike dhe partive të tjera mbi dekriminalizimin dhe inkurajon përpjekjet në vazhdim për të pastruar politikën në Shqipëri nga elementët kriminalë”. Por vetëm kaq, derisa së fundmi plasën “bombat” gjithandej, veçanërisht në gjirin e mazhorancës. Duket se kreu i opozitës e ka kapur më shpejt “lojën” dhe po i paraprin rrëmetit me vetëverifikim të të gjitha strukturave të partisë. Do ta ndjekin të tjerët? Të presim e të shohim. Por te vetëpastrimi tashmë kihet pak ose aspak besim. Nuk thuhet më kot se zyrat dhe “bodrumet” e Departamentit të Shtetit punojnë ngadalë, si kërmilli, por gjithmonë arrijnë te pika për ku janë nisur. Kjo nisje për të pastruar Shqipërinë nga mafia në politikë dhe politika në mafia duket se ka kohë që ka nisur. Më 2 shkurt të vitit 2014, Sekretari i Shtetit, John Kerry, ngriti botërisht shqetësimin se në vendet e Ballkanit korrupsioni është një barrë nën të cilën jetojnë qytetarët. Sipas tij, në këto vende përdoret paraja për të blerë politikanë dhe media.
“Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarke, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”, – tha ai tekstualisht atëherë. Dhe kuptohet qartë se më shumë se kujtdo, këto fjalë i takojnë Shqipërisë. Prandaj, në këto kohë, kur qelbi ka plasur gjithandej, të gjithë i kanë sytë nga Ambasada te Rruga e Elbasanit…




