Dekreti i Presidentit/ Nishani kthen ligjin e qeverisë për karrierën në ushtri

Florenc Drizari

 bujarPërqendrim të karrierës ushtarake në mënyrë absolute tek Kryeministri, duke tejkaluar kompetencën e Kuvendit për të vendosur si pushtet dhe autoritet primar në drejtimin e Forcave te Armatosura… Si konkluzion, kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e ligjit 59/2014, pasi bie ndesh me nenet 168 pika 2, 169 pika 1 dhe pika 4 të Kushtetutës

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kthen ligjin e qeverisë “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, duke e quajtur nismën në shkelje të kompetencave të tij kushtetuese. Kreu i shtetit thotë se ligji për karrierën në ushtri shmang të drejtat kushtetuese që i takojnë Presidentit si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe për këtë kërkon rishqyrtimin e tij nga Kuvendi i Shqipërisë. Në seancën plenare të datës 12 qershor 2014, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ndërsa opozita është shprehur kundër. Gjithashtu qëndrime kundër draftit të qeverisë ka pasur edhe nga deputetë të LSI-së.

Ndërkaq, në argumentet që kreu i shtetit jep për kthimin e ligjit sërish në Kuvend, vlerëson se ligji nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” duhet rishqyrtuar nga pushteti legjislativ, mbështetur në arsyet dhe argumentet se, kreu i shtetit, si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ushtron të gjitha funksionet e kompetencat që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura, të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe parashikohen shprehimisht nga ligjet që nuk vijnë në kundërshtim me të. Në argumentet që jepen thuhet se ushtrimi i kompetencave të dhëna nga Kushtetuta në kohe paqeje Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, nuk duhet të anashkalojnë funksion e komandimit dhe drejtimit të Forcave të Armatosura nga Komandanti i Përgjithshëm.

 

Argumentet

Në ndryshim nga ligjet e mëparshme, argumenton kreu i shtetit, ku për vetë rëndësinë që zënë në hierarkinë ushtarake të Forcave të Armatosura oficerët me gradë madhore, dalja në rezervë apo lirim e kësaj kategorie bëhej me dekret të Presidentit, ndërsa me ligjin 59/2014 (përkatësisht me nenet 25, 26) ato bëhen me urdhër të Kryeministrit, dhe me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, duke tejkaluar dhe uzurpuar funksionin kushtetues të komandantit të Përgjithshëm të FA. “Çdo kompetencë e rregulluar me ligj, dhe e konsoliduar me një eksperiencë 10-vjeçare, mund t’i hiqet Presidentit të Republikës si komandant i Përgjithshëm, vetëm atëherë kur ato vijnë në kundërshtim me Kushtetutën. Në asnjë rast të vetëm, nuk gjendet në relacionin shoqërues të projektligjit një arsye e tillë, e kundërshtisë së tij me kushtetutën, gjë e cila do ti bënte këto ndryshime të padiskutueshme. Gjithashtu, zbatimi i derimëtanishëm i ligjit aktual, siç edhe thekson relacioni shpjegues i projektligjit, nuk ka pasur asnjë efekt negativ. Në ndryshim nga neni 22 i ligjit të mëparshëm, kur njësimi i gradave me funksionet organike për oficerët me gradë madhore në Forcat e Armatosura bëhej me ligj nga Kuvendi, ligji 59/2014 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” (neni23) sanksionon kryerjen e procedurës së njehsimit nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Kjo sjell si pasojë përqendrimin e karrierës ushtarake në mënyrë absolute tek Kryeministri duke tejkaluar kompetencën e Kuvendit për të vendosur si pushtet dhe autoritet primar në drejtimin e Forcave te Armatosura”, – thuhet në shpejtimin e Presidentit të Republikës lidhur me ligjin e qeverisë. GjithashtuPresidenti gjykon se Forcat e Armatosura nuk janë strukturë në varësi të ekzekutivit, gjyqësorit apo legjislativit. “Kushtetuta (në pjesën 15) përcakton misionin dhe në vija të përgjithshme tregon zinxhirin e komandim kontrollit të Forcave të Armatosura, i delegon kompetencat e drejtimit të komandantit të Përgjithshëm në kohë paqeje, Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, por gjithmonë nën komandimin e tij si eprori më i lartë në hierarkinë e Pushteteve dhe Autoriteteve të Komandimit dhe Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura.

Si konkluzion, kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e ligjit 59/2014 pasi bie ndesh me nenet 168 pika 2, 169 pika 1 dhe pika 4 të Kushtetutës”, – thekson Presidenti i Republikës.

 

Debatet pozitë – opozitë për ligjin e FA-së

Me ligjin e ri për Forcat e Armatosura, ushtarakët pritet të dalin në një moshë më të madhe në rezervë si dhe do të lirohen më vonë. Zgjatja në kohë e ushtarakëve në një gradë të caktuar sipas qeverisë, do të sjellë uljen e shpenzimeve buxhetore, duke bërë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë më pak taksa. “Sot paguajmë 3 palë ushtri, një aktive, një në rezervë, një në lirim”, – tha ministrja Kodheli gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit për Sigurinë Kombëtare. Ky projektligj është shoqëruar me debate të forta mes përfaqësuesve të pozitës dhe të opozitës pak javë më parë në komisionet parlamentare. përfaqësues të opozitës, por edhe të LSI-së, kanë theksuar se ligji i ri cenon kompetencat e kreut të shtetit si Komandant i Përgjithshëm i FA-së.

 

 Reforma territoriale/ OSBE, Raunig: Politika të bashkohet

Politika duhet të bashkohet në procesin për reformën territoriale. Kështu deklaroi dje ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, në një takim në Bashkinë e Burrelit, ku theksoi se kjo reformë është e nevojshme të bëhet. Ambasadori tha se ka shenja që opozita do t’i bashkohet kësaj reforme dhe se kjo është një gjë e mirë. Në këtë takim, ambasadori Raunig shoqërohej nga deputetët e Qarkut Dibër, Hoxha dhe Shehu, ku u prit nga kryetarja e Bashkisë Burrel. Më parë gjatë kohës që shërbyer si Ambasador i Austrisë, ai ka pasur disa bashkëpunime institucionale mes tij dhe Bashkisë së Burrelit, siç ishte edhe ngritja e qendrës rinore në këtë qytet. Më herët ndërkombëtarët në deklaratat e tyre kanë vënë theksin tek bashkëpunimi pozitë-opozitë për reformat kyçe në vend, përfshi këty edhe reformën administrativo-territoriale. Edhe pse krerët e dy forcave më të mëdha politike në vend shprehen të gatshëm për të bashkëpunuar, ende nuk ka një iniciativë konkrete për t’u ulur në bisedime apo për të shqyrtuar propozimet e të dyja palëve.

Share it :