Deklarata para grupit Basha: Rama-Meta pakt hajdutësh për të mbyll “CEZ”, PD s’bashkohet me pazaret e politikës

 

 

 

grupi i pdKreu i PD: Miratimi i projektligjit të dekriminalzimit është  kusht për integrimin evropian të Shqipërisë

Gëzim Saliu

Kreu i Partisë Demokratike deklaroi dje në mbledhjen e grupit parlamentar  se pas përplasjeve, kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit gjetën dakordësinë mes tyre për çështjen CEZ duke synuar mbylljen sa më parë të saj. Duke e cilësuar këtë si një “pazar hajdutësh” , kryedemokrati tha se PD-së nuk i intereson loja kukafshehtas e dyshes Rama-Meta, duke vënë theksin tek interesi i qytetarëve. “Krerët e qeverisjes së kalbëzuar Edi Rama dhe Ilir Meta, e gjetën gjuhën për të mbyllur, sipas mendjes së tyre, skemën më të madhe të korrupsionit dhe mashtrimit, skandalin më të madh financiar, ekonomik  dhe  politik  në 25 vite, vjedhjen e 600 milionë eurove. Dhanë shfaqjen e puthjes pasi ishin pështyrë. Jemi të dënuar të qëndrojmë së bashku për hir të pushtetit dhe pazarave; ky ishte konkluzioni i pazarit të tyre të fundit.  Sepse ndryshe nuk ju dilte ndryshe hesapi”, deklaroi Basha.

Qëndrimi

Duke dhënë disa detaje të radhës lidhur me çështjen CEZ, Basha tha se ishte qeveria shqiptare ajo që paguajti një zyrë ndërkombëtare avokatie për të rrëzuar në arbitrazhin ndërkombëtar pretendimin e shoqërisë DIA për 135 milion euro, përfaqësuesi zyrtar i së cilës Kastriot Ismailaj po hetohet në burg për pastrim parash dhe korrupsion. “Shuma kolosale për të cilën bëhet fjalë janë para të qytetarëve shqiptarë. Një tufë hijenash  u vjen rrotull  këtyre parave pasi ka bërë planin kriminal se si mund t’i shtjerë në dorë. Ish-administrator i CEZ, i cili akuzon  Ilir Metën se ka marrë ryshfet dhe qëndron prapa shoqërisë DIA. Rama e ka ditur dhe duhej ta dinte i pari cili ishte zyrtari i lartë  politik që akuzohej për ryshfetmarrje. E ka ditur i pari se ky ishte llir Meta”, theksoi ai duke shtuar se PD nuk përfshihet në lojën mes dy bashkëkryetarëve të mazhorancës. “Ndaj kemi kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës për akuzat që i kanë  ardhur nga avokati i qeverisë shqiptare, hetimin e tij  si deputet i thjeshtë, zbardhjen e  gjithë skandalit nga një drejtësia e pavarur, ndëshkimin ligjor të fajtorëve. Edi Rama mund të na ketë ngatërruar me veten e tij, duke menduar se ne do të joshemi nga llogaritë meskine, duke hedhur gurin e fshehur dorën si burracakët.  Ne nuk e njohim ketë lloj politike”, u shpreh Basha. Më tej ai e cilësoi si një përulje të Ramës takimin që ky i fundit kreu fundjavën e kaluar me kryeparlamentarin Meta, duke kritikuar akuzat e tij ndaj opozitës dhe medieve. “Ndërsa ortaku i tij në vend që të jepte dorëheqjen dhe të hetohej si deputet i thjeshtë për akuzat e rënda  për marrje ryshfeti, ngriti furtunën në gotë të komplotit që demek paskan organizuar kundër tij kryeministri i  vendit, kryetari i opozitës së vendit dhe një diplomat i lartë i një vendi mik. Po të bashkohej vërtetë PD me PS, siç i tha paranoja, ai nuk do të qëndronte asnjë ditë në  karrigen e tij  pa zbardhur akuzat që i janë  bërë. Këtë e di edhe një nxënës shkolle. Por Partia Demokratike nuk mund e nuk do të bashkohet në asnjë rrethanë në pazaret e politikës me njerën gjysmë të kalbësirës kundër gjysmës tjetër”, nënvizoi lideri i demokratëve. Sipas Bashës, i ashtuquajturi komplot kundër Metës  ishte parasëgjithash një shpërthim paniku  se mos  Kastriot Ismailaj kthehej në një i penduar i drejtësisë. “Kujt nuk i djeg miza, nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar pse dikush po pendohet  dhe po bashkëpunon me drejtësinë. I ashtuquajtur  “komplot” për destabilizimin e vendit  ishte një kërcënim  për të  trembur Edi Ramën, duke i kujtuar të palarat e tij dhe karrigen e tij me këmbë të liruara”, pohoi Basha, duke shtuar se PD si nismëtare e  projektligjit, po ofrohet me gjithë  zyrtarët  e saj edhe si subjekt i hetimit kurdo që të kërkohet. Nga ana tjetër, kreu i demokratëve tha se miratimi në Kuvend i projektligjit për dekriminalizimin është një kusht për integrimin evropian të vendit. “Qytetarët presin, meritojnë dhe kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën  përmes transparencës së plotë dhe hetimit kombëtar e ndërkombëtar të skandalit të CEZ. Qytetarët presin dhe meritojnë pastrimin e Kuvendit  dhe institucioneve të tjera nga individët me rekorde  kriminale”, u shpreh kreu i PD-së Lulzim Basha.

 

Share it :