Debati për lejet e ndërtimit, komunat: Qeveria mori kompetencat e vendorëve

Gëzim Saliu

 

Vendimi për ndalimin e së drejtës së komunave për të dhënë leje ndërtimi. Përfaqësuesja e ekzekutivit: Pezullimi është i përkohshëm, nuk kemi shkelur ligjin

gjykata kushtetuese 2 Gjykata Kushtetuese shqyrtoi dje ankimimin e komunave Farkë dhe Kashar që kërkojnë shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Kombëtar të Territorit të datës 18 dhjetor të vitit 2013 që u heq këtyre dy komunave të drejtën për të dhënë leje ndërtimi. Sipas përfaqësuesit ligjor të dy komunave, Ivi Kaso, qeveria me vendimin e saj ka uzurpuar kompetencat e qeverisjes vendore. Ndërkohë, përfaqësuesit e ekzekutivit theksuan se vendimi është i përkohshëm deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar.

 

Debati

Në fjalën e tij para trupës gjykuese të Kushtetueses, Kaso kërkoi shfuqizimin e vendimit si antikushtetues dhe që bie ndesh me kartën evropiane të autonomisë vendore. “Organet e qeverisjes qendrore kanë uzurpuar një kompetencë dhe kanë ushtruar në mënyrë abuzive një kompetencë të organeve të qeverisjes vendore. Në këtë kontekst ne kërkojmë pranimin e padisë”, – deklaroi përfaqësuesi ligjor i komunave Kashar dhe Farkë. Ndërkohë, në kundërshtim me këtë pretendim, përfaqësuesit e Këshillit te ministrave dhe të Këshillit Kombëtar të Territorit, thanë se pezullimit është i përkohshëm deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar. “Mendojmë që është vepruar në përputhje të plotë me ligjin. Mos veprimi i shkuar është i dënueshëm dhe veprimi aktual është i vlerësueshëm e ndaj ne kërkojmë rrëzimin e kërkesës”, – theksoi përfaqësuesja e ekzekutivit. Në vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit përcaktohet pezullimi i dhënies së të gjitha llojeve të lejes zhvillimore në zonat e kurorës së Tiranës, nga autoritetet e planifikimit deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar. Ky vendim ndalon 6 komuna të japin leje ndërtimi në zonat që janë cilësuar si me karakter strategjik për zhvillimin dhe rehabilitimin e vendit. Ndërkaq në padinë e tyre në Kushtetuese, komunat kërkojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet qeverisjes vendore dhe pushtetit qendror. “Shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën dhe me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore si dhe shfuqizimin si antikushtetues, si akte që bëhen shkak për lindjen e konflikti, të: Vendimit nr. 1, datë 8.10.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në disa zona me rëndësi kombëtare dhe procedurën e hartimit të Planit të Integruar Sektorial për Brezin Bregdetar”; vendimi nr. 3, datë 18.10.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese në zonën me rëndësi të veçantë të Kurorës së Tiranës”. Pezullimin e vendimit nr. 1, datë 8.10.2013 dhe vendimit nr. 3, datë 18.10.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit, deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”, – thuhej në kërkesë.

 

Debati me Dodën/ Përçahet greva e ish-të përndjekurve, Kaziu tenton të vetëdigjet në emision

 Pavarësisht se kishin deklaruar mbajtjen e një greve 24-orëshe, ish-të përndjekurit u përçanë dje mes tyre në protestën e zhvilluar para Parlamentit. Ndërhyrja e deputetëve të PD-së, Mesila Doda dhe Voltana Ademi, ka ndarë palët në qëndrimet e tyre, ku një pjesë ka mbështetur ligjvënëset demokrate në deklaratat para oborrit të Parlamentit, ku brenda zhvillohej seanca me debate mes palëve për çështje të rendit të ditës, e ndërkohë disa të tjerë kanë kundërshtuar prezencën e tyre. Përkatësisht debatin kryesor gjatë deklaratës së saj deputetja Doda e zhvilloi me një prej pjesëmarrësve, i cili iu kundërvu ashpër asaj, duke u shprehur: “Pse keni ardhur këtu?! Ikni! Nuk jemi pjesë e politikës. Ke qenë në pushtet, më thuaj ti çfarë i ke dhënë kësaj shtrese”. Nga ana e saj, deputetja demokrate fill pas debatit dhe përplasjeve për prezencën e saj në protestë, ka reaguar në rrjetin social “Facebook”, ku e cilësoi aktin si larg çdo caku mirësjellje apo qytetari. Më tej ajo publikoi një dokument mbi personin që e sulmoi me fyerje gjatë grevës së ish-të përndjekurve politikë. Sipas saj, personi nuk ka vuajtur dënim për politikë në kohën e komunizmit, por për veprën penale të përdhunimit. “Në këtë vërtetim shihet qartë dënimi për arsye ordinere dhe vepra të rënda siç është përdhunimi. I bëj thirrje të burgosurve politike të distancohen menjëherë nga individë me vepra të tilla të rënda penale dhe të luftojnë për të drejtat e tyre dhe për integrimin e tyre të plotë”, – shkruante Doda. Ndërkaq pas thirrjes që i bënë një pjesë e ish të përndjekurve që vijuan protestën para institutit të të Përndjekurve, e cila u mbyll rreth orë 20:30, deputetja Mesila Doda ka shkuar sërish pranë tyre, ku tha: “Të hapen dosjet. Ne jemi për tu vendosur në vend e drejta e të dënuarve politikë. Mos u bashkoni me të dënuar ordinerë”. Ndërsa përfaqësuesit e ish të përndjekurve bënë me dije se personi që i foli ashpër deputetes nuk ishte ish i përndjekur. Në mbyllje të protestës, një prej ish-të përndjekurve, Fatmir Hoxha paralajmëroi përshkallëzim e saj, duke kërkuar nga qeveria marrjen e masave. “Nëse nuk mbajnë fjalën e dhënë do ketë protesta në të gjithë Shqipërinë. Ne nuk pranojmë të na drejtojnë ordinerët. Të zbatohet ligji që vetë kanë miratuar. Të vijë të solidarizohet me ne Ambasadori Amerikan”.

 

Debati

Ndërkohë, në një intervistë direkte në televizionin “News 24”, ish-i përndjekuri politik Kujtim Kaziu në debat e sipër nxori nga xhepi i xhupit një shishe me benzinë dhe kërcënoi se do ndërmarrë akt ekstrem për indiferencën e shtetit përballë çështjes së të burgosurve politikë. Një prej moderatorëve në studio, tentoi ti marrë shishen me benzinë, ndërsa regjia ndërpreu transmetimin deri në qetësimin e situatës. Veprimi i Kaziut erdhi pas një debati mbi përplasjen që ish të përndjekurit patën në protestën e ditës së djeshme, ku vlen të theksohet se akt i djeshëm ishte tentativa e dytë e tij për t’u vetëdjegur në transmetimin direkt. Para pak ditësh, Kaziu tentoi të vetëdigjej duke hedhur mbi vete benzenë gjatë një prononcimi direkt në TV në protestën e kaluar të të ish-të përndjekurve politikë, por ndërhyrja në kohë e policisë e shpëtoi atë.

 

Takimet në SHBA/ Mediu: Opozita, pro integrimit pa kushte, qeveria veprime antikushtetuese

 Kryetar i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në kuadër të një vizitë zyrtare në SHBA, zhvilloi takime në Kongres me senatorë dhe kongresmenë, ku u diskutua situata aktuale politike dhe roli i opozitës. Gjatë vizitës në SHBA, Mediu u takua me senatorët James Inhofe dhe Roy Blunt, kongresmenin Robert Aderholt, zv.president i Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe bashkëkryetar i Grupit për Shqipërinë në Kongresin e SHBA-së. Në këto takime kreu i PR-së vuri në dukje se mbas zgjedhjeve të qershorit fatkeqësisht, qeveria socialiste dhe LSI, në mënyrë konsistente janë përpjekur dhe po përpiqen të uzurpojnë Institucionet Kushtetuese dhe t’i përdorin ato politikisht. “Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime të njëpasnjëshme kundër vendimeve të mazhorancës, të cilat kanë qenë tërësisht antiligjore dhe antikushtetuese”, – ka theksuar ai. Më tej, Mediu ka pohuar: “Çështjet e sigurisë, janë të një rëndësie parësore për të dy vendet si anëtare të NATO, por dhe në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Politizimi i Institucioneve, prishja e parimeve kushtetuese të Check and Balance, krijon probleme të pakthyeshme në garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit publik”. Nga ana tjetër, kreu i PR-së shprehu vendosmërinë e opozitës për të mbështetur procesin e integrimit, duke nënvizuar njëkohësisht vendimet antiligjore të qeverisë. “Opozita mbështet pa mëdyshje rrugën evropiane dhe marrjen e statutit të vendit kandidat, por dhe kërkon njëkohësisht nga qeveria të ndale veprimet antikushtetuese dhe antiligjore. Ne do kryejmë detyrimet tona si opozitë për të garantuar transparencën në përputhje me autoritetin që na jep Kushtetuta në parlament”, – pohoi Mediu.

 

 

 

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news