Drafti parashikon që shumë nga hapësirat publike, objektet publike, pallatet, por edhe objektet tregtare, shkollat, kopshtet dhe mjetet e transportit publik të vëzhgohen me kamera. Bizneset që kanë një xhiro vjetore mbi 10 milionë lekë do të jenë të detyruar të instalojnë kamerat vëzhguese.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e cilësoi projektligjin e ri të sigurisë publike të përgatitur nga dikasteri që ai drejton si të domosdoshëm për të rritur sigurinë në shkolla, biznese dhe në vendet publike për qytetarët. Drafti i ligjit prej disa ditësh i është dërguar për mendim institucioneve të tjera të linjës. Ligji për masat shtesë të sigurisë publike, ka si qëllim krijimin e kushteve ligjore për të siguruar bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe subjekteve publike e private. Drafti parashikon që shumë nga hapësirat publike, objektet publike, pallatet, por edhe objektet tregtare, shkollat kopshtet e mjetet e transportit publik të vëzhgohen me kamera. Bizneset që kanë një xhiro vjetore mbi 10 milionë lekë do të jenë të detyruar të instalojnë kamerat vëzhguese. Po kështu objektet private dhe publike do të jenë të detyruar të çertifikohen për sigurinë e tyre, nga drejtoritë e policisë vendore.
Ekspertët
Ndërkaq ekspertë të sigurisë kundërshtojnë disa prej neneve të ligjit që nuk garantojnë apo cenojnë të drejtat e njeriut. Arben Hajdarmataj, ish-drejtues policie, ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë se qeveria nuk mund të detyrojë me ligj bizneset të ruajnë me kamera ambientet ku ata ushtrojnë aktivitetin. Po kështu ai pohon se edhe aksesimi i të dhënave që fitohen nga zbatimi i këtij projekti, duhen analizuar dhe ruajtur. Ai shprehet se ato mund të bëhen të aksessueshme dhe mund të përdoren për shantazh të ndryshme. Ai kërkon që këqyrja e këtyre pamjeve për interesa të caktuara, duhet të bëhet nga prokuroria. Hajdarmataj, gjithashtu thotë se në disa prej neneve parashikohet që rregullimi i marrëdhënieve me qytetarët bëhet me urdhëzim të Ministrit të Brendshëm. Sipas tij, ai mund të rregullojë marrëdhëniet e policisë me Ministrinë e Brendshme, apo detyra të brendshme të policisë, por jo marrëdhënien me qytetarin të cilat sipas tij i rregullon vetë ligji.
Projekt-ligji
Shqipëria do të ketë së shpejti një ligj të sigurisë publike, i cili do të garantojë më shumë siguri për jetën, pronën dhe qytetarët. Një ligj i hartuar nga Ministria e Brendshme dhe që i është shpërndarë organeve të tjera për të dhënë mendime, së shpejti pritet t’i kalojë komisioneve parlamentare për shqyrtim. Nxjerrja e këtij ligji do të detyrojë të gjithë bizneset, të cilat kanë të ardhura më shumë se 10 milionë lekë në vit, autobusët, taksitë, lokalet që kanë hapësirë për më shumë se 50 klientë, kopshte fëmijësh, park lodrash e shumë mjedise të tjera, të jenë të gjitha të pajisura me kamera sigurie. Bizneset, të cilat janë grabitur njëherë më parë dhe që sipas analizave policore mund të jenë objekt sulmi i grabitësve, do të detyrohen edhe ato të kenë masa shtesë të sigurisë. Subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit, subjektet që administrojnë mjedise të hapura apo të mbyllura për fëmijë, shkolla apo kopshte private, si edhe çdo veprimtari e transportit publik që konsiderohet nga policia si burim rreziku i shtuar, do të jetë i detyruar me ligj që t’i përgjigjet dispozitave në fuqi, sapo ky ligj të hyjë në fuqi. Jashtë këtij ligji nuk do jenë as banesat dhe sidomos ato që kanë depozita uji apo banorë të pallatit persona me precedentë kriminalë. Në nenin 8 të këtij ligji thuhet se “administratorët e ndërtesave të banimit, marrin masa shtesë sigurie, duke bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, nisur nga vlerësimi i rrezikut që konstatohet në urbanistikën e pallatit, parkimet, depozitat e ujit, personat me precedentë kriminalë banorë apo qiramarrës”.
BOX
Pas daljes së ligjit, vetëm 6 muaj kohë për t’i vënë
Të gjitha filmimet e ruajtura nga kamerat e sigurisë me ligj janë të detyruara t’i jepen policisë sa herë që ajo do t’i kërkojë, por në përputhje edhe me ligjin për të dhënat personale. Policia do t’i japë të gjithëve gjashtë muaj kohë për të marrë masat e sigurisë pas daljes së këtij ligji, dhe në mos respektim të tij do të vendosë gjobat përkatëse të parashikuara edhe ato në një nen të veçantë. Vërtetimet e sigurisë do të jepen nga policitë vendorë, të cilat duke bërë analizën e riskut për një objekt u lind e drejta të kërkojnë edhe masat shtesë, si ato të policisë private, por edhe lidhje direkt të sinjalit të kamerave për ruajtjen e objektit me sallat e komandimit të policisë.





