Tekniku italian u shpreh se ndeshja e luajtur në Kopenhagen ishte ajo që i dha mundësinë Shqipërisë për të ëndërruar edhe më shumë arritjen në Francë 2016
Arritja e jashtëzakonshme e Shqipërisë me Gianni De Biasi-n, duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian, mbetet një prej titujve kryesorë të mediave italiane. Edhe pse nuk ishin skuadra më e fortë në grup, në aspektin teknik, kuqezinjtë u kualifikuan falë një skuadre të shkëlqyer. De Biasi tregon momentet kulmore të suksesit, duke theksuar se ndjesia për rezultatin historik nuk ndryshon. “Ndjesia është pak a shumë e njëjta si ajo që përjetuam në fund të ndeshjes. Realizuam një arritje të paimagjinueshme në fillimin e edicionit. Një gëzim i jashtëzakonshëm. Askush nuk mund ta imagjinonte se Shqipëria do të kualifikohej në Francë, madje pa zhvilluar as ndeshjet play-off”. De Biasi thekson se në momentin e emërimit, Federata e Futbollit i kërkoi vetëm përmirësimin e rezultateve të kombëtares, ndërsa tregon momentin kur kuptoi se kuqezinjtë mund të regjistronin rezultate të rëndësishme. “Mendoj se arritjen më të rëndësishme e realizuam gjatë edicionit të kaluar, kur fituam me Norvegjinë në Oslo. Ata ishin në vendin e 29-të në FIFA, ndërsa ne të 78-ët. Fituam 1-0 jashtë fushe. Aty skuadra mori besim te aftësitë e saj, pasi më parë nuk kishte ndodhur të fitonte përballë një skuadre që ndodhej kaq lart në renditje dhe mbi të gjitha në transfertë”. Me gjithë fitoren në Portugali apo tri pikët e marra në tavolinë ndaj serbëve, De Biasi vlerëson se “pika e kthesës” për Shqipërinë ishte në ndeshjen e 4 shtatorit në Danimarkë. “Barazimi në Danimarkë ishte rezultati më i rëndësishëm. Pikërisht ata ishin rivalët tanë të drejtpërdrejtë. U larguam pa humbje nga fusha e tyre, duke barazuar 0-0. Tjetër faktor i rëndësishëm, ishte karakteri që tregoi skuadra deri në fund. Me gjithë dy humbjet në shtëpi dhe në minutat e fundit kundër Portugalisë dhe Serbisë. Dy ndeshje “të çmendura”, të cilat do të sfilitnin edhe një kalë. Por, ne gjetëm forcat për të rimbushur bateritë dhe pas katër ditëve fituam në Armeni”. Duke vlerësuar dimensionin e ri që ka marrë përfaqësuesja shqiptare, në fund trajneri kuqezi përqendrohet te pritshmëritë nga pjesëmarrja në fazën e grupeve të Euro 2016-ës. “Në kualifikuese ishim në një prej grupeve më të vështira. Portugalia, Serbia dhe Danimarka janë skuadra të nivelit shumë të lart. Shqipëria arriti të kualifikohej si vendi i dytë në grup. Besoj se në Francë do të shkojmë pa peshën e përgjegjësive të mëdha, por të vetëdijshëm se asgjë nuk është e përfunduar. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të shpresojmë se gjatë këtyre tetë muajve që na ndajnë nga Euro 2016-ta do të kemi pak dëmtime dhe që futbollistët të luajnë me vazhdimësi në klubet e tyre”.
“L’Equipe” i kushton vëmendje Shqipërisë, Deschamps e kërkon në grup
Humbja e 13 qershorit përballë Shqipërisë nuk është harruar. Te Franca vazhdon të djegë disfata përballë kuqezinjve në “Elbasan Arena”, me supergolin e Ergys Kaçes nga goditje dënimi. Tashmë “Gjelat” organizatorë të Evropianit 2016 kërkojnë të hakmerren. Dhe këtë synojnë ta bëjnë pikërisht në shtëpinë e tyre gjatë evenimentit më të rëndësishëm kontinental. Gazeta më e madhe franceze “France Football” i kushtoi vëmendje kualifikimit të përfaqësueses kuqezi, duke renditur edhe tre arsyet përse skuadra e Didier Deschamps shpreson të përballet në grupe me ekipin e drejtuar nga Gianni De Biasi. Sipas të përditshmes, do të ishte mjaft interesante që organizatorët e Euro 2016-ës të përballeshin me vendin më të vogël pjesëmarrës dhe që kualifikohet për herë të parë në histori në një turne madhor. Kjo dëshirë lidhet edhe me një fakt historik. Në Botërorin 1998 Franca luajti kundër debutuesve të Afrikës së Jugut dhe në fund arritën ta fitonin trofeun. Tjetër arsye është aktivizimi i dy shqiptarëve në Ligue 1 franceze. Kapiteni kuqezi Lorik Cana dhe Ermir Lenjani janë pjesë e Nantës në elitën e futbollit, një qytet fatsjellës për “blutë”. Arsyeja e tretë e dhënë nga “France Football” është se nga të gjitha skuadrat e grupi “I” kualifikues, Shqipëria i mori më tepër pikë të besuarve të Deschamps. Një barazim në nëntor 2014 në sfidën e luajtur në Renë dhe fitore në Elbasan. Rezultate, të cilat përballë “Gjelave” nuk i morën portugezët, danezët apo serbët dhe për të cilat Franca kërkon revansh në Kampionatin Evropian. Sipas gazetës prestigjioze, “ai do të ishte vendi më i mirë për t’u hakmarrë”.





