Çollaku: Kriptomonedhat dhe call center-at, skema të reja për pastrimin e parave në Shqipëri

Çollaku: Kriptomonedhat dhe call center-at, skema të reja për pastrimin e parave në Shqipëri

Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meço në SYRI TV, ngriti shqetësime serioze mbi zhvillimet e fundit në tregun e kriptomonedhave në Shqipëri dhe lidhjet e tyre me aktivitete të dyshuara kriminale.

Sipas Çollakut, disa ngjarje të fundit në këtë sektor janë të lidhura me zhvillime ndërkombëtare dhe përfshijnë edhe individë nën hetim. Ai përmendi rastin e Ermal Beqiri, i cili, ndonëse i pandehur në një çështje të lidhur me AKSHI dhe i hetuar nga SPAK, zotëronte licencë për bankë dixhitale, e cila iu hoq vetëm pak ditë më parë. Sipas tij, aktivitetet dixhitale, institucionet dhe tenderat publikë janë të ndërlidhur me interesa për pastrim parash.

Në këtë kontekst, Çollaku përmendi edhe ish-kryebashkiakun e New York City, Eric Adams, duke sugjeruar se ardhja e tij në Shqipëri lidhej me interesa në fushën e kriptomonedhave dhe jo me arsye të tjera. Sipas tij, këto lëvizje lidhen me përpjekje për ndërtimin e instrumenteve dhe institucioneve financiare që mund të shërbejnë për qarkullimin e parave.

Çollaku ndaloi gjithashtu te fenomeni i call center-ave, duke e cilësuar si një aktivitet me përmasa të mëdha financiare. Ai iu referua një investigimi ndërkombëtar ku ishte përfshirë edhe gazetarja Lindita Çela, ku përmendeshin emra si Olsi Rama dhe Amant Josifi. Sipas tij, ky sektor ka gjeneruar të ardhura deri në 50–60 milionë euro në muaj, duke arritur në mbi 1 miliard euro në vit.

‘Ka disa ngjarje që po ndodhin në tregun e kriptomonedhës në Shqipëri, të lidhur me ngjarje jashtë vendit, që janë shumë të rëndësishme. Kujtojmë këtu që një nga të pandehurit e AKSHI-t, organizatës kriminale, tashmë zyrtarisht nga SPAK-u, kishte licencë për bankë dixhitale.

Ermal Beqiri, i pandehuri, iu hoq licenca tani para ca ditësh. Ai vazhdonte edhe licencën edhe tenderat. Pra janë të lidhura, pra, pra bizneset dixhitale, AKSHI, do dhe bankën, do dhe pastrimin e parave.

Presioni i lartë i agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri, por sidomos i partnerëve, mbi paranë kesh, mbi bankat tregtare që ekzistojnë në Shqipëri, e bënte të domosdoshëm për aktorët e mëdhenj të botës së pastrimit të parave që janë përqendruar në Shqipëri, të lidhur detyrimisht me krimin e organizuar dhe me trafikun e drogës, që u duhej një shtegdalje tjetër. Sot paguhen, siç tha Ana, edhe gjyqtarët, edhe vrasësit vetë paguhen me kriptomonedha.

Qarkullon, ka prej vitesh, ka katër-pesë vjet kjo histori. Por, këtu kemi edhe një gjë tjetër, kjo është bjellja e radhës ndoshta por me përmasa shumë herë dhe kosto shumë herë më të lartë. Kujtojmë këtu që u shqiptarizua Eric Adams, ish-kryetari i bashkisë.

Ishte një nga njerëzit që ishte në botën e kriptomonedhave dhe sipas medias britanike, e kam nxjerrë që para një jave, kështu lajm që e përcollëm edhe ne. Pra, ishte në një procedurë hetimore të bizneseve të tij në botën e kriptomonedhës.

Ai nuk erdhi këtu se e këputi sevdaja për Shqipërinë, harrojeni këtë mesele. E solli Edi Rama pikërisht për këto biznese këtu ku këta bashkërisht gatuanin instrumentet dhe institucionet financiare.

Si lëviz paraja e kur vërtet siç tha Belindi, aktori, njëri nga aksionerët i dënuar në Austri për një biznes 200 milionë euro të call center-ave. Call center-at në Shqipëri ka një histori që nga viti 2019, histori intensive. Kujtoj këtu, kam qenë ndër të paktët ndoshta që e kam publikuar në Shqipëri fillimisht këtë lajm, ka qenë një investigim i 23 gazetarëve të Evropës Juglindore, ku në Shqipëri ka qenë gazetarja Lindita Çela që ka punuar.

Dhe ky material i zgjeruar që përmendte emrin e Olsi Ramës i përfshirë në këtë biznes, bashkë me Amant Josifin, ishte, kishte marrë vrull në Shqipëri, ku ishin ukrainas dhe izraelitë aktorët kryesorë të këtij biznesi në Tiranë dhe në Shqipëri.

Në atë vit, po them në atë vit, që ka ardhur duke u rritur. Në Shqipëri hynin nga ky biznes 50 deri në 60 milionë euro në muaj. Në muaj. Pra, dhe duke ardhur vit pas viti, ai kalonte edhe 1 miliardë euro në vit.

Në festat e këtij ziafeti financiar mashtrues në Tiranë, ishin aktorë të rëndësishëm të botës së politikës dhe të biznesit. Tani, se rrjeti është polici, prokurori, gjykatë. Të gjithë ishin nën zarfa, nën regjimin e zarfave. Merrnin të gjithë para.

Dhe ky biznes i call center-ave, ku u përmend emri i Olsi Ramës atëherë, ku erdhën spanjollët këtu, ku erdhën gjermanët këtu, ku erdhën italianët këtu, se po kërdiseshin le të themi, në mashtrime, histori miliardësh, dhe nuk e di se kush do të thoshte që kryeministri i vendit s’paska, s’paska dijeni, që këtu plaçkitet 1 miliardë euro në muaj, 1 miliardë’, u shpreh gazetari Basir Çollaku ndër të tjera në SYRI TV.

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.