Çmimet e apartamenteve në Tiranë në nivele rekord, blerja e një shtëpie kërkon mbi 18 vite punë

Çmimet e apartamenteve në Tiranë në nivele rekord, blerja e një shtëpie kërkon mbi 18 vite punë

Çmimet e larta të apartamenteve dhe të ardhurat e ulëta të shqiptarëve vijojnë ta rendisin Tiranën ndër pesë qytetet më të shtrenjta të Europës për përballueshmërinë e blerjes së një prone.

Sipas të dhënave të Numbeo-s, nëse për të blerë vjet një apartament në Tiranë nevojiteshin 15.3 vite, deri në 6-mujorin e parë të 2025, indeksi i përballueshmërisë së blerjes së apartamentit është rritur me rreth 3 vite.

Në Tiranë duhen 18 vite për të blerë një apartament sipas të dhënave të Numbeo-s të publikuara për 6-mujorin e parë të 2025-s.

Në renditjen botërore, Tirana pozicionohet në vendin e 37-të, me 18 vite për blerjen e një apartamenti.

Ndër qytetet europiane me indeksin më të lartë të përballueshmërisë për blerjen e një prone është kryeqyteti i Portugalisë, Lisbona, me 19.8 vite, Londra me 19.2 vite, Spliti dhe Tirana me 18 vite, më pas renditet Beogradi me 16.6 vite dhe Parisi me 15.3 vite.

Në vitin 2025, Tirana tejkalon Milanon, një ndër qytetet më të shtrenjta në Europë, për përballueshmërinë e blerjes së një prone.

Në Milano nevojiten 16 vite për të blerë një apartament. Në vitet 2023-2024, Milano renditej pas Tiranës me 17 deri në 19 vite për të blerë një apartament, ndërsa në Tiranë duheshin 2 deri në 3 vjet më pak.

Në renditjen botërore për 6-mujorin e parë 2025, qyteti më i shtrenjtë në botë për të blerë një apartament vijon të mbetet Xiamen në Kinë përkatësisht me 40.1 vite.

Në vitin 2024, qyteti më i shtrenjtë në Europë është Lisbona me 19.5 vite, e ndjekur nga Parisi dhe Spliti me 17.8 vite. Pas tyre vjen Milano me 16.3 vite. Tirana ashtu si në 2023 vijoi të renditet pas Milanos për apartamentet më të shtrenjta në Europë.

Në vitin 2023, qyteti më i shtrenjtë në Europë ishte Parisi me 20.2 vite, i ndjekur nga Lisbona me 19.6 vite, Dubrovniku dhe Praga me 19.3 vite, Milano me 19 vite dhe Tirana me 17.5 vite.

Një tregues i ngjashëm për përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti në Tiranë është përllogaritur edhe nga “Monitor” mbështetur nga formula e prezantuar në raportin e “Deloitte” që mat se sa paga vjetore reale bruto duhen për të blerë një apartament të ri, me një madhësi standarde prej 70 metra katror.

Duke i përshtatur këto të dhëna me Tiranën, llogaritet se për të blerë një apartament 70 metër katror nevojiten 19 paga vjetore reale bruto.

Sipas të dhënave të mbledhura nga zyrat kombëtare të “Deloitte”, qyteti më pak i përballueshëm në këtë sondazh është Amsterdami, ku banorëve u nevojiten 15.4 paga mesatare bruto vjetore për të blerë një apartament 70 m² – një rritje e lehtë prej 0.3% krahasuar me një vit më parë.

Pas tij renditet Athina, me 15.3 paga vjetore, ndërsa në vendin e tretë është Praga, ku duhen 15 paga vjetore për një banesë të ngjashme.

Në nivelin vijues të përballueshmërisë (14.0 – 14.9 paga vjetore) renditen qytete si Košice (14.2) dhe Brno (14.0). Në grupin tjetër, me 12.0–13.9 paga vjetore, bëjnë pjesë Banská Bystrica (12.😎 dhe Bratislava (12.3).

Qytetet ku përballueshmëria llogaritet mes 10.0 dhe 11.9 pagave vjetore përfshijnë Lubjanën (11.7), Selanikun (11.4), Budapestin (11.4), Ostravën (10.9), Londrën e brendshme (10.😎 dhe Roterdamin (10.1).

Në skajin më të përballueshëm të spektrit, banorët e Odense në Danimarkë dhe Torinos në Itali kanë nevojë vetëm për 4.9 paga mesatare bruto vjetore për të blerë një apartament të ri – duke i bërë këto qytete më të përballueshmet në krahasim.

Të tjera qytete me përballueshmëri relativisht të lartë janë Mançesteri (5.3), Aarhus (5.😎 dhe Katowice (7.1).

Sipas raportit, është e rëndësishme të theksohet se përballueshmëria e strehimit formësohet jo vetëm nga çmimet e pasurive të paluajtshme, por edhe nga niveli i pagave lokale.

Në disa raste, edhe qytetet me çmime të larta mund të ofrojnë përballueshmëri më të mirë falë rritjes së të ardhurave mesatare.

Për këtë arsye, balanca mes rritjes së të ardhurave dhe inflacionit të kostos së banesave mbetet një faktor thelbësor që përcakton aksesin në strehim në mbarë Europën./Monitor

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.