Një nga aferat më të mëdha në Shqipëri ka qenë marrja me qira e TEC-eve lundruese në Vlorë, të cilët u vendosën në zonën e Triportit, ndërkohë që deri më sot kanë prodhuar pak apo aspak energji, teksa kostoja rritet dita-ditës.
Qindra mijëra euro paguan shteti shqiptar për t’i mbajtur në punë në një ditë të vetme, pa llogaritur karburantin, sigurimin apo kostot e punëtorëve, ndërsa karakatinat kanë filluar edhe problemet e para.
Në një kohë që për këtë aferë duhet të kishte një hetim apo verifikim, vetë institucioni qiramarrës, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare vijon të thellojë gropën në buxhetin e shtetit, duke bërë tendera të njëpasnjëshëm, me kosto tepër të lartë.
Në këto ditë të nxehta vere dhe larg vëmendjes së opinionit publik, KESH ka hapur procedurën e radhës, jo për të prodhuar energji, por për të mirëmbajtur dy anijet e ndryshkuara.

Dokumentet që ka hulumtuar Vox News, tregojnë se KESH-i, i drejtuar tashmë nga Viola Haxhiademi, një ish-drejtuese e lartë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka hapur një tender të majmë me vlerë plot 20 milionë euro.
Dokumentet tregojnë një fryrje të madhe të të gjithë kësaj vlere, ndërsa objekti i procedurës së prokurimit është “operim dhe mirëmbajtje e asetit gjenerues Termik, Vlorë”.
Fondi limit është plot 1.892.000.000 lekë, ndërkohë që nëse do t’a konvertojmë në euro, shuma shkon në plot 20.198.569 euro. KESH-i shkruan se këto para janë vetëm për mirëmbajtje dhe një procedurë e hapur, mbi kufirin e lartë monetar.
Sipas kontratës, dy anijet janë me qira, teksa KESH-i paguan çdo muaj qindra mijëra euro.
Ndërkohë që jo shumë larg vendit ku janë akomoduar ato karakatina të ndryshkura, qëndron i konservuar një tjetër TEC, kostoja e të cilit ka shkuar në plot 130 milionë euro. Shteti ynë paguan miliona euro për konservimin e TEC-it në tokë dhe qindra miliona euro të tjera për TEC-et Lundruese.




