Sfida mes Shqipërisë dhe Serbisë u ndez që në momentin kur UEFA shortoi në të njëjtin grup këto dy përfaqësuese. Kuptohej që kjo përballje nuk do të ishte si të gjithë të tjerat, madje shumë analistë e kundërshtuan këtë kombinim që në fillim duke theksuar se këto dy kombëtare nuk duhet të ishin pjesë e të njëjtit grup, megjithatë skuadrat e grupit ishin përcaktuar dhe takimet do të zhvilloheshin sipas rregullit. Përfaqësuesja shqiptare u nis drejt Beogradit 13 tetorin e vitit të shkuar dhe klima armiqësore u pikas që në momentin kur futbollistët kuqezi zbritën në kreyqtetin e Serbisë. Nën masa të forta sigurie autobusi me delegacionin kuqezi u nis drejt hotelit ku do të akomodoheshin. Më pas atmosfera u përkeqësua në momentin kur lojtarët e kombëtares sonë po i drejtoheshin stadiumit për të kryer stërvitjen e fundit, autobusi u godit me gurë përgjatë gjithë segmentit të rrugës, megjithatë zyrtarët e Federatës preferuan të mos ankimonin asgjë, duke qëndruar të fokusuar tek ndeshja. Më pas erdhi dita e paharrueshme, e martë 14 tetor. Përfaqësuesja kuqezi u nis drejt stadiumit “Partizani” e blinduar nga forcat e policisë dhe koret raciste “vritini shqiptarët” u dëgjuan që nga rrugët e Beogradit e deri në momentin kur lojtarët zbritën në fushë për të vëzhguar terrenin përpara ndeshjes. Erdhi çasti i himneve. Aty ndodhi diçka që ndoshta nuk parashikohej. Himni shqiptar u vërshëllye nga i gjithë stradiumi, por lojtarët e kombëtares vijuan ta këndonin më shumë me zemër sesa me zë. Takimi startoi dhe serbët patën disa shanse, megjithatë kuqezinjtë rekuperuan duke marrë më tej kontrollin e lojës, madje edhe rrezikuan portën e Stojkkovic dhe aty huliganët serb ndoshta të provokuar nga paraqitja e mirë e shqiptarëve filluan të shfaqnin anën e errët. Fillimisht loja u ndërpre pasi Agolli e kishte të pamundur të ekzekutonte normalisht një goditje nga këndi, me stadiumin që vijonte të brohoriste “vritni shqiptarët”. Më pas gjyqtari e ndali edhe një herë sfidën për një flakandë të hedhur në fushë. Në atë moment mbi qiellin e stadiumit fluturoi një dron i cili valviste një flamur me simbolet shqiptare. Mbrojtësi Mitroviç i irrituar e shkëput nga droni, me Xhakën dhe Lilën që ja marrin menjëherë nga duart. Aty fillon edhe përplasja fizike mes futbollistëve, që sigurisht do të mbyllej vetëm me masa ndëshkimore nga gjyqtari, po të mos ishte për një huligan serb që i futur në fushë godet me stol Bekim Balajn. Gjyqtari Atkinson bën me shenjë që skuadrat ti drejtohen dhomave. Por pa e ditur se në tunelin që të dërgon, aty lojtarët shqiptarë do të goditeshin në mënyrë të dhunshme nga huliganë serb, rojet e sigurisë që në vend që ti ndalonin bënin rolin e “Cheerleaderit”. Zyrtarët e Federatës në dakordësi me futbollistët vendosën që aty nuk mund të luhej më duke i komunikuar gjyqtarit se pas dhunimit fizik e kishin të pamundur të zhvillonin një ndeshje normale futbolli. Në këtë moment filloi edhe kalvari i gjatë i betejës institucionale. Komisoni i Disiplinës dhe i Etikës pranë UEFA-s dha vendimin e parë që ishte sa absurd aq edhe i çuditshëm. Fitore në tavolinë për Serbinë për shkak të mospranimit nga ana e Shqipërisë për të vazhduar sfidën, por reduktim i tre pikëve në renditje për serbët për mosorganizim të duhur të ndeshjes. Çështja shkoi në apel, por as apeli nuk dha drejtësi, për të ardhur tek akti i fundit i kësaj sage të gjatë. 10 korrik 2015, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i jep 3 pikët Shqipërisë dhe i redukton 3 të tjera Serbisë. Mbyllet më në fund beteja e gjatë me drejtësinë që i shkoi asaj kombëtareje që e meritonte. Tashmë kemi një tjetër betejë përpara, por vetëm dhe eksluzivisht në fushën e lojës.





