Çfarë është Starlink-u i Elon Musk-ut dhe si do të përfitojë Kosova?

Autoritetet në Kosovë njoftuan më 21 tetor se e kanë autorizuar kompaninë amerikane, Starlink, për ofrim të internetit satelitor në Kosovë. Kur do të funksionalizohen shërbimet e saj dhe si do të përfitojnë qytetarët?

Internet pa ndërprerje, në çdo cep të territorit, edhe në situata të jashtëzakonshme. Këto janë vetëm disa të mira që përfiton Kosova nga shtrirja e shërbimeve të gjigantit amerikan, Starlink, në territorin e vet. Futja e Kosovës në hartën e Starlink-ut, njërës prej kompanive më novatore në botë, konsiderohet edhe si promovim i mirë për vendin.

Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se shërbimet satelitore të kësaj kompanie do të funksionalizohen në dhjetorin e sivjetmë.

Kosova veçse mburret për mbulueshmërinë me internet në nivel rajonal. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 98.6 për qind e ekonomive familjare kanë pasur qasje në internet më 2023.

Operatorët aktualë në Kosovë ofrojnë internet kabllor, përfshirë internetin me fibër optike, i cili është prej më stabilëve dhe më të shpejtëve.

Çfarë është Starlink-u i Elon Musk-ut dhe si do të

Satelitët e Starlink-ut

Starlink-u është kompani që ofron internet satelitor në mbi 100 shtete dhe territore dhe zotërohet prej kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, të miliarderit Elon Musk. Starlink-u i ka rreth 6.000 satelitë, të cilët gjenden rreth 500 kilometra mbi Tokë, në orbitën e ulët të planetit.

Kjo do të thotë se ata janë rreth 65 herë më afër Tokës sesa satelitët tradicionalë të palëvizshëm dhe, për dallim prej këtyre të fundit, satelitët e Starlink-ut janë vazhdimisht në lëvizje dhe sigurojnë që vonesat në komunikim të jenë 10 herë më të vogla. Anëtarja e bordit të ARKEP-it, Rrezarta Duraku Rizaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se leja për operim për Starlink-un është hap i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.

“Autorizimi i Starlink-ut ka më së shumti impakt në rritjen e sigurisë nacionale, sidomos në periudhë konfliktesh. Kjo, për faktin se pjesa dërrmuese e infrastrukturës së Starlink-ut gjendet në hapësirë dhe është e paprekshme nga dëmtimet e mundshme në kohë lufte apo katastrofash natyrore në Tokë. Një terminal i Starlink-ut ka në të njëjtin moment pamje në disa satelitë në hapësirë, me çka rritet edhe më shumë disponueshmëria e shërbimit”, ka thënë Duraku – Rizaj.

Ajo beson se kjo përparësi mund të shfrytëzohet nga bizneset dhe nga institucionet qeveritare, sidomos ato të sigurisë, të cilat menaxhojnë infrastrukturë kritike.

Disa të tjerë përmendin ushtrinë dhe misionet e huaja si konsumatorë potencialë. Dhe, jo vetëm ata. Sipërmarrësi Darsej Rizaj, bashkëthemelues i Shkollës Digjitale dhe i kompanisë Starlabs, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se do ta shfrytëzojë këtë shërbim si privatisht, ashtu edhe për bizneset, sapo ai të jetë i qasshëm. “Interneti është vegël kritike për neve, kështu që Starlink vetëm do të jetë ndihmesë shtesë, që të mos kemi kurrë ndërprerje të shërbimeve të internetit”.

Çfarë është Starlink-u i Elon Musk-ut dhe si do të

Si do të funksionojë?

Porositjen e shërbimeve do të mund ta bëjë secili në faqen e Starlink-ut, duke kërkuar adresën më të afërt. Pas porosisë, Starlink-u do t’ia dërgojë klientit pajisjen marrëse, e cila lidhet me satelitët në hapësirë. Rrezarta Duraku Rizaj ka thënë se marrësi i përdoruesit është i vogël, portativ dhe mund të përdoret në lokacione të ndryshme, si për shembull në mal, në terrene të vështira, e vende të tjera ku nuk ka qasje të mirë në internet.

Sa do të jetë çmimi dhe shpejtësia e internetit?

Përcaktimi i çmimeve do të bëhet varësisht prej fuqisë blerëse lokale të secilit shtet. “Tarifimi përbëhet nga dy komponentë: blerja e hardverit në fillim, terminali me pajisjet përcjellëse që blihen një herë, dhe një tarifë mujore që do të varet nga planet e shërbimit që janë të disponueshme në faqen e internetit”, ka treguar Duraku-Rizaj.

Ajo ka thënë se kostot do të bëhen publike para lansimit në dhjetor, dhe për krahasim i ka përmendur çmimet në Shqipëri, ku Starlink-u u shtri në prillin e sivjetmë. Atje, blerja e pajisjeve në fillim kushton rreth 500 euro, ndërsa plani mujor më i lirë është rreth 65 euro.

Shpejtësia e internetit që ofron Starlink-u është 120 deri në 250 megabit për sekondë (mbps), varësisht se a bëhet fjalë për plane individuale apo për biznese.

Operatorët në Kosovë, aktualisht, mundësojnë internet më të shpejtë. Ekonomive familjare u ofrohet internet deri në 500 mbps në kuadër të pakove të kombinuara me shërbime televizive, me çmime deri në 35 euro. Për bizneset ka oferta për internet deri në 1 gigabit për sekondë, me çmime mujore deri në 1.100 euro.

Darsej Rizaj e pranon që sa i përket shpejtësisë, Starlink-u nuk iu bën konkurrencë operatorëve lokalë, por është plan i mirë rezervë, në rast të dështimit të linjave tokësore.

Nami i Starlink-ut në Ukrainë

Starlink-u pati marrë gjithë vëmendjen në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, dhe për pasojë ukrainasve iu shkëputen linjat e internetit.

Vendimi i Muskut për të mbuluar Ukrainën me internet ishte konsideruar jetik për shumë operacione të ushtrisë ukrainase, por edhe për rimëkëmbje të infrastrukturës së energjisë dhe komunikimit.

Starlink-u ka bërë të ditur se po punon edhe për ofrimin e shërbimeve telefonike – por, deri atëherë, të gjithë sytë tek interneti!/REL/ (A2 Televizion)

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.