Marrëdhëniet me Metën, Rama: Koalicioni qeverisës funksion plotësisht, qeveria është në detyrë
“Çështja e CEZ-it nuk ka lidhje me qeverinë, media bëri pingpong të shëmtuar dhe çorodit publikun”
Kryeministri Rama foli dje për herë të parë për zhvillimet e fundit të çështjes “CEZ”, ku nuk ngurroi t’u përgjigjej edhe atyre zërave që flasin për një përçarje në koalicionin e majtë. Në intervistën për “Zërin e Amerikës”, kreu i qeverisë i dha përgjigje negative kërkesës së PD-së po ashtu edhe asaj të aleatit të tij Meta për hetim ndërkombëtar të çështjes ku tha se ajo i takon Prokurorisë Shqiptare. “Shqipëria është vend kandidat për BE, është vend që po troket në derën e BE-së për të hapur negociatat. Shqipëria ka një legjislacion të vetin ku ka hapësirë për të bërë hetim për këdo dhe gjithçka. Dhe mbi të gjitha mbi rastin në fjalë ka një spekulim skandaloz, nuk ka asnjë pengesë për asnjë lloj hetimi në marrëveshjen e bërë për ta zgjidhur me marrëveshje problemin e trashëguar. Shqipëria nuk ka asnjë shpikje allashqiptarçe për të bërë. Hetimet të shfrytëzojë hapësirën ligjore shqiptare, s’kemi kohë për të humbur, as me PD as me segmente të tjera që kërkojnë të devijojnë rrugën tonë e prioritetet”, – deklaroi Rama.
CEZ-i dhe qeveria
Në qëndrimin e tij për akuzat e demokratëve për marrëveshjen e arritur mes qeverisë dhe CEZ-it, Rama tha se ekzekutivi që ai drejton nuk të bëjë aspak me kompaninë ceke. “Është një përfolje shumë e madhe dhe mua nuk më mbetet tjetër veçse të përmend atë shprehjen e famshme: “Fali Zot se nuk dinë se ç’bëjnë!” po këtu nuk dinë se ç’bëjnë në fakt që të gjithë edhe ata që akuzojnë dhe ata që komentojnë sepse çështja e ashtuquajtur, sepse një çështje “CEZ” nuk ka, është absolutisht e trajtuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe marrëveshja e qeverisë shqiptare ka qenë një domosdoshmëri për të çliruar kompaninë nga kthetrat ku ishte tërësisht e kapur për shkak të keqadministrimit, një kompani me 1 miliard borxhe të akumuluara dhe për shkak të ndërhyrjeve shumë brutale të qeverisë së mëparshme në çështjet e kompanisë. Për qeverinë shqiptare kjo është një çështje e mbyllur dhe e mbyllur me sukses”, – tha ai. Në këtë mes kritikash, Kryeministri nuk la pa përmendur siç ka bërë edhe në disa raste më parë median, e cila, sipas tij, nuk u tregua e drejtë me publikun. “Gjithë të tjerat janë pjesë e një çorodie të madhe që karakterizon sot opozitën, por edhe median, sepse medias i takon të bëjë hetimet e veta, leximet dhe konkluzionet e veta për interesin e publikut. Dhe nuk i takon të bëjë këtë pingpong të shëmtuar nga ku publiku del më i çoroditur”. Më tej, Rama ashtu siç ka pohuar shkurtimisht, të vetmin reagim për çështjen, se studioja e mbrojtjes e kontraktuar nga qeveria nuk kishte asgjë me emrin e Metës, tha se e gjithë çështje është një mjegull e krijuar nga opozita dhe mediat. “Studioja ligjore e sjellë në këtë debat absurd nga media të caktuara ka dhënë një prononcim shumë të qartë dhe ka thënë nuk ka asnjë referencë nominale për kreun e Kuvendit, pikë. Kjo është e gjitha pjesë e punës së bërë nga studioja ligjore në funksion të procesit të zgjidhjes të gjithë problemit të rëndë të trashëguar të CEZ-it dhe nuk ka lidhje fare as me qeverinë shqiptare as me çuarjen në prokurori nga qeveria shqiptare të askujt. Kjo e gjitha është mjegull e ngritur dhe dendësuar dita-ditës nga një zogori burimesh dhe personazhesh që shtrihen nga selia e PD deri tek burime të informacionit që nuk informojnë shqiptarët por deformojnë”. Në këtë intervistë nuk mungoi pyetja për marrëdhëniet e tij me kryetarin e LSI-së Meta, kur kohët e fundit janë shtuar mjaft zërat për një përçarje mes tyre. “Ne jemi në një koalicion qeverisës dhe koalicioni qeverisës funksion plotësisht. Qeveria është në detyrë dhe unë jam në krye të detyrës”, – pohoi Kryeministri.




