Çështja “Nejmar” Rosel jep dorëheqjen, dyshime edhe mbi Bejlin

Presidenti i katalanasve duket se pas skandalit ka vendosur që të largohet nga posti

 Edhe mbi Bejlin hidhen dyshimet e para për shifrën e blerjes së lojtarit

 

neymar95Sandro Rosel ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Barcelonës, teksa e ardhmja e klubit do të vendoset në takimin që u mbajt nga ora 18:00 mes zyrtarëve të lartë të klubit katalanas. Këto veprime vijnë një ditë pasi Gjykata e Lartë e Spanjës ka marrë vendim të hapë procedura rreth spekulimeve se Rossel kishte përvetësuar para nga transferimi i Nejmarit nga Santosi gjatë verës. Rosel, i cili e mori në drejtim klubin nga Joan Laporta në vitin 2010, ka mohuar se ka bërë keqpërdorime në rastin e transferimit të Nejmarit, por mund të përballet me burgim nga një deri në tetë vite, nëse shpallet fajtor. Zëvendëspresidentët e Barçës, Josep Maria Bartomeu dhe Havier Faus, ishin takuar me Roselin në shtëpinë e tij në mëngjes, së bashku me nënpresidentin Joanjo Kastijo, drejtorin gjeneral Antoni Rosic dhe drejtorin e komunikimit Albert Montagut. Mandati i Roselit skadon në vitin 2016 dhe nëse ai jep dorëheqje të enjten, Bartomeu do ta marrë në drejtim klubin deri në zgjedhjen e ardhshme. Konferenca për shtyp ku Rosel pritet të flasë para mediave do të mbahet në ora 19:30. Po ashtu pritet që Josep Maria Bartomeu, zëvendëspresidenti aktual, të drejtojë klubin deri në fund të sezonit.

 

 

Bejl dyshohet se është 265 milionë euro

Pas raportimeve se Nejmari i ka kushtuar Barcelonës 95 milionë euro, gazeta sportive katalanase “El Mundo Deportivo” shkruan në numrin e saj të sotëm se ka fakte që Reali i Madridit ka paguar plot 265 milionë euro për transferimin e Gareth Bejlit. Gazeta citon se “Los Blancos” i kanë paguar Totenhemit 101 milionë euro në verë, ndërsa pjesën tjetër të parave do të paguajë në muajt gusht të vitit 2014, 2015 dhe 2016. Po ashtu thuhet se Reali i Madridit i ka paguar futbollistit uellsian 6 milionë euro siguracion, ndërsa në total kostoja e transferimit të tij do të kapë shifrën e 265 milionë eurove. Presidenti madrilen Florentino Perez ka kërkuar nga agjenti i lojtarit që marrëveshja të jetë sekrete.

 

 

Rumenige: Nuk kemi të bëjmë me rastet Real – Barcelona

Nuk është Bajerni i Mynihut pas hetimeve të Komisionit Evropian mbi katër klube spanjolle, përfshirë Barcelonën dhe Realin e Madridit. Është Karl-Hajnc Rumenige ai që kërkon t’u japë fund zërave që qarkullojnë prej ditësh. Drejtuesi i klubit gjerman, siç raporton “A Bola”, ka shpjeguar se të gjitha janë gënjeshtra. “Janë të gjitha gënjeshtra. Kam mbetur i shtangur kur kam lexuar të tilla gjëra. Me presidentët Perez dhe Rosel kam një raport shumë të mirë. Nëse do të kishte ndonjë problem, do ta zgjidhja me një telefonatë”, – ka thënë Rumenige.

 

 

Dyshimet, Nejmar fiton 17 milionë euro

Një emision sportiv spanjoll ka zbuluar të gjitha detajet e kontratës së Nejmarit me Barcelonën dhe ka treguar se braziliani i blerë verën e kaluar nga katalanasit do të fitojë një total prej 17.680.000 eurosh në sezonin e parë të tij. Paga e tij është 9.180.000 euro, por kësaj shume i shtohen 8.5 milionë që tashmë Nejmar i ka marrë si shpërblim për transferimin në Spanjë. Gjithashtu, kontrata specifikon një seri bonusesh që lidhen me objektivat e arritura. Kështu, Nejmar do të marrë 637.500 euro për kualifikimin në Champions League, 425.000 për kalimin e fazës së grupeve në Champions dhe 850.000 nëse e fiton këtë kompeticion. Nëse Barcelona fiton titullin kampion në Spanjë, Nejmar do të fitojë 637.500 euro dhe nëse këtij titulli i shtohet Copa delRey, shuma shkon në 850.000 euro. Nëse vetë sulmuesi do të fitojë “Topin e Artë”, do të shpërblehet nga klubi me 425.000 euro. Në këtë mënyrë, të ardhurat vjetore të Nejmar do të afrohen me ato të Lionel Mesi dhe duke marrë parasysh këtë, rinovimi i yllit argjentinas do t’i kushtojë shumë shtrenjtë Barcelonës.

Esien, pranë Milanit

Janë rritur spekulimet për një transferim të Mishel Esienit te Milani, pasi agjenti i lojtarit besohet se është në Milano. Mesfushori i Çelsit është sugjeruar si një prej synimeve të Milanit për afatin kalimtar të janarit përkundër fjalëve të Galianit se s’do të ketë transferime. Agjenti i Esienit besohet se është në Milano dhe arritja e marrëveshjes është shumë pranë. Esien nuk ka luajtur për Çelsin fare në Ligën e Kampioneve, teksa mund ta shohë veten shumë shpejt te Atletiko e Madridit apo te Milani.

 

Venger: Transferimi i Matës, i dyshimtë

Trajneri i “topçinjve”, Arsen Venger, beson se kalimi i Huan Matës nga Çelsi te Mançester Junajtid është i padrejtë dhe ndien se duhet sa më shpejt të vihen rregulla të reja për transferime. Francezi është shumë i nervozuar me klubet që kanë arritur një marrëveshje prej 37 milionë funtesh për një lojtar rezervist dhe ai thotë se gjërat duhet të ndryshojnë. “Ky transferim ngre shumë pikëpyetje, pasi tashmë Çelsi i ka kryer ndeshjet ndaj Junajtidit dhe ata kështu nuk luajnë më ndaj tyre. Ata kanë mundur ta shesin në javën e fundit, por kjo edhe më shumë e vë në pikëpyetje datën kur fillon dhe kur mbaron afati kalimtar. Disa ekipe luajnë dy herë ndaj një kundërshtari e disa jo. Mendoj se duhet që të ketë drejtësi për të gjithë. Më pas, ku është shuma e transferimit, një shumë jo normale për një lojtar që është rezervë”, – u shpreh francezi.

 

 

De Biazi: Më shpejt flet me Papën se me Januzajn

Xhani de Biazi ka folur për të disatën herë për Adnan Januzajn. Trajneri i kombëtares ka lëshuar edhe një batutë, si për të treguar vështirësitë që po has Federata për të kontaktuar me babain e talentit të Mançester Junajtidit. “Nuk e dimë. Unë dhe drejtuesit e Federatës kemi bërë të pamundurën për ta kontaktuar, por problem është babai i tij, i cili nuk kthen qoftë edhe një përgjigje normale. Për batutë, më kollaj më duket të lidhem me Papa Françeskun sesa me Abedin Januzajn. Nuk e di se çfarë do të bëhet, por në lojë janë futur tashmë edhe Turqia, Belgjika dhe Anglia. Ne nuk kemi pasur asnjë kontakt, ndaj nuk di të them nëse duhet të kemi shpresa se ai mund të luajë për ne apo jo”, – ka deklaruar De Biasi. Ai ka folur edhe për mundësinë e largimit të kosovarëve në drejtim të përfaqësueses së Kosovës. “Jua thashë, kjo gjë nuk më shqetëson. Të gjithë kanë të drejtë të bëjnë zgjedhjet e tyre. Normal që për këto kualifikime lista e kombëtares nuk do të jetë kaq e madhe, ndaj cilido nga këta lojtarë që e shikon veten jashtë planeve të mia mund të shkojë të luajë për Kosovën”. Ai ka vlerësuar lart edhe golin e Valdet Ramës me Valadolidin. “Po, ishte një supergol dhe një Valdet Ramë i jashtëzakonshëm. Më besoni, unë nuk arrij ta kuptoj atë djalë. Nuk e di se çfarë ka në kokë dhe për çfarë arsyeje nuk ka mundur të shprehet si duhet në fushën e lojës. Ai është një superlojtar, me talent dhe për më tepër, edhe një djalë i mirë, i përulur. Gjykoj që nuk e kemi parë ende Valdet Ramën e vërtetë”, – tha ai.

 

 

 

Share it :