Çështja e CEZ-it / Berisha: Mega-aferë që grabit 1100 euro për çdo qytetar. Braçe: Ke zyrat te përfituesit e kontratave

 

 

berisha, ramaIsh-kryeministri: Si ministër i Jashtëm, Meta ka negociuar për të kontraktuar Kastriot Ismailajn. Do të gjejmë që dosjet që mbyllët ju njëra është 1 mld dollarë detyrime, tjetra shkon 3.5 mld $. Ju futi në xhep CEZ

 

Gëzim Saliu

 

Opozita këmbëngul në kërkesën e saj për dorëheqjen e Kreut të Kuvendit, Meta, lidhur me atë që e cilëson si mega-afera e kontratës mes CEZ-it dhe kompanisë DIA të zotëruar nga biznesmeni Ismailaj që aktualisht ndodhet në burg. Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, ish-kryeministri Berisha tha se krahas përfshirjes së Kryeparlamentarit, vjedhja më e madhe me CEZ-in, sipas tij, është kryer nga qeveria e Kryeministrit Rama, që i dha kompanisë çeke 98 milionë euro. “Mega-aferë e tmerrshme që vijon të grabis 1100 euro për person. Deklaruat se vendimi për privatizimin e kompanive është vendim i Berishës. Ligji thotë se furnizimi me energji vlerësohet si pronë publike, që do të thotë se kushdo që e merr, do të duhet që ta vlerësojë si publike. Privatizimi nga CEZ është bërë me ndërmjetësimin e korporatave ndërkombëtare financiare. Për herë të parë del në Arbitrazhin e Vjenës, i cili zbulon se Kastriot Ismailaj është rekomanduar nga Ministria e Ekonomisë në atë kohë për anëtar të këshillit. Ministria e Ekonomisë s’ka pasur asnjë tagër për këtë propozim. Si ministër i Jashtëm ka negociuar për të kontraktuar Kastriot Ismailajn. Do të gjejmë që dosjet që mbyllët ju njëra është 1 mld dollarë detyrime, tjetra shkon 3.5 mld $. Ju futi në xhep CEZ-i”, – tha Berisha. Por në kundërpërgjigje të ish-kreut të qeverisë shqiptare, kryetari socialist i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, tha se në kohën e qeverisjes së demokratëve është favorizuar CEZ në dëm të kompanive të tjera publike. Ndërkaq, ai akuzoi Berishën se zyrën aktuale e ka në të njëjtën ndërtesë me përfituesit e shumave të mëdha nga mbledhja e borxheve të CEZ-it, dy prej të cilave, sipas tij, kanë të njëjtin administrator. “Kompania e dytë që është kontraktuar për të mbledhur borxhet e këqija, Albania Telekomunication, adresa e kompanisë, ndërtesa “Aba Biznes Center”, pranë zyrës tënde. Çfarë kati e ke zyrën tek “Aba Center” ti? (i drejtohet sërish Berishës). Si ka mundësi që ti del ose në pallatin e këtij për të banuar, ose me zyrë? 7 kompanitë të firmosura me kompanitë e CEZ për mbledhjen e borxheve. Me 2 prej tyre ke ndarë zyrat”, – theksoi Braçe.

 

Debati Berisha-Braçe

Në fjalën e tij ish-kryeministri Berisha deklaroi se Arbitrazhi i Vjenës zbuloi se Meta ka negociuar me CEZ-in për Kastriot Ismailajn. “Në një letër të asaj thuhet se Meta që ka dhënë thonë se ka qenë me Edi Ramën në Pragë, a janë takuar apo jo me AISEC këtë nuk e di. Thonë se Ismailaj ka ndarë paratë me një politikan të hetuar për korrupsion. Ata politikanë që kanë thënë këto në gjyq nuk i deklarojnë ato pa qenë 100% të sigurtë”, – theksoi Berisha. Ndërkaq, deputeti socialist Erjon Braçe tha se është favorizuar CEZ në dëm të kompanive të tjera publike. “Në vitin 2009 kishin kompaninë shtetërore që u privatizua me një akt personal të Kryeministrit të atëhershëm. I gjithë procesi u përmbyll me një takim të Berishës në Pragë dhe aprovimit për mbështetje për statusin. Nga kompania e OSHE-së u kaluan të gjitha asetet tek CEZ. Ka dy çështje. Së pari kompania që do mblidhte borxhet e CEZ dhe vendimet që janë marrë në favor të CEZ ndaj OST dhe KESH. Atëherë keni mbajtur qëndrime të kundërta. 7 kompanitë të firmosura me kompanitë e CEZ për mbledhjen e borxheve. Me 2 prej tyre ke ndarë zyrat”, – pohoi ai. Por në reagimin e tij, Berisha e akuzoi Braçen si njeriun që bëhet dëshmitar me dokumente të rreme. “Meta si ministër i Jashtëm nuk ka pasur asnjë detyrë për të negociuar me CEZ-in për asnjë lloj problemi të kësaj toke. Me CEZ-in ka qenë i ngarkuar ministri i tij Edmond Haxhinasto, ministria e Financave, por asnjë zyrtar i ministrisë së Jashtme… kurrë dhe kurrë. Kallëzimi penal është bërë nga avokatja e shtetit shqiptar. Pasi qeveria ime faktoi në kompaninë ndërkombëtare se CEZ, i cili i kërkonte Shqipërisë 200 milionë euro dëmtime, i detyrohen Shqipërisë së paku 1 miliard euro detyrime ndaj OST-së, KESH-it dhe detyrime të tjera. Kastrioti dhe CEZ-i kishin të njëjtën studio avokatie. Avokatia e shtetit që përfaqësonte Ramën kishte për kundërshtar burrin e saj që përfaqësonte Kastriotin. Edhe kjo nuk ju pëlqen ju?!”, – pohoi Berisha.

 

box

Deklarata

“Unë jam Sali Berisha, s’ka burrë e grua apo horr e prostitutë që thotë se i detyrohem 1 qindarkë”

 

Ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa mbajti dje një fjalë të gjatë lidhur me atë që e cilësoi si skandali i CEZ-it, nuk ngurroi të “rrëfehej” para ligjvënësve të Parlamentit, duke deklaruar se asnjë shqiptar nuk mund të thotë se ai ka përfituar qoftë edhe një qindarkë. “Unë jam Sali Berisha, unë jam ky që jam 25 vjet rresht, për një fakt shumë të thjeshtë, se nuk i detyrohem kujt. Cilido burrë i ndershëm në cilindo nivel qoftë ai, horr dhe maskara në çdo nivel qoftë ai. Jam ky që në këtë tokë nuk gjen njeri të thotë që më bëri këtë nder për këtë post, nuk ka grua të ndershme që të thotë se më detyrohet një qindarkë, nuk ka prostitutë shtylle që të thotë se i detyrohem një qindarkë. Unë ju thashë një të vërtetë të madhe, s’ka njeri në botë të thotë se as i detyrohem as më detyrohet”, – pohoi ish-kryeministri.

 

Share it :