Çështja Balluku i del para në Estoni, Rama i vendosur ta mbrojë sërish korrupsionin
Nga Belind Këlliçi/
Edi Rama mendon se imuniteti special i Ballukut, është çështje private e tij dhe jo një problem i Shqipërisë që po i kushton vendit tonë vonesa në integrim.
Dhe pikërisht, për t’ja kujtuar këtë, janë kujdesur gazetarët në Estoni. Në skajin më të largët të BE, Edi Rama u pyet nga media atje për çështjen Balluku.
Kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një precedent të rrezikshëm, të njohur tanimë në gjithë hapësirën evropiane.
Padyshim se në Bruksel kjo është edhe më e theksuar, ashtu siç edhe e tha në Tiranë fare qartë McAllister: Një test kritik për të ardhmen e Shqipërisë.
Edhe më e rëndë është përgjigja që Edi Rama ka dhënë. Ai konfirmon se ka bërë gjënë e duhur. Dhe me këtë rast, tregon se do të bëjë sërish të njëjtën gjë, kur SPAK të paraqitet shpejt ndoshta me një kërkesë të re për Ballukun, apo edhe për bashkëpunëtorë të tjerë të Kryeministrit, të gjithë të përfshirë në afera të rënda financiare.
Vonesa me miratimin e IBAR, kalimi i grupkapitullit të parë që ka të bëjë me shtetin ligjor, rezoluta e PE ku përmendet specifikisht rasti i imunitetit të Ballukut që u mbrojt me kartonat e urdhëruar nga Rama ku u kthye mbrapsht drejtësia, po tregojnë se votimi i 12 marsit është i papranueshëm!
Por sërish, Edi Rama nuk ka reflektuar.
Ai thotë se do ta përsërisë këtë mbrojtje të korrupsionit.
Haptazi, Edi Rama do të mbrojë karrigen e tij, lëkurën e tij, fatin e tij personal, përpara interesave të vendit.
Ai do të zgjedhë interesin e tij, para integrimit.
Deri kur do ta lejojnë shqiptarët?!




