Ceno: Përgjimet e trafikut të armëve, interes ndërkombëtar për Shqipërinë, priten zbulime të tjera
Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike, Enri Ceno, deklaroi se përgjimet e publikuara nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj në SYRI TV për trafikun ndërkombëtar të armëve nga qeveria Rama nëpërmjet kompanisë së Ron Yeffet, kanë tërhequr interesin e shërbimeve partnere, NATO-s dhe agjencive të sigurisë.
I ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, Ceno tha se përgjimet duket se janë realizuar nga shërbime partnere dhe se, duke qenë se bëhet fjalë për materiale të muajve dhjetor-janar, ka pasur kohë të mjaftueshme për përpunimin e informacionit dhe lidhjen e tij me ngjarjet e mëvonshme politike.
Sipas tij, rëndësia e kësaj dosjeje shtohet edhe nga fakti se pas përgjimeve është emëruar një ministër i ri, i cili, sipas tij, përmendet si person kontakti në materialet e publikuara.
Enri Ceno theksoi se interesi për këtë çështje nuk kufizohet vetëm te shërbimet partnere, por përfshin edhe strukturat e sigurisë së NATO-s, duke pasur parasysh se Shqipëria është vend anëtar i Aleancës.
Ai tha se ka informacione për diskutime mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe ambasadores amerikane në NATO gjatë një vizite të kësaj të fundit në Shqipëri, në pranverë, lidhur me problematikën e pretenduar të trafikut të armëve.
Sipas tij, që në atë periudhë kishte pasur interes të shtuar dhe indicie për një trafikim të mundshëm armësh, të lidhur me Republikën e Qipros.
‘Është e kuptueshme që informacioni që, këto përgjimet që e keni nxjerrë në televizionin tuaj, ish-zv/kryeministri, janë përgjime të realizuara dukshëm nga shërbime partnere, të cilat janë të interesuara drejtpërdrejt.
Aty flitet për trafikim ndërkombëtar të armëve dhe kjo është e ndërlidhur, sepse bëhet fjalë për një përgjim që ka ndodhur shumë muaj përpara, pra llogaritet dhjetor-janari, pra 8-9 muaj më parë. Dhe është patur e gjithë koha e mjaftueshme që të përpunohen këto materiale dhe të bëhen dhe ndërlidhjet me ngjarjet që kanë ndodhur pas këtyre përgjimeve.
Dhe pas këtyre përgjimeve sigurisht që ne kemi patur emërimin e ministrit të ri, që është edhe personi i kontaktit që përmendet në ato përgjime dhe kanë ndodhur një sërë ngjarjesh të tjera.
Kështu që kjo dosje, me informacionet që kemi, ka interes të shtuar nga shërbimet, jo vetëm shërbimet partnere, por vetë NATO dhe agjencitë brenda strukturës së sigurisë së NATO-s.
Është e interesuar për të marrë më tepër informacione dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh në Shqipëri në këtë lloj… sepse ne jemi vend anëtar i NATO-s. Ka informacion që edhe gjatë vizitës së tij, ambasadorja amerikane në NATO të ketë patur diskutime me përfaqësues të qeverisë shqiptare në lidhje me këtë lloj problematike që po flasim.
Përpara, pra ai e ka vizituar Shqipërinë në periudhën e majit apo prillit më duket, dhe që në atë kohë ka patur një lloj interesi të shtuar sepse ka pasur indicie që ky lloj trafikimi po ndodhte me ciklin e Republikës së Qipros.
Sigurisht që, edhe kur këto informacione janë bërë publike, sigurisht që opozita ka bërë punën e saj. I ka mbledhur këto informacione dhe nëpërmjet lidhjeve politike që ne kemi në Uashington, por jo vetëm në Uashington, bëhet fjalë edhe për Berlinin, po edhe për Brukselin, po edhe më gjerë.
Pra ne i kemi deleguar dhe i kemi dërguar këto informacione. Sigurisht që ata kanë edhe agjencitë e tyre ligjzbatuese për të mbledhur informacion të pavarur, pa ndikim politik, që në rastin konkret… pra, opozita shqiptare ka një lloj ndikimi politik për sa kohë është e përfshirë drejtpërdrejt politikisht në peizazhin politik të vendit.
Sigurisht që janë një sërë dosjesh. Pra, këtu nuk dimë çfarë të kapim përpara dhe për çfarë duhet diskutuar më përpara. Në mënyrë të tillë është strukturuar formati politik në mendjen e Edi Ramës dhe më pas ai e ka emetuar edhe në shoqërinë shqiptare dhe mënyrën sesi ai udhëheq, se nuk qeveris, po udhëheq shqiptarët dhe Republikën. E thënë këtë, jemi thjesht në fillimin e sezonit.
Pra pritet një… pavarësisht se ne hyjmë në sezonin e ftohtë, në politikë hyjmë në sezonin e nxehtë. Në rastin konkret jemi thjesht në hapat e parë në lidhje me zbulimet që po bëhen pikërisht me këtë dosje. Kështu që presim në javët e ardhshme dhe në muajt e ardhshëm se çfarë do ndodhë.’, u shpreh ndër të tjera Enri Ceno në SYRI TV.




