Çelet zyrtarisht sezoni turistik/ Rama: I rikthejmë plazhet publikut, masa të forta për zhurmat e natës

Florenc Drizari

edi rama takim me elektoratin bazen socialistet Zonat bregdetare, Policia e Shtetit merr rolin e INUK-ut

 “Plan ushtarak masash për bregdetin, vepër penale ndërtimet pa leje, prerja e pemëve apo dëmtimi i rrugëve”

 Qeveria publikoi dje masat e reja për çeljen dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama foli para ministrave të linjës për masa të forta lidhur me administrimin e plazheve, ndërtimet në zona bregdetare dhe sigurinë publike. Ndërtimet pa leje, që pas ndryshimeve të cilat iu bënë Kodit Penal në vitin 2009, konsiderohen vepër penale, ndërsa risia që qeveria pretendon se sjell këtë vit, është edhe përfshirja e Policisë së Shtetit në rolin që më parë i përkiste INUK-ut, Inspektoratit Urbanistik Kombëtar, lidhur me ndjekjen e atyre veprave që përbëjnë krim mjedisor. Kjo përfshirje e strukturave të policisë, sipas Kryeministrit Edi Rama, bëhet për shkak të situatës së ngarkuar që ofron sezoni turistik dhe pamundësisë për ta mbuluar këtë fushë me inspektorë të mirëfilltë.

 

Rama
“Ndërtimi pa leje do të konsiderohet, siç është në fakt, vepër penale. Edhe çdo krim mjedisor, prerje pyjesh, dëmtim rrugësh, gjithfarë goditjeje që i bëhet këtu pasurisë më të madhe që kemi ne, që është natyra dhe që është territori ynë, do të jetë pjesë e punës së përditshme të Policisë së Shtetit. Njësoj si gjithë pjesa tjetër e punës dhe nuk do jetë më një çështje e një inspektorati fillikat, që bredh nëpër Shqipëri si një çetë që nuk mund dot kurrë ta përballojë fluksin e madh dhe nga ana tjetër, ne nuk mund ta përballojmë dot këtë fluks të madh paligjshmërie, duke rritur numrin e inspektorëve, se do të na duheshin rreth 100 mijë inspektorë ndërtimi në Shqipëri”,  -deklaroi një ditë më parë Kryeministri Rama. Në fjalën e tij, Kryeministri falënderoi Forcat e Armatosura për angazhimin në pastrimin e hapësirave publike, kryesisht në zonat turistike dhe ato kufitare, duke thënë se janë të justifikuara dhe të respektuara të marrin pjesë në një operacion të kësaj natyre, “sepse emergjenca e plehrave në Shqipëri nuk është aspak më e vogël sesa emergjenca e përmbytjeve apo emergjenca e tërmeteve, pavarësisht se për fat të keq kemi pasur për vite të tëra një qeveri që jo vetëm nuk i bënin përshtypje plehrat, por është ndier më mirë mes plehrave. Objektivi i këtij operacioni është të përcjellë mesazhin shumë të qartë që Ushtria nuk duhet të jetë aty çdo vit për t’u kthyer në një ndërmarrje kombëtare pastrimi. Ushtria do të jetë aty këtë vit, për të dhënë një mesazh shumë të qartë se të gjithë së bashku, jo vetëm, mund t’i mbajmë plazhet të pastra, por mund ta bëjmë pastërtinë në zonat tona turistike, një nga asetet më të çmuara në përpjekjen për të bërë histori suksesi”, – deklaroi Rama.
Plazhet private
Për sa u përket plazheve private, Kryeministri Rama theksoi se ato do të shkojnë drejt rikthimit në hapësira publike.
“Nuk do të ketë asnjë plazh ku 100% ligjin do ta bëjë privati. Privati do ta marrë me një kontratë me pushtetin vendor të drejtën për ta shfrytëzuar një pjesë të kuadratit që do të mirëmbajë, pra do të pastrojë edhe pjesën ku do të vërë shezllone dhe çadra, edhe pjesën ku nuk do të ketë shezllone dhe çadra. Ndërkohë që historia që për një shqiptar që të shkelë rërë dhe të prekë det, duhet të paguajë lekë, do marrë fund me patjetër”, – tha Rama. Në fund të fjalës së tij, Rama theksoi edhe mungesën e fondeve nga ana e qeverisë për të realizuar përfundimin e punimeve në rrugët që ndodhen pranë zonave bregdetare, duke ia lënë këtë premtim sezonit të ardhshëm turistik.

 

Haxhinasto

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, në konferencën e djeshme për çeljen e sezonit turistik, foli për masat që lidhen me sigurinë rrugore, nëpërmjet përmirësimit të sinjalistikës dhe fuqizimin e kapaciteteve hyrëse në portet e vendit. “Pas pak ditësh, – u shpreh ministri Haxhinasto, – do të startojë një fushatë sensibilizuese për publikun, që do të bëhet e mundur në bashkëpunim me shoqëritë civile dhe kompanitë e sigurimeve”. Ai nënvizoi se investimet në sinjalistikën rrugore do të orientohen në segmentet kryesore të vendit, që i shërbejnë industrisë turistike, sikundër investime po kryhen edhe në porte, si në atë të Vlorës, Shëngjinit, Durrësit.

 

Gjermeni

“Masat pasqyrojnë përqasjen tonë të koordinuar për të zgjidhur problemet. Do të jemi në terren gjatë gjithë sezonit për të ofruar ambiente më të pastra, për t’u ofruar pushuesve shërbime publike cilësore”, – u shpreh ministrja Gjermeni.

 

Kodheli

Duke folur për angazhimin e Forcave të Armatosura, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, u shpreh: “Gjatë kësaj vere, FA do të ngrenë 10 pika prezence në plazhet kryesore të vendit. Do të jemi kudo të pranishëm, me pajisje, mjete, mbështetje logjistike për t’u lehtësuar pushimet të gjithë atyre që do të zgjedhin plazhet e Shqipërisë. Do të mbështesim kolegët e sektorëve të turizmit, pushtetit lokal dhe të rendit publik, do të jemi aty ku shumica e shqiptarëve, këtej dhe përtej kufirit, do të kalojnë ditët e tyre të pushimit”.

 

Çfarë ndryshon për sigurinë në zonat turistike

 Ministria e Brendshme publikoi dje masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik, që nisin me hartimin e një plani lidhur me sigurinë e sezonit turistik. Sipas të dhënave historike të hyrje-daljeve të qytetarëve në pikat kufitare dhe fluksin turistik të pushuesve, parashikohet një fluks turistik rreth 3 – 3.5 milionë qytetarë, të huaj dhe shtetas shqiptarë, të cilët do të frekuentojnë pikat turistike të vendit. Periudha që parashikohet nga Ministria e Brendshme me fluks më të lartë turistik, mbetet 1 korrik – 15 gusht.

 

Masat e MB-së

 1. Rritja e sigurisë rrugore në të gjitha akset dhe në rrugët e zonave turistike me përparësi.

2. Lehtësimi i hyrje-daljeve të shtetasve të huaj dhe vendas në kufi, nëpërmjet ofrimit të shërbimit cilësor dhe të shpejtë, duke shtuar shërbimet e Policisë Kufitare në pikat e kalimit kufitar;
3. Ofrimi i shërbimeve të ndihmës së shpejtë dhe zgjidhjes së problemeve për turistët dhe pushuesit, me prioritet në zonat turistike, në çdo rast nevoje, nëpërmjet krijimit të njësive policore të përkohshme dhe të lëvizshme, pranë qendrave dhe zonave turistike.
4. Parashikohet mobilizimi i 2388 punonjësve të policisë, 201 mjete transporti, 17 mjete lundruese dhe 1 helikopter për të garantuar sigurinë e qytetarëve, por edhe për t’i vënë në shërbim të qytetarëve të gjitha resurset e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
6. Ngritja e stacioneve policore të përkohshme, në disa plazhe të cilat deri dje nuk kishin stacion policor.
7. Dislokimi i FNSH-së në të gjithë brezin turistik dhe zonat turistike, duke u përpjekur të garantojmë sigurinë maksimale.
8. Shërbimet e ndihmës së shpejtë në ngjarjet aksidentale do të kryhen nga të gjithë shërbimet policore në brezin dhe në zonat e përcaktuara si prioritet për zhvillimin turistik dhe nga të gjitha repartet e përcaktuara për kryerjen e këtij shërbimi.
9. Shërbimi i Emergjencës Civile do të bashkohet me shërbimin e Policisë së Shtetit për ndihmën që duhet t’u japin qytetarëve lidhur me ngjarjet që potencialisht kërcënojnë apo sjellin pasoja në zhvillimin turistik të vendit.
10. Shërbimi Zjarrfikës ka riorganizuar personelin dhe mjetet në mënyrë të tillë për t’iu përgjigjur prioriteteve të Policisë së Shtetit dhe Emergjencave Civile, duke bashkuar planet e protokollin e punës të të tria agjencive, në funksion të zhvillimit turistik dhe të qytetarëve e pushuesve në tërësi.

Share it :